PAA çel zyrtarisht fushatën elektorale
Partia Agrare Ambientaliste ka çelur dje zyrtarisht fushatën elektorale për zgjedhjet e 28 qershorit. Kryetari i kësaj partie, Lufter Xhuveli, u ka kërkuar votën shqiptarëve për të qeverisur së bashku me koalicionin "Aleanca për Ndryshim". Sipas tij, imazhi në rritje i vendit i jep të drejtën kësaj mazhorance në pushtet të kërkojë edhe një mandat të dytë qeverisës. "Ditën ku votuesit shqiptarë do t‘u drejtohen kutive të votimit për të vendosur se kush do ta qeverisë Shqipërinë në 4 vitet e ardhshme, për të vendosur nëse do të vazhdohet të ecet përpara me ritëm të shpejtë në rrugën e reformave, në rrugën e progresit dhe zhvillimit tonë europian, apo do të hallakatemi e zvarritemi në labirintet e përvojave herë të dështuara e herë të dyshimta të një qeverisjeje të cilën shqiptarët e kanë refuzuar tashmë qysh në zgjedhjet e vitit 2005", nënvizoi Xhuveli. Më tej ai theksoi se objektivi i PAA-së është të japë kontribut në pjesë të rëndësishme në fitoren e ardhshme. "Ne shkojmë në këto zgjedhje pas një mandati 4-vjeçar plotësisht të suksesshëm, dëshmuar e pranuar botërisht. Ngjarje madhore dhe e papërsëritshme është pranimi në NATO. Shqipëria është sot një vend më i zhvilluar, më i respektuar, me një imazh në rritje, që nuk e ka pasur ndonjëherë më parë", u shpreh Xhuveli. Çeljen e fushatës së PAA-së e ka përshëndetur edhe Kryeministri Berisha, nëpërmjet një mesazhi virtual, ku ka vlerësuar kontributin e dhënë nga PAA-ja dhe ka kërkuar votëbesimin edhe për katër vitet e ardhshme.