E Diel, 1 Nëntor 2026

Vullnet Topalli: Moti i keq, si po i monitorojmë rrugët në 24 orë

Qarkullimi ka rritur shërbimet duke bërë monitorim të trafikut në 24 orë. Vullnet Topalli, kreu i Policisë së Qarkullimit për gjithë vendin, tregon për gazetën “Standard” situatën në tërë territorin, thirrjen për drejtuesit e automjeteve si dhe masat e marra nga Policia Rrugore për të parandaluar aksidentet.

Si është situata në akset rrugore tani pas reshjeve të borës dhe ngricave?

Shërbimet tona po monitorojnë 24 orë. Është detyrë e Policisë Rrugore kur ka situata të tilla, kur ka borë, pemë të rëna, apo probleme që nuk duhet lejojnë qarkullim të lirshëm, të jetë prezente për t’u bërë të ditur drejtuesve të mjetit të kenë kujdes. Policia rrugore ka monitoruar në gjithë vendin situatën e rrugëve dhe orientimi ka qenë që drejtuesit e mjeteve të ecin me zinxhirë, apo me ngadalë në akse të ndryshme. Problematike kanë qenë rruga Përmet – Tepelenë, Gjirokastër – Sarandë, Sarandë – Vlorë tek Qafa e Llogorasë si dhe aksi Tiranë – Elbasan në Qafë-Kërrabë.

Mund të na tregoni për projektin e pajisjeve me kamera ne rrugë?

Do të vendosen kamera vëzhguese për rrugët. Si fillim do të përdoren për Tiranën. Drejtuesit e mjeteve duke qenë se do të jenë të vëzhguar do të jenë edhe me të kujdesshëm. Kamerat do na sigurojnë të dhëna për çdo kundravajtës rrugorë. Bëhet fjalë për një fond prej 310 milionë lekë, i cili do të përdoret për kamerat që do të monitorojnë 24 orë rrugët e Tiranës. Këto kamera do të kontrollojnë veprimtaritë kriminale, do të shërbejnë për ruajtjen e rendit dhe qetësisë por po ashtu do të përdoren edhe për Policinë Rrugore.

A po funksionon projekti me radar?

Projekti me radar po funksionon dhe ka dhënë rezultate të befasueshme. Në Policinë Rrugore kemi një fond për të blerë 4 aparatura moderne të fjalës fundit, që janë për kontrollin dhe monitorimin në rrugë.

Si çdo vit, fluksi i emigrantëve për festat e fundvitit sjell dhe kaos në qarkullimin rrugor. Ju çfarë masash keni marrë për të shmangur bllokimet e rrugëve, por edhe për të reduktuar numrin e aksidenteve?

Këtë fundvit pritet të ketë fluks të madh emigrantësh që do të festojnë në Shqipëri dhe si rezultat do të ketë edhe rritje të numrit të automjeteve. Nisur dhe nga situate për shkak të motit, Policia Rrugore ka përgatitur një plan masash emergjent për t’u përballur me një situatë jo të zakonshme. Ne si Polici e Qarkullimit do të bashkërendojmë punën me policinë vendore në çdo rajon. Policia do të jetë në kryqëzimet kryesore dhe në akset kryesore, do të ketë orë shtesë për punonjësit e policisë nga data 20 deri në datën 5 janar, për të mbajtur situatën në kontroll.

Cila është thirrja që ju si drejtues i Policisë së Qarkullimit do t’u bëni drejtuesve të automjeteve?

Thirrja ime është për drejtuesit e mjeteve që përdorin rrugën dhe ku nuk ka prezencë të policisë, duhet të jenë të kujdesshëm, të ulin shpejtësinë, të përdorin rripin, të mos përdorin alkool dhe të mbajnë më vetë zinxhirë për t’i paraprirë çdo situate.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›