E Diel, 1 Nëntor 2026

Parlamenti miraton ligjin e akcizave



Pavarësisht kërkesës së opozitës për ta kthyer në komision ligjin e akcizave, Parlamenti ka "nxituar" ta kalojë ditën e djeshme këtë projektligj. Ligji u miratua me një sërë ndryshimesh të vogla, që lidhen me heqjen e akcizës për ujin dhe lëngjet e frutave, propozim i bërë ky nga deputeti Shefedin Shehu gjatë diskutimit në Komisionin e Ekonomisë. Ndërkohë që sa i përket heqjes së akcizës për produktet e ashtuquajtura të "luksit", parfumeria dhe kozmetika që propozohej në ligj, ato u miratuan pa ndryshime. Interesimi më i madh i deputetëve gjatë seancës së djeshme në Parlament ka qenë lidhur me impaktin e këtij ligji, i cili nga Ministri Bode është vlerësuar si shumë i rëndësishëm. Kreu i Financave u shpreh se ndikimi në buxhet i këtij ligji do të jetë më pak se një miliard lekë, ndërsa ajo që vlen të përmendet është efekti pozitiv që do të japë në mjedis. Produktet, të cilat preken nga akciza në këtë ligj dhe që kanë impakt në ambient janë gomat, fishekzjarrët, bateritë, filat, por sidomos ambalazhet. Për këto të fundit projektligji parashikonte edhe rimbursimin. "Për ambalazhet e plastikës, qelqit apo të përziera, të përdorura si lëndë e parë e industrive vendëse të riciklimit të këtyre materialeve u rimbursohet 50 për qind e akcizës së paguar për këto ambalazhe, sipas sasisë, kushteve dhe procedurave të përcaktuara", thuhet në ligj. Në total ndryshimet në ligjin për akcizat propozuar nga Ministria e Financave parashikohet që të kenë një efekt pozitiv me rreth katër miliardë lekë pa përfshirë këtu edhe 20 për qind të TVSH-së, çka shton këtë efekt me 800 milionë lekë.

Akcizat

Ambalazhet:

Plastik i ri 100 lekë/kg

Qelqi i ri 10 lekë/kg

Plasmas

përdorur 200 lekë/kg

Qelq përdorur 20 lekë/kg

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›