E Diel, 1 Nëntor 2026

Drejt ngadhënjimit shpirtëror



Nga Azgan Haklaj

Vite më parë, kur mua mu kërkua të drejtoja Unionin Artistik të Kombit Shqiptar nga një sërë personalitetesh të artit dhe të kulturës sonë kombëtare, të them të vërtetën sundohesha nga një frymë skeptike për faktin e vetëm se komercializmi i natyrshëm i këtyre viteve më shumë se kushdo ka intervenuar dhe dëmtuar kulturën dhe artin. Dhjetëra shoqata dhe asosacione kulturore që pranuan unifikimin në Unionin Artistik të Kombit Shqiptar vinin nga e gjithë gjeografia nacionale-shqiptare dhe adaptimi në Union nuk ishte i lehtë, por gjithsesi përcolli një risi. U desh shumë pak kohë që Unioni më shumë se një grupim artistik të shihet si një institucion mbarëshqiptar i artit dhe i kulturës. “Sofra dardane” me të cilin Unioni Artistik i Kombit Shqiptar, startoi 6 vite më parë u pasua nga dhjetëra aktivitete të tjera nga jugu në veri, nga Ferizaj në Vlorë, nga Tuzi në Çamëri, nga Tetova në Shkodër. “Festivali i Këngës dhe Valles Çame”, “Festivali Ndërkombëtar “Bylis-Fonia” janë tashmë përkrah “Sofrës Dardane”, traditë e përvitshme që mbledh mijëra spektatorë nga vendi dhe të gjitha trevat tona kombëtare. Po ashtu Unioni ka shkelur në të gjithë trevat si në Kosovë, Mal i Zi, Maqedoni, Greqi ku ndodhen bashkë qytetarët shqiptarë. Kudo kemi mbushur sheshe dhe salla me koncerte falas, duke përcjellë mesazhin e naltë të bashkimit shpirtëror të kombit tonë. Nga sheshi “Skënderbej” startuan drejt qendrave më me zë të trojeve tona megakoncerte si “Një komb një qëndrim” etj. Unioni ynë ka tre vite që mban peshën reale në aktivitetet që Ministritë e Kulturës respektive bëjnë në muajt Maj-Qershor, të shpallur si muajt e kulturës Kosovë-Shqipëri. Kjo rrugë nuk ka qenë e lehtë. Përveç një ndërgjegjësimi të vetë artistëve tanë, ne kemi pasur suportin moral e financiar të Ministrisë së Kulturës, Turizmit, Rinisë dhe Sporteve. Për këtë arsye, ne dhe shumë aktivitete artistike me larmi të madhe i kemi adaptuar në kohë që të përcjellim hapjen e sezoneve si në Bregdet dhe në Veri. Gjatë kësaj periudhe janë organizuar koncerte dhe shou të veçantë si “Krishtlindjen Shkodrane” apo “Logu i Bjeshkëve”. Po ashtu janë gati për tu përcjellë publikut koncerte jubilare e përkujtimore në vlerësim të kontributit artistik të personaliteteve të shquara të skenës. Konkretisht do zhvillohet në Shkodër aktiviteti i titulluar “40 vjet në skenë”, kushtuar këngëtares Violeta Zefi. “Një shekull në shërbim të kombit” do të jetë një tjetër aktivitet i pritshëm, kushtuar Artistit të Popullit Azis Ndreu, në bashkëpunim me shoqatën “Bashkësia Dibrane”. Ky aktivitet intensiv i Unionit ka ndikuar në sensibilizimin kombëtar e ndërkombëtar për Pavarësinë e Kosovës dhe integrimin e vendit tonë në organizatat Euro-Atlantike. Jo më kot thuhet rëndom se aty ku nganjëherë, nuk intervenon politika e diplomacia futet lehtësisht arti. Kjo sentencë na ka shtyrë jo pak në punën tonë. Realisht duhet thënë siç theksova më lart, është e vështirë të bësh art në këtë kohë komercializmi, e për më tepër t’i qasesh folklorit dhe traditës. Mirëpo lidhja e veçantë që Unioni ka krijuar me institucionet shtetërore si dhe ato lokale ka bërë që ne ti përballojmë ato, jo vetëm artistikisht por edhe financiarisht. Edhe njëherë gjej rast falënderimi në emër të gjithë komunitetit të artistëve të MKTRS, bashkive Bajram Curri, Sarandë, Fier, Ballsh, Elbasan, Mallakastër si dhe Prefekturës Fier. Rasti i tyre tregon se kur ekziston vullneti dhe vlerësimi gjenden mundësi për zhvillimin e artit e të kulturës. Siç e theksova në muajt Maj-Qershor, si muajt e kulturës Kosovë-Shqipëri, një sërë aktivitetesh nën kujdesin e kryeministrave Berisha-Thaçi dhe të dy ministrave të kulturës do të zhvillohen në Tiranë dhe Prishtinë. Unioni do të ketë vendin dhe peshën e vet artistike në këtë eveniment. Për më tepër, sivjet kjo ngjarje artistike merr rëndësi e emocion të veçantë, pasi jemi në vitin e parë të realizimit të Pavarësisë së Kosovës. Duke përfunduar këto radhë desha të falënderoj mbështetësit, spektatorët, komunitetin e biznesit për ndihmën në vazhdimësi që i kanë dhënë Unionit Artistik të Kombit Shqiptar. Një falënderim i veçantë ju takon artistëve që kontribuuan në Union këto 6 vite dhe dhuruan Art, dhe përcollën me kulturë e talent artistik mesazhe të fuqishme nacionale. Me kontributin e tyre tashmë Unioni Artistik i Kombit Shqiptar është shndërruar në një shkollë kombëtare artistike. Dyert e Unionit kanë qenë dhe ngelen të hapura për të gjithë talentet shqiptare. Drejtuesit e Unionit Artistik të Kombit Shqiptar i kuptojnë shumë mirë si globalizmin, aq edhe proceset integruese, mirëpo janë të sigurt se në këto procese çdo komb ruan fizionominë e vetë nacionale. Dhe në fizionominë e një kombi vend parësor pas gjuhës ka kultura, dhe arti i tij. Përveç elaborimit të artit dhe folkut të pasur të kombit tonë, Unioni Artistik i Kombit Shqiptar ka synuar të shëndoshë këtë art nga ndërhyrje jo të pakta dhe deformuese që dita-ditës duken deri në ekrane televizive. Të ndash modernen nga degradimi është dhe do të ngelet një objektiv themeltar i Unionit Artistik të Kombit Shqiptar.

1 Maj 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›