E Shtunë, 31 Tetor 2026

Drejt Lumturimit të Gjon Palit II: Testamenti shpirtëror i Papës Vojtila.

01-05-2011 / Gazeta 55

“Rrini zgjuar, sepse nuk e dini në ç’ditë do të vijë Zoti juaj!”: nis kështu, me një fragment nga Ungjilli i Mateut, testamenti shpirtëror i Gjon Palit II. Pjesa e parë e dokumentit, prej tetë kartelash, shkruar herë pas here në vitet e papnisë, gjatë ose pas ushtrimeve shpirtërore të Krezhmëve - mban datën 6 mars 1979.
Nuk e di se kur do të më vijë çasti i vdekjes – shkruan Ati i Shenjtë – por, si të gjitha çastet tjera, edhe këtë e lë në duart e Nënës së Mësuesit tim: Totus Tuus! Në të njëjtat duar amtare – vijon lutjen Papa – i lë të gjitha sendet e të gjithë njerëzit, me të cilët më ka lidhur jeta e thirrja ime. Në këto duar lë posaçërisht Kishën, Kombin tim e mbarë njerëzimin. I falënderoj të gjithë, të gjithëve u kërkoj të falur - shkruan Papa e, si shpjegon se nisi ta shkruajë këtë testament, pasi pati lexuar atë të Palit VI, kërkon që besimtarët të luten për shpirtin e tij, duke theksuar: “që kështu Mëshira e Zotit të tregohet më e madhe se ligështia e padenjësia ime”.
Gjon Pali II shkruan se nuk lë kurrfarë pasurie, që duhet trashëguar. Lë amanet që shënimet e tij personale të digjen e më pas falënderon sekretarin, Imzot Stanislau Dxhivish për bashkëpunimin, ndihmën e mirëkuptimin. Pastaj shton: “Të gjitha falënderimet tjera i ruaj në zemër para vetë Zotit, sepse është e vështirë t’i shpreh”. Papa e përfundon këtë pjesë të testamentit duke përsëritur për funeralin të njëjtat udhëzime që ka dhënë edhe Papa Pali VI: të varroset drejtpërdrejtë në dhé. Pas këtyre radhëve, shkruar në vitin 1979, shton: “Pas vdekjes kërkoj Meshë Shenjte e lutje”.
Kartela e dytë hapet me një deklaratë pa datë. Në të Papa shpreh besimin se, pavarësisht nga ligështia e tij, Zoti do t’i japë hirin e nevojshëm për ta përballuar, sipas vullnetit të Tij, çdo lloj detyre, prove e mundimi që do të kërkojë nga shërbëtori i vet gjatë jetës. Kam besim edhe - shton Papa - se Zoti nuk do të lejojë kurrë që unë, me ndonjë sjellje time: me fjalë, vepra ose lëshime, t’i tradhtoj detyrimet e mia në Selinë e Shën Pjetrit.
Ndërmjet fundit të shkurtit e një marsit 1980, Papa reflekton për vdekjen në lidhje me “të vërtetën mbi meshtarinë e Krishtit”. Rilexon ç’ka shkruar më parë, duke e krahasuar me ç’ka shkruar Pali VI - “Me këtë dëshmi sublime mbi vdekjen e një të krishteri e të një pape” - shkruan - dhe shton një reflektim, duke theksuar se ka rëndësi të madhe që secili të jetë gati për t’u paraqitur përpara Zotit e Gjykatësit – njëkohësisht Shpërblyes e Atë. Papa pohon se ai kujdeset vazhdimisht për të qenë gati, duke ia besuar çastin e mbramë Nënës së Krishtit e të Kishës – Nënës së shpresës sime – siç e quan Papa.
Kohët, në të cilat jetojmë, janë të vështira e të shqeta – vëren. - E vështirë dhe e shqetë është bërë edhe rruga e Kishës, si për besimtarët, ashtu edhe për barinjtë. Në disa vende – reflekton Papa i vdekur – Kisha ndodhet në një periudhë të tillë persekutimi, që ia kalon edhe persekutimit të shekujve të parë përsa i përket mizorisë e urrejtjes, ndërsa shumë njerëz zhduken pa kurrnjë faj edhe në këtë vend ku jetojmë…”
Pas këtyre radhëve, Gjon Pali II pohon: “Dëshiroj edhe një herë t’ia besoj plotësisht veten hirit të Zotit. Do të vendosë Ai kur e si do të përfundojë jeta ime tokësore e detyra ime baritore”. Ripohon më tej moton “Totus Tuus” dhe thekson se është gati ta flijojë gjithçka për çështjen më të rëndësishme: “Shpëtimin e njerëzve, të familjes njerëzore e në të, të gjithë kombeve e popujve”. Papa uron që vdekja e tij t’i shërbejë njerëzve që Zoti ia ka besuar, çështjes së Kishës dhe lumnisë së vetë Perëndisë”.
Në mars të vitit 1982, Gjon Pali II vijon të shkruajë Testamentin e tij shpirtëror. Rilexon ç’ka shkruar më 1979, shënon se gjithçka është e përkohshme, por megjithatë vendos që përkohësisht të mos prekë, as të mos ndryshojë asgjë. Atentati kundër jetës sime më 13 maj 1981 – shënon – në një farë mënyre konfirmoi saktësinë e fjalëve të shkruara në periudhën e ushtrimeve shpirtërore të 1980-tës. Prandaj e ndjej veten edhe më thellësisht në duart e Zotit tim, duke ia besuar vetveten Atij e Nënës së Tij të Papërlyer (Totus Tuus”).
Në një shënim të bërë gjithnjë në mars të ’82-shit, prek çështjen e salikimeve të veta, duke sqaruar ç’pati shkruar në marsin e ’79-ës. I kërkon Kolegjit Kardinalor t’i plotësojë, për sa të jetë e mundur, kërkesat lidhur me këtë, të metropolitit të Krakovisë ose të Këshillit të përgjithshëm të Episkopatit të Polonisë. Në një shënim të mëvonshëm, të 1 marsit 1985, shton: “Kolegji Kardinalor nuk ka asnjë detyrim të pyesë bashkatdhetarët; ndonëse edhe mund ta bëjë këtë, në se e gjykon të drejtë”.
Gjon Pali II e përfundon testamentin në kohën e ushtrimeve shpirtërore të marsit 2000, gjatë Jubileut. “Kur, më 16 tetor 1978, më zgjodhi konklavi i kardinajve - shkruan - Primati i Polonisë, kardinali Vishinski, më tha: “Detyra e papës së ri do të jetë t’i prijë Kishës në Mijëvjeçarin e Tretë”. Pas këtij kujtimi, Gjon Pali II shton: “Sipas planeve të Provanisë hyjnore, m’u desh ta kaloj jetën në një shekull të vështirë: qoftë lavdëruar Provania hyjnore që periudha e ashtuquajtur “e luftës së ftohtë” përfundoi pa konflikt të dhunshëm bërthamor, rreziku i të cilit rëndonte mbi botën në periudhën e mëparshme.
Pas këtij reflektimi, Papa rikujton 13 majin 1981, ditën e atentatit në Sheshin e Shën Pjetrit. “Provania hyjnore – shkruan – më shpëtoi mrekullisht nga vdekja. Ai, që është i vetmi Zot i jetës e i vdekjes, Ai vetë ma zgjati këtë jetë; në një farë mënyre, ma fali rishtas. Që nga ky çast ajo i përket Atij edhe më shumë. Shpresoj se Ai do të më ndihmojë të kuptoj se deri kur duhet ta vijoj këtë shërbim, për të cilin më ka thirrur. I lutem të më thërrasë kur të dëshirojë Ai vetë. Si në jetë, ashtu edhe në vdekje, i përkasim Zotit… jemi të Zotit. Shpresoj – shton Gjon Pali II – se derisa të më kërkohet të kryej shërbimin si Pasardhës i Shën Pjetrit në Kishë, Mëshira e Zotit do të më japë edhe forcën e duhur për këtë shërbim”.
Më pas Papa i shpreh mirënjohjen Shpirtit Shenjt për dhuratën e madhe të Koncilit II të Vatikanit, të cilit – shkruan – i jam borxhli, së bashku me të gjithë Kishën. Jam i bindur se edhe breznitë e ardhshme do të zbulojnë pasuri të reja nga ky Koncil i shekullit XX. Si ipeshkëv, që kam marrë pjesë në ngjarjen e madhe konciliare që nga dita e parë deri në të mbramen, dëshiroj t’ia besoj këtë trashëgimi të madhe të gjithë atyre që janë e do të jenë të thirrur ta realizojnë në të ardhmen. Gjon Pali II i falënderon të gjithë ata që e kanë ndihmuar gjatë papnisë së tij, e jo vetëm katolikët, por edhe shumë vëllezër të krishterë, Rabinin e Romës, përfaqësues të shumtë të feve jo të krishtera e, sidomos, përfaqësuesit e botës së kulturës, të shkencës, të politikës e të mjeteve të komunikimit shoqëror”. Sa më tepër i afrohem fundit të jetës sime tokësore – përfundon Gjon Pali II – aq më tepër kujtoj fillimin e saj, Prindërit e mi, Vëllaun e Motrën (që nuk e kam njohur, sepse vdiq para se të lindesha), famullinë e Vadovicës, ku jam pagëzuar, qytetin tim aq të dashur, bashkëmoshatarët, shokët e shoqet e shkollës fillore, të gjimnazit, të universitetit, deri në kohën e pushtimit, kur punoja si punëtor. Të gjithëve dëshiroj t’u them një gjë: “Jua shpërbleftë Zoti!”.
Papa Vojtila, armiku i madh i "Murit". Ishte vepër e Krishtit, roli i Papës polak në shembjen e regjimeve komuniste/Më 16 tetor 1978, Kgb-ja dhe Shërbimet sekrete të Evropës Lindore u drodhën, kur kryeipeshkvi i Krakovisë u zgjodh papë. Gjenerali Vojiçek Jaruzelski, kujton se për Aleatët e Varshavës, kjo zgjedhje ishte “si një gjemb në sy”. Por, me gjithë parashikimet e tyre më ogurzeza, nuk munden as ta përfytyronin atë, që Papa Polak do të bënte për shembjen e regjimeve komuniste në Evropën Lindore. Shenjat e para paralajmëruese do të dukeshin qartë në shtegtimin e Papës në Poloni, më 1979, e pastaj, në gushtin polak të 1980-tës, nga i cili lindi Solidarnosh, sindikata e parë e lirë në një vend evropiano-lindor. Gjenerali Jaruzelsi, kreu i shtetit, i cili më 1981 zbatoi në Poloni ligjet e kohës së luftës, tregon se qeveria e Varshavës, pasi u zgjodh Vojtila, vendosi të nisë në drejtim të Vatikanit një mori spiunësh: meshtarë polakë, që me një dorë i shërbenin Kishës, e me tjerën, sigurimit. Lexoja raportet e tyre dhe e dija se Papa po bënte çmos për të lehtësuar vuajtjet e popullit të vet e edhe të mbarë popujve, të cilët shkeleshin pa mëshirë nën thembrën e diktaturave më të egra, që ka parë njerëzimi.
Gjashtë vjet pas vdekjes e pak ditë para Lumturimit, koha po e tregon gjithnjë më qartë se roli i Karol Vojtilës në shembjen e komunizmit ishte i paparashikuar nga regjimet e “Gardhit të hekurt”. Është detyrë e historianëve të thellohen në studimin e rolit të Papës sllav. Po vetë Papa ç’mendonte për këtë rol? Kur e pyesnin, përgjigjej: “Nuk ishte Papa, po krishtërimi, ai që pati rolin vendimtar në shembjen e Murit e të regjimeve komuniste të Lindjes”. Kështu, në një intervistë dhënë gazetës italiane “La Stampa”, më 1993, Gjon Pali II pati theksuar se pas këtyre ngjarjeve, gati-gati të pabesueshme për ata, që vuanin prej një shekulli nën thundrën e hekurt, nuk mund të mos shikonte ndërhyrjen providenciale. Për shembjen e regjimit komunist Papa Vojtila flet edhe në testamentin e tij, ku shkruan: “Kohët, në të cilat jetojmë, janë të vështira e të shqeta. E vështirë dhe e shqetë është bërë edhe rruga e Kishës, si për besimtarët, ashtu edhe për barinjtë. Në disa vende Kisha ndodhet në një periudhë të tillë persekutimi, që ia kalon edhe persekutimit të shekujve të parë të krishterimit, përsa i përket mizorisë e urrejtjes, ndërsa shumë njerëz zhduken pa kurrnjë faj edhe në këtë vend ku jetojmë…
Por, vijon, që nga vjeshta e vitit 1989, kjo situatë ndryshoi. Dhjetvjeçari i fundmë i shekullit të kaluar, u çlirua nga tensionet e mëpërparshme, ndonëse solli me vete edhe probleme të reja e vështirësi të reja. Në mënyrë të posaçme i qoftë lumturi Provanisë Hyjnore për këtë cak, aq të dëshiruar, që i dha fund periudhës së Luftës së Ftohtë, që përfundoi pa konfliktin e dhunshëm, që peshonte, me gjithë barrën e vet të kobshme, mbi ardhmërinë e botës, e cila rrezikohej të zhdukej”.
Është e natyrshme që të rinjtë, të cilëve diktatura komuniste u kishte vrarë jo vetëm etërit, por edhe ëndrrat, nisën menjëherë ta shikonin Papën Vojtila si mikun më të madh. E edhe në Vatikan, shumë nga bashkëpunëtorët e Papës, duke përfshirë edhe kryeipeshkvin e sotëm të Krakovisë, për 40 vjet sekretar i Karol Vojtilës, kardinalin Stanislao Dxhivish, janë më se të bindur se ishin shërbimet sekrete të vendeve komuniste ata, që e armatosën dorën e Ali Agçait, i cili e plagosi për vdekje Papën, më 13 maj të vitit 1981, në Sheshin e Shën Pjetrit. E nuk mungoi as gishti i sigurimit shqiptar në Vatikan.
Gjon Pali II, pas këtij atentati, ka pohuar gjithnjë se atë ditë shpëtoi nga vdekja e sigurtë me ndërmjetësinë e Zojës së Bekuar.
Pakënaqësia, për të mos thënë tërbimi i qeverive komuniste, përshkruhet në jetëshkrimin e Papës Vojtila, që sapo është botuar nga Andrea Rikardi. Për Kremlinin e Kgb-në, shkruan historiani katolik, zgjedhja e Karol Vojtilës ishte një e papritur tejet e hidhur e, sipas tyre, fryt i veprimtarisë së koordinuar të dy polako-amerikanëve, kardinalit Krol dhe këshilltarit të Karterit, Brezhinski. Por sidomos, komenton Rikardi, qeveritë komuniste, që kontrollonin deri në skutat e shpirtit jetën fetare të besimtarëve, nuk e kishin përfytyruar kurrë se konklavi do të zgjidhte një Papë nga Lindja, një Papë, që i kishte mbi shpinë kthetrat e diktaturës ateiste. Nuk u shqetësuan aq shumë, prandaj, pas vdekjes së Papës Gjon Pali I, me bindjen se, sipas traditës së kahershme, edhe kësaj radhe do të zgjidhej një papë italian, që nuk e njihte nga afër regjimin komunist, Kgb-në, sigurimet e sheteteve satelite e mizoritë e tyre të papërshkrueshme. Nuk arritën, prandaj t’ bënin mirë llogaritë, duke vënë në lëvizje të gjitha forcat e spiunazhit. Për më tepër, duke kontrolluar kishat e heshtimit të vendeve të tyre, kishin krijuar edhe bindjen tërësisht të gabuar, se Kisha katolike nuk ishte më në gjendje t’i jepte një frymë të re jetës së saj. Pastaj duhet menduar edhe se ata vetë, si njerëz pa Zot, ishin krejt të paaftë për të pranuar se fenomeni fetar ka në vetvete një forcë të jashtëzakonshme përtëritjeje. Prandaj vijuan të përsërisin të njëjtat akuza kundër Kishës e njerëzve të saj, duke i quajtur reaksionarë, bashkëpunëtorë të kapitalizmit e spiunë të Vatikanit.
Por Karol Vojtila – pohon Rikardi - një t’u zgjedhur Papë, “zbuloi” karakterin globalizues të katolicizmit, duke bërë atë, që dukej e pamundur: kapërceu të ashtuquajturën “Perde të hekurt”, pas së cilës një turmë skllevërish, humbiste ditë për ditë ëndrrat më të bukura e shpesh, dhe vetë jetën e arriti t’i tregojë botës se të krishterët e Lindjes kishin me Romën lidhje të tilla, që komunizmi nuk do t’ia delte kurrë mbanësh t’i copëtonte, siç kishte dëshiruar gjatë një shekulli të tërë, duke nisur nga Revolucioni bolshevik në Rusi. Ndërmjet pamjeve-simbol të Papnisë së Vojtilës, mbetet, pa dyshim, më simbolikja, ajo e 23 qershorit 1996, kur Papa polak kapërceu Portën e Brandenburgut, që u rikthye në Portë të hapur drejt botës, pasi ishte shndërruar nga tiranët komunistë, komentoi Papa, në mur të pakapërcyeshëm, sepse kishin frikë nga era e lirisë, që kishte nisur të frynte edhe përmes papnisë së Vojtilës!

...

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›