Intelektualët dhe shoqëria
Kur gjëmojnë topat, nuk dëgjohen daullet, është një shprehje e vjetër ushtarake, dhe thënë në kushtet e një fushate, kjo mund të përshtatet se kur thërrasin politikanët, nuk dëgjohen intelektualët, pasi këta të fundit përpiqen të bindin të tjerët me produktin e mendjes dhe jo të britmës dhe forcës.
Po kush janë intelektualët në Shqipëri? Sa janë dhe, a kanë ata peshë në opinionin publik? Dhe për të qenë të qartë: cilët mund të quhen intelektualë? Që të gjitha janë pyetje që vështirë të kenë një përgjigje definitive dhe të kënaqshme, ashtu si vetë produkti i intelektit, mendimi, është gjithmonë në ndryshim dhe evoluim, por duke nisur nga historia, ky term për herë të parë u përdor nga Klemansoja në vitin 1898, i cili më vonë do ishte kryeministër i Francës. Me këtë term, ai që dhe vetë ishte i tillë, cilësoi atë shtresë të shoqërisë, e cila për të favorizuar progresin dhe mbrojtur parimet në të cilat besojnë, nuk ndruhet të thyejë ligjet morale të shoqërisë, apo të ndeshen me shtetin për të ndryshuar konceptet e tij. Hyjnë në plejadën e atyre viteve Emil Zola, Leon Blum, Marsel Prust, Lysien Herr dhe shumë të tjerë, për t’u ndjekur në mes-shekullin e njëzetë nga Malro, Pikaso, Miro, Shagall, Xhakometi, dhe për të ardhur në ditët tona me Lewis e Kushner. Të parët luftuan paragjykimet e shoqërisë franceze me çështje si e Dreyfus, dhe ndikuan në hapjen dhe modernizimin e strukturave të shtetit francez; të dytët ishin truri moral i lëvizjeve shoqërore të viteve ’68, që e shtynë perëndimin në epokën nga e cila po dalim, ku njohëm një shoqëri të hapur dhe shtet të dimensionit human; dhe të fundit po i mësojnë Francës, të jetojë e përshtatet në një botë gjithmonë e më globale dhe në vlera e kultura që po bëhen universale. Me revolucionin e vitit 1789, Franca vrau aristokracinë e saj të gjakut, ndërsa në fund të shekullit të 19-të kishte fituar një aristokraci të re: atë të mendjes. Që nga ajo kohë, pasardhësit e galëve, preferojnë të drejtohen nga njerëz që kanë virtytin e penës se sa nga ata që janë të sëmurë me vesin e pushtetit.
Institucioni që e përfaqëson këtë shtresë, është Akademia Franceze, për të cilën Franca është xheloze. Vetë akademia, nuk ka nguruar të ndëshkojë me përbuzje ata që nuk respektojnë vlerat e saj: pas Luftës së Dytë Botërore, përjashtoi dhe la bosh deri në vdekjen e tyre, karriget e dy anëtarëve, Mores dhe marshallit Peten, si shembull dënimi ndaj bashkëpunimit të tyre me nazizmin dhe vetëndëshkim për zgjedhjen që kishin bërë duke iu dhënë poltronën e akademikut këtyre dy personazheve. I pari ishte një nga politikanët më kreativë dhe përfaqësues të kapërcyellit të shekullit 19-të dhe 20-të, ndërsa i dyti ishte heroi i betejës së Verdunit. Dhe mos harrojmë se i dënoi në një kohë kur ende konsideroheshin si njerëzit që e shpëtuan Francën dhe kolonitë e saj nga shfarosja naziste.
Kjo vlerë e madhe franceze e kohëve moderne, i është transmetuar botës në formën e atyre që njihen si “intelektualë” në Europë, apo “think tank”-ë në Shtetet e Bashkuara. Të gjithë kanë të përbashkët integritetin personal dhe moral si përballë pushtetit, ashtu edhe përballë historisë, qoftë nëse bëjnë zgjedhjen e duhur, apo të gabuar; kanë virtytin ti qëndrojnë bindjeve të tyre në jetën publike, pavarësisht se çfarë çmimi moral apo material paguajnë; nuk kanë mbështetje të gjerë popullore, shprehur në terma numerikë, por çdo politikan duhet të marrë aprovimin e tyre nëse do të kalojë portën e historisë, dhe nëse ka ndonjëherë përafrim midis tyre dhe pushtetit, kjo vjen ngaqë pushteti ju afrohet atyre dhe jo e kundërta.
Fatkeqësisht, në Shqipëri të paktë janë ata që mund të meritojnë këtë emër të tillë, pasi të paktë janë ata që plotësojnë kriteret. Shumë nga ata që e quajnë veten pjesë të këtij grupi, janë thjesht njerëz që mendojnë për fundin e ditës, dhe jo se ç’emër do lënë në fund të jetës. Shpesh herë, profesionistë të zot të fushës së mendjes, qoftë për shkak të mungesës së traditës, apo për arsye se ka qenë produkt i pushtetit, ka qenë më e prirur ndaj anashkalimit të vlerave dhe transformimit të tyre në ndërgjegje të kombit. Dallohet ky boshllëk kohët e fundit, kur është mbajtur një qëndrim shpesh johuman ndaj viktimave që kanë ardhur si pasojë e veprimtarive kriminale të pushtetit. Një intelektual, nuk mund të bashkohet me krimin ndaj njeriut. Veçohet kjo karakteristikë, pasi jeta njerëzore është vlera bazë e humanizmit, ylli polar i tij. Njëzet e gjashtë shqiptarë u hodhën në erë në Gërdec, dhe katër u vranë e dhjetëra u plagosën në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, por ende nuk ka një qëndrim të njerëzve të mendjes që të tregojë haptazi përbuzjen ndaj atyre që shkaktuan këtë akt. Përjashto Ismail Kadarenë, Rexhep Qosen dhe disa pak zëra të tjerë, ende nuk ndihet përbuzja që shkaktarët e këtyre fatkeqësive, të kenë mbi kurriz. Përkundrazi, shohim se ministra si Mehdiu, Basha apo vetë kryeministri Berisha, kur duan t’i shmangen gjykimit të opinionit, mbledhin tubime, me pjesëmarrjen e dhjetëra profesionistëve, por fatkeqësisht në to marrin pjesë edhe njerëz që mund ta meritojnë klasifikimin e intelektualit, duke i dhënë kështu kredo morale politikanëve që në një vend normal, duhet të ishin klientë të prokurorisë. Por ajo që ta bjerr shpresën është se, para disa kohësh, Lulzim Basha, kryegardisti dhe momentalisht i kryeakuzuari për vrasjet në bulevard, organizoi një tubim në një godinë universitare, ku në çdo vend tjetër të botës do ishte nxjerrë me shqelma përjashta, dhe kjo është një tregues se ende universitetet shqiptare, prodhojnë njerëz me diplomë, por jo qytetarë, duke venitur shpresat që nga ky humus, në të ardhmen të kemi intelektualë të denjë.
Edhe pak ditë, dhe Shqipëria do hyjë në zgjedhje të cilat quhen vendore, por do jenë politike për nga rezultati që do prodhojnë. Njeriu që po i gatuan, është i njëjti që ka mbi njëzet vjet në politikën shqiptare, dhe rekorde që këtë proces nuk e koncepton si fenomen suprem prej nga fati i tij është i varur, por si një procedurë që në finalen e saj duhet të ketë patjetër rikonfirmimin e tij në pushtet. E gjitha kjo sjell pak shpresë për një vazhdë normale të vendit tonë, dhe në kushtet kur politika në përgjithësi është e konsumuar në sytë e njerëzve, shpresa për ndryshim mbetet te qëndrimet pa kompromis me regresin, dhe aleanca e ndershme me vlerat dhe humanizmin e një shtrese, e cila më së fundi edhe në Shqipëri duhet të trupëzohet dhe të dalë jashtë hijes së pushteteve të tjera dhe quhet: intelektualë. Ata anëtarë të kësaj elite, që mendojnë se janë të paktë dhe një zë në shkretëtirë, mjafton të kujtojnë se nga kjo kohë që po kalojmë, ashtu si ka ndodhur edhe në kombe të tjera, në kohë të tjera, do mbetet emri i njerëzve që do thonë të vërtetën dhe ishin miq të saj, duke ndihmuar një popull të gjejë rrugën e tij, dhe jo i atyre që për dekada të tëra e shfrytëzuan pa i dhënë gjë në këmbim.