Autori do të digjte shtëpinë, ekzekuton komshiun pse ndërhyri
Një ngjarje e rëndë ka ndodhur mesditën e djeshme në lagjen “Kadri Qytri” të qytetit të Lushnjës, ku plumbat e dalë nga një armë zjarri i kanë marrë jetën një personi. Maksim Gjermeni, që me siguri po kalonte një krizë psikike, në ato momente ka zbrazur armën e tij, tip “Kallashnikov”, mbi komshiun e tij, Fehmi Koçi, 55 vjeç. Vrasja, sipas dëshmitarëve, ka ardhur pasi viktima kishte ndërhyrë duke tentuar që të ndalonte Gjermenin që t’i vinte flakën shtëpisë. Ky ka qenë edhe shkaku që pak çaste më vonë, autori i dyshuar i ngjarjes ka marrë armën që e zotëronte pa leje, duke ia drejtuar fqinjit të tij, Fehmi Koçi. I gjendur ndoshta në një gjendje të rëndë depresioni, Gjermeni ka qëlluar mbi komshiun që nuk e la që ai t’i vinte zjarrin banesës së tij. Policia kriminale e komisariatit të Lushnjës, mbasi ka marrë njoftimin se një person po përpiqej që t’i vinte zjarrin shtëpisë së tij, është nisur menjëherë. Por, kur policia ka mbërritur në vendngjarje, vrasja kishte ndodhur dhe autori ishte larguar nga vendi i ngjarjes, çdo gjë kishte marrë fund brenda pak minutash. Pas ngjarjes së shëmtuar policia është vënë në kërkim të 51-vjeçarit Gjermeni, duke e gjetur atë shumë pranë vendit ku ndodhi krimi. Sipas burimeve zyrtare të policisë, Maksim Gjermeni, në gjendje të dehur, ka qëlluar me automatik mbi komshiun e tij, Fehmi Koçi. Pak orë pas vrasjes policia ka bërë të mundur arrestimin e autorit Maksim Gjermeni, 51 vjeç, ndërkohë që ekspertët e policisë thonë se momentin e prangosjes ai ishte jashtë realitetit, në gjendje të dehur. Po sipas policisë, vrasësi ka qenë i armatosur. Në momentin e arrestimit atij i janë gjetur në xhep edhe dy bomba dore bashkë me kallashnikovin që i kishte marrë jetën 55-vjeçarit Fehmi Koçi. Në vendngjarje ka qenë edhe zjarrfikësja, e cila ka bërë të mundur shuarjen e flakëve. Burime nga policia bëjnë të ditur se gjatë kontrollit që i është bërë banesës së vrasësit, pas shuarjes së flakëve, janë gjendur edhe armë të tjera.