E Diel, 1 Nëntor 2026

Shkarkohet kreu i KESH Stojku, vjen Engjëll Zeqaj



nertila maho

është liruar dje nga detyra drejtori i Korporatës Elektroenergjetike Shqiptare, Muharrem Stojku, dhe në vend të tij është emëruar Engjëll Zeqaj. Vendimi u mor gjatë mbledhjes së Bordit Drejtues i Korporatës, i cili ka vënë në dijeni Stojkun për këtë çështje. "Jam liruar nga detyra e drejtorit të KESH dhe kjo vjen në një kohë kur po bëhet rishikimi i pozicioneve drejtuese të koalicionit. Me të drejtë ai pozicion i përket LSI-së. Vendimi i Bordit mu komunikua një orë pas marrjes së tij dhe kam dhënë aprovimin tim për këtë vendim", tha për gazetën Muharrem Stojku. Vendimi i Bordit vjen në një moment të papritur, kur Korporata Elektroenergjetike Shqiptare po njeh nivelet më të larta të prodhimit dhe të eksportit të energjisë elektrike. Në 5 muajt e parë të këtij viti KESH arriti që të merrte mbi 60 milionë euro nga eksporti i energjisë, ndërkohë që për qershorin sapo ka firmosur kontratat për 14.8 milionë euro. Po kështu prodhimi në vend gjatë këtij viti ka kaluar 29 milionë kwh në ditë, çka është trumbetuar si një rekord në historinë e hidrocentraleve në vend. Situata e mirë hidrike dhe energjetike e këtyre muajve në fakt pati edhe anën tjetër të medaljes për vështirësitë e hasura gjatë dimrit. Në muajt e parë të këtij viti në veri të vendit ndodhën tri përmbytje masive që prekën Shkodrën dhe Nënshkodrën si rezultat i prurjeve të larta në liqenet e kaskadës së Drinit dhe rrjedhimisht shkarkimet nga hidrocentralet. Gjatë kësaj periudhe KESH-it si institucion iu atribuuan fjalët më të mira për menaxhimin e situatës, edhe pse nga prokuroria filluan hetimet për gjetjen e përgjegjësve. Ish-drejtori Muharrem Stojku mori drejtimin e KESH-it rreth 8 muaj më parë, pas dorëheqjes së Gjergj Bojaxhiut. Ndërkohë që më herët Stojku mbajti për plot 4 vite pozicionin e drejtorit të prodhimit të KESH. Me vendimin e Bordit tashmë këtë pozicion do ta mbajë Engjëll Zeqaj, ish-zëvendësdrejtor i Korporatës Elektroenergjetike Shqiptare. Zeqaj vjen në krye të KESH-it në një moment kur sektori i energjetikës në vend ka marrë një rëndësi primare nga ana e Qeverisë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›