Drejt lirisë, pak humor me Erand Sojlin
Rikthehet One man show në skenën e Teatrit të MetropolitEdhe në ditët e fundit të muajit dhjetor skena e Teatrit të Metropolit vijon të ofrojë shfaqje për publikun, i cili gjatë këtyre ditëve nuk ka munguar në sallën e tij. I krijuar për ti ofruar diçka ndryshe publikut, ky institucion me veprat e tij vijon të sjellë në skenë emra të njohur regjisorësh dhe aktorësh, të cilët mirëpriten nga publiku. Në kuadër të veprave që janë vënë në skenën e tij, gjinia e teatrit One man show u eksperimentua për herë të parë gjatë muajit maj,
ku suksesi i show-man-it Arian Çani tregoi se kjo gjini mund të jetë e suksesshme edhe në Shqipëri. E ndërkohë që rikthehet sërisht ky koncept i këtij teatri, në këtë fundvit, në sallën e Teatrit të Metropolit, me veprën e shkruar nga Erand Sojli Drejt lirisë. Me regji nga Robert Budina, aktori i njohur i humorit Erand Sojli do të tentojë të provojë këtë gjini teatrore, që mbetet e prirur drejt humorit dhe satirës, në një ndërveprim të aktorit me spektatorin e sallës. Drejt lirisë, e shkruar me një ironi të hollë tregon përpjekjet e shqiptarëve gjatë këtyre 20 viteve të fundit 20 viteve për të fituar lirinë. Çfarë është jeta jonë në këto vite tranzicioni. Film, telenovelë, apo përrallë? Teksti sjell në këtë vepër satiriko-komike një situatë me disa personazhe, të cilët kërkojnë të largohen jashtë vendit, peripecitë e tyre për tu pajisur me vizë, vështirësitë e udhëtimit, etj. Në mbërritjen në vendin e huaj shpaloset realiteti i ri, i ndryshëm nga të gjitha përfytyrimet e tyre, me të cilin ata duhet të përshtaten dhe të integrohen. Mosarritja e qëllimit i çon personazhet drejt kthimit në atdhe. Shkruar nga Erand Sojli, ky tekst heq paralele të rëndësishme me përrallën e kecave dhe ujkut, ku të mirët dhe të këqijtë janë të ndarë dhe të përcaktuar qartë që në fillim të shfaqjes. Kthimi në vendin e origjinës është një moment tjetër i vështirë, ku personazheve u duhet të përballen me riidentifikimin e personalitetit dhe rivendosjen e ekuilibrave në jetët e tyre. Materiali është interesant për publikun, sepse idetë vetëm vendosen dhe zhvillohen gjatë interpretimit nga Erand Sojli, ndërsa ka një ndërveprim me publikun, për të arritur qëllimin final, që mbetet argëtimi, nëpërmjet humorit dhe autoironisë. Secilit spektator i jepet një rol dhe ka një përshtatje edhe me sallën, e cila duke qenë tepër intime e bën akoma më të afërt këtë raport. Pjesa nis me shumë humor , mbarset dhe mbyllet me shumë emocion. Me fjalë të thjeshta thuhen të vërtetat e forta të jetës. Publiku merr gjatë 90 minutave atë mesazh që do ti jepnin qindra romane për tu lexuar. Sipas organizatorëve pjesa është e ndërtuar me shumë fantazi që të surprizon dhe në çdo moment e kap publikun në befasi. Kjo vepër do të vijë pikërisht në ditët e fundit të këtij muaji,duke sjellë për publikun argëtim dhe humor në këtë fundviti. E sigurisht që dhe emrat realizues si regjisori Robert Budina dhe aktori Erand Sojli premtojnë për një shfaqje të bukur në skenën e TM. Premiera do të shfaqet nesër dhe në datën 30 dhjetor në Teatrin e Metropolit. Organizatorët bëjnë të ditur se pas shfaqjes premierë në skenën e TM, më pas shfaqja Drejt lirisë do të udhëtojë në një turne nëpër Shqipëri , por ata pohojnë se ajo do të udhëtojë dhe në Kosovë dhe Maqedoni. E ndërkohë për të gjithë ata që nuk do të kenë mundësi ta ndjekin këtë vepër këto ditë në skenën e TM, Vepra satiriko-komike në stilin e One man show-t do të rikthehet për publikun në muajin shkurt të vitit 2010. Ndërkohë që Erand Sojli është i njohur dhe për vepra të tjera të suksesshme që janë vënë dhe në qytetin Elbasanit, në tetarin Skampa. Para disa kohësh Pallati i grave ka qenë shfaqja më e re e vënë në skenën e teatrit Skampa nga Erand Sojli. Komedia gazmore është pritur mirë nga publiku, i cili ka mbushur sallën e teatrit të Elbasanit. Komedia gazmore ku nuk mungoi humori i dëlirë, sarkazma apo dhe grotesku artistik, ceku aktualitetin e marrëdhënieve bashkëshortore, ku në epiqendër të pjesës, Sojli ka vënë tre çifte nga qyteti i Elbasanit dhe rrethinat duke goditur në stereotipat e familjeve elbasanase, përzier me mentalitetin dhe ironinë fshatare. Kush mbetet primare në familje, gruaja apo burri? Kjo mbetet pyetja retorike në komedinë në fjalë ku herë-herë burri e herë-herë gruaja, në dyluftim me njëri-tjetrin për të pasur timonin e drejtimit të një familjeje në të gjitha sferat jetike. Duke përzgjedhur artorët më të mirë, si Ilmi Belashaku, Salsano Rrapi, po ashtu pjesë e spektaklit Portokalli e të tjerë, trupa arrin të luajë në harmoni të plotë brenda karaktereve të secilit aktor. Muzika e kompozitorit Edmond Rrapi dhe skenografia e Fatbardh Markut ruajnë sërish duetin e kërkuar prej Sojlit , i cili vetë në aktorin kryesor dhe vetë në regjisorë. E ndërkohë që një sukses të tillë aktori pret ta marri dhe në skenën e TM.
One man shoë: Drejt lirisëRegjia: Robert BudinaTeksti e interpretimi: Erand SojliSkenografia e vizatime: Artur MuharremiNga Julia Vrapi