Drejt Lirisë, sukses i merituar në Maqedoni
entuziazëm në qytetet shqiptare si Strugë, Gostivar dhe Kumanovë. Organizatorët tregojnë se kjo shfaqje i ka të gjithë elementët e mundshëm për të pasur një prekje të suksesshme me publikun. Më gëzon interesimi dhe bashkëveprimi i spektatorit. Kam gjetur një publik të mrekullueshëm kudo ku kemi dhënë shfaqje, në Tiranë, Elbasan, Fier, Korçë, Gjilan, Therandë dhe tani në qytetet ku banojnë shqiptarët e Maqedonisë. Ky është një nga projektet e rëndësishme të punës sime dhe e quaj një kontribut timin në skenën teatrore shqiptare, brenda dhe jashtë kufijve-shprehet aktori Sojli. Drejt lirisë ishte pjesëmarrëse në edicionin e parë të Festivalit Mbarëkombëtar Teatror KosovaFest, që u mbajt në Therandë, në datat 12-19 shkurt, ku meritoi edhe Çmimin e Publikut. Erandi na befasoi me inteligjencën e tij, kur prek problemet e jetës shqiptare të përditshme dhe mjeshtërisht i ngre ato me elegancë dhe finesë në skenë- u prononcua, kritiku Adriatik Kallulli. Shfaqja, e ndërtuar mbi një tregim komik, na tregon saktë sesi duhet të shohim brenda vetes për të kuptuar kush jemi dhe ku duhet të shkojmë. Në një interpretim plastik që zotëron situatat, aktori Sojli komunikon me sallën dhe na sjell shembuj sesi duhet të jetë një aktor i sotëm i skenës, duke shfrytëzuar fjalën, gjestin, pantomimën, tingullin. Një regji, e cila arrin të ndërtojë bukur situatat, kërkon detajin dhe gjen format ku të ndërveprojë salla me aktorin. Shfaqja na mban të gozhduar edhe falë gjetjeve të Budinës, i cili me detajet-projeksione vizive ndërton bukur të sotmen dhe të shkuarën. Vlejnë të përmenden këtu edhe vizatimet nga piktori i mirënjohur Artur Muharremi, që heqin paralele të rëndësishme me ide-fillesën e autorit. Unifikimi i disa personazheve në një, arritja e disa regjistrave vokalë, (që i bën ata të vijnë ndryshe për spektatorin), përdorimi i detajeve me masë dhe mençuri e kthen Sojlin në 90 minuta në një aktor të dashur dhe të duartrokitur për shikuesit. Plasticiteti artistik, interpretimi i mençur dhe eleganca tek ky aktor rrumbullakojnë një mendim të shkëlqyer skenik, që thithet qartë nga spektatori- u shpreh pas shfaqjes në Therandë, kritiku, Nebi Islami. Guximi artistik dhe qytetar i pjesës, interpretimi i lartë artistik , harmonizimi i detajeve dhe gjetjet regjisoriale e bëjnë këtë shfaqje unike dhe të pakonkurrueshme në gjininë e saj. Drejt lirisë është ndjekur me interes nga mediat dhe do të vazhdojë turin në Maqedoni, me shfaqjet në Tetovë dhe kryeqytetin e Maqedonisë, Shkup, ku pritet një pjesëmarrje jo vetëm e artdashësve shqiptarë, por edhe atyre maqedonas.