Drejt përfundimit ndërtimi i ujësjellësit të Rajcës në Elbasan

Me një fond prej rreth 34.8 milionë lekësh, të akorduara nga qeveria shqiptare, po shkojnë drejt përfundimit punimet për ndërtimin e ujësjellësit të komunës së Rajcës, në rrethin e Elbasanit, me një gjatësi lineare prej 1599 metra. Ndërtimi i këtij ujësjellësi është një nga investimet më serioze që është bërë në këto vite në komunën e Rajcës, ku përfishet sistemimi dhe vendosja e tubave të ujit të pijshëm deri në tunelin e Qafë Thanës. Kryetari i komunës së Rajcës, Selaudin Bogdani, tha se “fondet për këtë investim mjaft të rëndësishëm janë dhënë nga qeveria shqiptare, dhe tashmë ujësjellësi është thuajse në përfundim". Sipas tij, me këtë investim zgjidhet një herë e mirë problemi i furnizimit me ujë të pijshëm për banorët e kësaj komune. Komuna Rajcë përbëhet nga shtatë fshatra, Rajcë, Sutaj, Bardhaj, Skënderbe, Urakë, Kotodesh dhe Katjel. Prania e burimeve me prurje të mëdha të ujit të pijshëm si dhe niveli i ujrave frestike (nëntokësore) përbëjnë premisa të mira për investime në drejtim të investimeve dhe zhvillimit të mëtejshëm të bujqësisë, blegtorisë dhe ekonomisë në tërësi në këtë komunë, e cila ka tradita të lashta arsimdashëse, kulturore e folklorike. Komuna e Rajcës ka klimë me pranverë të lagësht, verë të thatë e të nxehtë dhe dimër të ashpër, ku trashësia e dëborës në fshatrat malore si Skënderbe dhe Bardhaj arrin në 1.5 metra.
...