E Shtunë, 31 Tetor 2026

Skanimi i pasojave të braktisjes

01-05-2011 / Nga Qemal Sakajeva

Ka një veçori kjo garë për bashkinë e Tiranës: të dy kandidatët vijnë nga ekzekutivi. Le të theksojmë që, nga kjo pikëpamje, individualisht asnjëri prej të dyve nuk është në opozitë. Edi Rama si kryetar bashkie, dhe i kandiduar për së katërti, përfaqëson pushtetin ekzekutiv më të fuqishëm  në Shqipëri,  pas kryeministrit. Për nga kohëzgjatja  dhe mosndërprerja në pushtetin ekzekutiv, është i pari, si askush tjetër, me plot 11 vjet, pa pranuar kurrfarë dorëheqjeje, ndërsa kryeministri  është më me pak vite në pushtet, edhe ato i ka të ndërprera me qënien për tetë vjet në opozitë të gjatë  e të vështirë. Të bësh opozitën, duke qenë vet dhe veç në ekzekutiv, në pushtet të epërm  dhe i  përforcuar edhe me pushtetin i të qënit kryetar i Partisë Socialiste, për Edi Ramën është komoditet vetjak, por nuk përcjell besueshmëri politike me mënyrën radikale të të bërit opozitë dhe refrenin e fortë mohues vetëm ndaj kundërshtarit në ekzekutivi. Ky është një shartim që nuk ka zënë, sepse  mbeten të papajtueshme dy funksione të epërme, edhe ekzekutiv edhe opozitë, edhe opozitë edhe ekzekutiv, duke brohoritur partinë tënde dhe duartrokitur ekzekutivin  vetjak. Ndërsa kandidati Lulzim Bashka vjen nga ekzekutivi, me gjysmën e kohës se kryebashkiakut, i qarkulluar suksesshëm e mbresëlënës në tri detyra shumë të rëndësishme, dhe i dorëhequr dyfish, edhe si ministër, edhe si deputet. Kjo përbën një përparësi të madhe të tij ndaj Ramës.
Veçoria tjetër është ajo që po shohim në garë: kandidati Rama, kur bën fushatë nëpër Shqipëri, nxin punët e qeverisë, kur kthehet nëpër Tiranë, mburr punën e bashkisë. Por, ajo çfarë shohim nga tubimet e tij, është dekor i stërnjohur - ai shkon po aty ku ka qenë, në vendpërurimesh të dikurshme dhe para fasadash të rrëgjuara. Kurse kandidati Basha solli risi të vërtetë në mënyrën e të bërit fushatë të fisme: ai ecën dhe takon njerëzit e anës së padukshme të kryeqytetit, e cila ka mbetur ashtu e për vite, për dy arsye: sepse andej nuk janë kryer investime dhe se kryebashkiaku i zhvendosur te Partia, as ka parë e as shkelur andej. Rama bën fushatë duke shkuar aty ku i duhet të ritregojë, kurse Bashka, në një muaj kohë, ka zbuluar pasojat e braktisjes së madhe të halleve të kryeqytetit, jo vetë si kohë zgjatje e ikjes, por si moskryerje të detyrimeve ndaj qytetarëve. Edhe vet mediat televizive sikur ndjehen në vetëqortim të heshtur nga ky zbulim: ato, më së shumti, janë vërdallisur që nga Skenderbeu deri te unaza, e kthim. Në një muaj kohë Basha mundi të skanojë braktisjen, të përcaktojë sëmundjen, të tregojë lëngimin dhe të shqiptojë kurën. Kjo u ka dhënë dy kandidatëve profile krejt të ndryshëm: Rama është i vjetëruar, s’ka çfarë të rrëfejë, sillet bllokues për të mos vështruar përtej fasadës. Por Basha ka hapur perden, për të parë braktisjen e madhe 6-vjeçare të kundërshtarit: 4 vjet gjatë “Dialog me Shqipërinë” dhe 2 vjet me “Hap kutitë”, një monolog përballë të gjithëve. Kjo ata i bënë të kundërt në mënyrë organike: kryetari kandidat për së katërti, me ethe e ëndërrime në parti dhe shpinëkthyer bashkisë, nuk sheh problem e nuk paraqet program bindës çfarë i duhet kryeqytetit, ndërsa kandidati i ri ka nxjerrë në dritë të diellit problematikën përtej fasadës, ka parashtuar në një stil bashkëkohor programin e gjerë për zgjidhjet dhe kthimin e Tiranës në një qytet të standardeve europiane. Vërehet një ndryshim i pazakontë: kandidati Rama udhëton nëpër Shqipëri në rrugë të reja e moderne, kandidati Basha rrugëton nëpër Tiranë udhëve si të bombarduara, në pluhur e kaos trafiku. E, megjithë këtë, Rama nxin ekzekutivin e Shqipërisë, dhe vetëmburr ekzekutivin e bashkisë. Kandidati Rama nuk është në opozitë, ai është në pushtet e në mbi pushteti. Në opozitë vetëndjehet vetëm për t’u bërë kryeministër. Kjo është loja e kandidimit për së katërti, që ia dinë mirë edhe të tijtë, si ata që e mbështesin në tribunat zgjedhore, ashtu edhe ata të cilët i ka trusë të rrinë në stol.

...

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›