E Shtunë, 31 Tetor 2026

Drejt përfundimit urat e mëdha të autostradës

Segmenti Kukës-Morin i autostradës
Durrës-Prishtinë
ndodhet në fazën përfundimtare.
Pas asfaltimit të trasesë në katër
korsi nga Përbregu në Morin në
gjatësinë prej 9 km edhe ndërtimi
i urave të këtij segmenti ka ecur
paralelisht. Kanë përfunduar prej
gati tre muajsh 5 nga 7 urat e këtij
segmenti ku po punon kompania
maqedonase "Granit", ndërsa në
dy urat e tjera, nga më të mëdhatë
e krejt autostradës, po hidhen
trarët. Kompania "Granit" aktualisht
po merret me montimin e
urës mbi lumin Luma, 59 metra
e lartë dhe mbi 400 m e gjatë që
ndodhet në Rexhepaj, 5 km larg
qytetit të Kukësit. Edhe për urën
tjetër në fshatin Breglum është
gjithçka gati për të montuar trarët
dhe për ta përfunduar kështu
krejt aksin nga Kukësi në Morin.
Drejtues të kompanisë thonë se
inaugurimi i tyre do të bëhet në
fund të muajit qershor, që do
përkojë edhe me inaugurimin e
krejt autostradës nga Rrësheni
në Morin. Segmenti i autostradës
Kukës-Morin shkurton me një të
tretën gjatësinë e rrugës së vjetër
prej 24 km nga Kukësi në Doganën
e Morinit. Nga ana tjetër,
në Vërmicë, qeveria e Kosovës
ka nisur të përvijojë trasenë
e autostradës nga Vërmica në
Prishtinë. Dy muaj më herët,
qeveria "Thaçi" ka realizuar
shpronësimin nga Vërmica deri
në Prizren, ndërsa po punon, siç
mësohet nga burime të Prishtinës,
për nisjen sa më shpejt
të punimeve për ndërtimin e
trasesë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›