Drejt lirisë mirëpritet në skenën e Teatrit të Metropolit
Aktori i njohur i humorit Erand Sojli ka korrur suksesin e tij të radhës në skenën e Teatrit të Metropolit. Me veprën e shkruar nga vetë ai, Drejt lirisë dhe me regji nga Robert Budina, aktori i njohur i humorit Erand Sojli provoi një gjini tjetër teatrore, që mbetet e prirur drejt humorit dhe satirës, në një ndërveprim të aktorit me spektatorin e sallës. Drejt lirisë, e shkruar me një ironi të hollë tregon përpjekjet e shqiptarëve gjatë këtyre 20 viteve të fundit 20
viteve për të fituar lirinë. Çfarë është jeta jonë në këto vite tranzicioni. Film, telenovelë, apo përrallë? Teksti sjell në këtë vepër satiriko-komike një situatë me disa personazhe, të cilët kërkojnë të largohen jashtë vendit, peripecitë e tyre për tu pajisur me vizë, vështirësitë e udhëtimit, etj. Në mbërritjen në vendin e huaj shpaloset realiteti i ri, i ndryshëm nga të gjitha përfytyrimet e tyre, me të cilin ata duhet të përshtaten dhe të integrohen. Mosarritja e qëllimit i çon personazhet drejt kthimit në atdhe. Shkruar nga Erand Sojli, ky tekst heq paralele të rëndësishme me përrallën e kecave dhe ujkut, ku të mirët dhe të këqijtë janë të ndarë dhe të përcaktuar qartë që në fillim të shfaqjes. Kthimi në vendin e origjinës është një moment tjetër i vështirë, ku personazheve u duhet të përballen me riidentifikimin e personalitetit dhe rivendosjen e ekuilibrave në jetët e tyre. Materiali është interesant për publikun, sepse idetë vetëm vendosen dhe zhvillohen gjatë interpretimit nga Erand Sojli, ndërsa ka një ndërveprim me publikun, për të arritur qëllimin final, që mbetet argëtimi, nëpërmjet humorit dhe autoironisë. Secilit spektator i jepet një rol dhe ka një përshtatje edhe me sallën, e cila duke qenë tepër intime e bën akoma më të afërt këtë raport. Pjesa nis me shumë humor , mbarset dhe mbyllet me shumë emocion. Me fjalë të thjeshta thuhen të vërtetat e forta të jetës. Publiku merr gjatë 90 minutave atë mesazh që do ti jepnin qindra romane për tu lexuar. Sipas organizatorëve pjesa është e ndërtuar me shumë fantazi që të surprizon dhe në çdo moment e kap publikun në befasi. Kjo vepër erdhi pikërisht në ditët e fundit vitit 2009, duke sjellë për publikun argëtim dhe humor në këtë fundviti. E sigurisht që dhe emrat realizues si regjisori Robert Budina dhe aktori Erand Sojli premtonin për një shfaqje të bukur në skenën e TM. Premiera e cila u shfaq në datat 29- 30 dhjetor në Teatrin e Metropolit do të udhëtojë në një turne nëpër Shqipëri, por ajo do të udhëtojë dhe në Kosovë dhe Maqedoni. E ndërkohë për të gjithë ata që nuk do të kenë mundësi ta ndjekin këtë vepër këto ditë në skenën e TM, Vepra satiriko-komike në stilin e One man show-t do të rikthehet për publikun në muajin shkurt. Ndërkohë që Erand Sojli është i njohur dhe për vepra të tjera të suksesshme që janë vënë dhe në qytetin Elbasanit, në tetarin Skampa.