TKOB, një kalendar artistik me artistë të operës
Teatri Kombëtar i Operës dhe Baletit, komunikimin me mediat dhe publikun për këtë vit e mbylli përmes portreteve të artistëve të tij. Fotot e grimieres së këtij institucioni Bebeka Alla bërë artistëve në petkat e personazheve, që ata kanë ngjitur në skenë do të shoqërojnë vitin e publikut. Publikimi i këtij kalendari që është mbështetur nga Teatri i Operës dhe Baletit ka qenë edhe një rast i mirë që artistët së bashku me drejtorin e operës z. Zhani Ciko ti japin dhe
një urim publikut dhe medias që i ka mbështetur dhe duartrokitur gjatë këtij viti që po lëmë pas. Bebeka Alla është zëri i heshtur i çdo shfaqjeje artistike operistike, ku prej më se 20 vitesh shumë artistë mbajnë firmën e shndërrimit të saj skenik dhe portretet e krijuara prej saj janë mirëpritur dhe janë duartrokitur nga mijëra spektatore. Të sjellë në një krijim artistik të portretit, 16 artistët do të jenë protagonistë të kalendarit 2010, që TKOB ka vendosur tua bëjë dhuratë në këtë fundvit të gjithë adhuruesve të skenës operistike. Pa vetëmburrje mund të themi se ky institucion ka shfrytëzuar maksimalisht potencialet e tij krijuese duke afruar spektatorin dhe duke sjellë gjithmonë e në rritje shfaqje me nivel të lartë artistik gjatë gjithë 50-vjeçarit të vet. Këtë e tregon edhe pjesëmarrja e artistëve të huaj në skenën tonë. Opera mbetet shtëpia jonë e përbashkët, ku integrimi me artin bashkëkohor mbetet një synim dhe ambicie e jona- u shpreh në këtë promovim drejtori Ciko. Përveç të tjerash ky institucion i ka dhuruar publikut të tjera premiera të autorëve të njohur botërorë, shfaqje të ndryshme si dhe koncerte jubilare, në të cilat kanë qenë të pranishëm artistë vendas e të huaj, përfshi këtu edhe ata që kthehen nga jashtë në skenën shqiptare. Kështu, muzikali i titulluar Porgy and Bess, nga G. Gershwin ka ardhur tepër i veçantë në skenën shqiptare dhe i ka dhuruar emocione të veçanta spektatorit në skenë. E veçanta e kësaj shfaqjeje është se ajo erdhi e realizuar si një bashkëpunim shqiptaro-amerikan, pra përveç trupës së aktorëve vendas në të ishin të ftuar edhe një kastë artistësh amerikanë. Por sezoni sigurisht që ka vijuar edhe me të tjera shfaqje e koncerte, që kanë gjallëruar jetën kulturore të artdashësve shqiptarë. Kështu, në datat 30 e 31 tetor dhe 1 e 2 nëntor në skenën e TKOB është ngjitur një show koreografik, i titulluar Tirana by night, balet i realizuar nën kujdesin e koreografëve të njohur Sukniqi e Dergjini, të cilët kanë përshtatur në këtë mënyrë në një balet mbresëlënës, një novelë nga tranzicioni