E Shtunë, 31 Tetor 2026

Durrës-Kukës, gjykata "harron" vendimin

Gjykata e Lartë ka "harruar"
zbardhjen e vendimit të
Gjykatës së Lartë, e cila i
konsideroi kërkesat e deputetit
Lulzim Basha në Gjykatën e Shkallës
së Parë, si antikushtetuese,
ndërsa i hapi rrugën organit të
akuzës për të kërkuar rishikimin
e vendimit. Por, neglizhenca e
gjykatësve supremë në Shqipëri
ka zvarritur kërkesën e prokurorisë
në Gjykatën e Lartë. Burime
zyrtare nga Prokuroria e Përgjithshme
thanë se ditën e djeshme ka
përfunduar afati zyrtar i zbardhjes
së vendimit. Në zyrën e Prokurorit
të Përgjithshëm nuk ka mbërritur
asnjë shpallje vendimi, çka do
të "detyronte" dy prokurorët e
Durrës-Kukës, Artur Selmani dhe
Arben Krajën që të kërkojnë në
Gjykatën Supreme rishikimin e
vendimit që shpalli të "pafajshëm"
shtetasit Lulzim Basha dhe Andi
Toma për aferën 230 milionë euro.
Zbardhja e vendimit
Prokuroria e Përgjithshme
tha dje për gazetën se vendimi
i Gjykatës së Lartë, që i dha të
drejtë për herë të parë organit të
prokurorisë, nuk është zbardhur,
duke kaluar afatet kohore të sanksionuara
në ligj. Sipas prokurorisë,
ky veprim mund të ketë pasoja
procedurale në kërkesat e dy përfaqësuesve
të prokurorisë për rishikimin
e vendimit. "Megjithëse
kanë kaluar rreth 30 ditë nga
shpallja e vendimit, në zyrën e
Prokurorit të Përgjithshëm nuk ka
mbërritur asnjë vendim i zbardhur",
thanë burimet nga akuza
qendrore, duke shtuar se kanë
përgatitur kërkesën për rishikim
të vendimit. Gazeta kontaktoi me
zëdhënësen e Gjykatës së Lartë,
Ida Vodica, e cila saktësoi se vendimi
nuk është zbardhur, ndërsa
nuk kishte asnjë dijeni për afatet
kohore apo problemet që mund t‘i
shfaqte ky fakt organit të akuzës.
Ajo tha zyrtarisht se në faqen e
internetit të Gjykatës së Lartë nuk
ka asnjë vendim të zbardhur.
Gjyqtarët në "emigrim"
Tejkalimi i afatit kohor i
Gjykatës së Lartë për zbardhjen e
vendimit, që i dha të drejtë organit
të akuzës, lidhet me "emigrimin"
jashtë Shqipërisë të disa anëtarëve
të gjykatës. Burime konfidenciale
nga Gjykata Supreme thanë
se vendimi përfundimtar ende
nuk është fi rmosur nga të gjithë
anëtarët, çka ka sjellë edhe vonesat
në zbardhjen e tij. Mësohet se
pas vendimit të datës 29 dhe 30
prill, Gjykata e Lartë do të deklaronte
zyrtarisht se vendimi do të
zbardhej javën e parë të muajit
maj. Megjithëse jemi në ditët e
fundit të këtij muaji dhe ende nuk
është arritur që materiali të hidhet
në faqen e internetit, nga ku më
pas do të përdoret prej organit të
akuzës për kërkesat në Gjykatën
e Lartë.
Vendimi i përfolur
Në datat 29 dhe 30 prill, Gjykata
e Lartë i rrëzoi të gjitha kalkulimet
procedurale të deputetit
dhe ministrit Lulzim Basha për
t‘i shpëtuar ndjekjes penale për
dëmin 230 milionë euro, shkaktuar
gjatë ndërtimit të rrugës
Durrës-Kukës. Kur duhej edhe një
vendim i fundit, për të arkivuar
në sirtar vetëm me procedura
ligjore dhe jo me shqyrtime akuzash
një nga dosjet e abuzimit
me pushtetin, drejtësia korrigjoi
vetveten. Kolegji Penal i Gjykatës
së Lartë vendosi të rrëzojë dy
vendimet gjyqësore që i dhanë të
drejtë Lulzim Bashës të shpallej
i "pafajshëm" për abuzimet e
dosjes Durrës-Kukës. Gjykata
Supreme tha se vendimi i gjyqtares
së Shkallës së Parë, Fatmira
Hajdari, dhe lënia në fuqi e këtij
vendimi nga Gjykata e Apelit,
janë të pavlefshme dhe për këtë
qëllim duhet të rrëzohen. Por nuk
janë shprehur për dy vendimet e
tjera të Gjykatës së Lartë për këtë
çështje, pasi ligji nuk ua lejon.
Për këtë, ndoshta mund të vendosë
një kërkesë e prokurorisë
për rishikimin e vendimit, e cila
do të depozitohet në Gjykatën
Supreme. "Vendimi numër 1623
i Gjykatës së Tiranës dhe vendimi
numër 21, i datës 2 shkurt të këtij
viti i Gjykatës së Apelit, Tiranë,
që pranuan kërkesën e shtetasit
Lulzim Basha, për pavlefshmëri
absolute të akteve hetimore dhe
procedurale të dosjes ‘Durrës-
Kukës‘, kanë shkelur rëndë rendin
kushtetues", thuhej në vendim,
duke shtuar se "Gjykata e Lartë
regjistroi kërkesën e personit nën
hetim, Lulzim Basha, me numër
70 dhe pasi verifi koi kërkesat e
palëve në proces në datat 29 dhe
30 prill, vendosi se dy vendimet e
mëparshme për këtë kërkesë, në
Shkallën e Parë dhe në Shkallën
e Apelit duhet të prishen, pasi
cenojnë hapur nenin 141 të Kushtetutës
së Shqipërisë", thuhej në
vendim.

Do kërkojmë rishikim të vendimit

Sipas prokurorisë, Gjykata Supreme ka vepruar për
herë të parë në mënyrë të drejtë, duke i dhënë një shembull
pozitiv praktikave gjyqësore të çështjeve të tjera
që janë në duart e prokurorisë. Pas vendimit të Kolegjit
Penal, grupi hetimor i dosjes "Durrës-Kukës" po analizon
çdo procedurë ligjore, me qëllim plotësimin e kërkesës
që do të depozitohet në Gjykatën e Lartë për rishikimin
e vendimit. "Po presim zbardhjen e vendimit të datës 30
prill në Gjykatën e Lartë dhe më pas do të vendosim për
një kërkesë të mundshme që do të dërgojmë në këtë
gjykatë", thanë burimet zyrtare nga akuza qendrore.
Sipas tyre, është e rëndësishme që "drejtësia" u vu në
vend dhe një Kolegj Penal ka miratuar kërkesat e organit
të akuzës, të cilat kanë qenë gjithmonë në diskutim
në gjykatat shqiptare, madje në Gjykatën e Apelit, dy
gjyqtarë kanë dhënë dorëheqjen, pasi nuk pranonin të
vendosnin për "Bashën". Duke u bazuar te kreu i katërt
në Kodin e Procedurës Penale, prokurorët po analizojnë
të gjitha nenet që fl asin për një rishikim të vendimit, kur
për të njëjtën dosje ka disa vendime.

Mbrojtja: Kemi vendim të formës së prerë

Për mbrojtjen, vendimi i Gjykatës së Lartë që i dha
të drejtë prokurorisë është pa motiv, pasi për këtë
çështje ka një vendim të formës së prerë, madje nga
Gjykata e Lartë. Sipas tyre, vendimi i Kolegjit Penal, i kryesuar
nga relatori Spiro Spiro, është i formës së prerë dhe
për këtë qellim, gjykatat duhet të vendosin në favor të
mbrojtjes. Avokatët deklarojnë se në çështjen e themelit
kanë kërkuar rishikimin e akteve procedurale dhe ky
Kolegj Penal ka vendosur një herë dhe për avokatët kjo
do të thotë shumë, pasi klientët e tyre nuk kanë asnjë
akuzë mbi supe. Sipas tyre, ata nuk do të marrin asnjë
hap tjetër ligjor, pasi kanë disa vendime të gjykatave
shqiptare në favor të të mbrojturve prej tyre, çka do të
thotë se çështja është mbyllur dhe interpretimet ligjore
duhet të shërbejnë vetëm për jurisprudencën shqiptare.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›