E Diel, 1 Nëntor 2026

Vidhet kabulli i energjisë, Shkodra mbetet në errësirë

Policia e Shkodrës ka organizuar operacionin “Unaza në errësirë” dhe bëri të mundur kapjen e dy vëllezërve dhe xhaxhait të tyre

SHKODËR Tre persona që dëmtonin e vidhnin pronën publike kanë rënë në prangat e policisë e ka kapur ato teksa merrnin kabull elektrik në unazën e qytetit. Operacioni policor, i koduar “Unaza në errësirë”, ka goditur një grup kriminal, i cili dyshohet të ketë kryer dëmtim të pasurisë publike, kryesisht vjedhje dhe dëmtim të sistemit elektrik. Dy vëllezërit Mirsad e Fatjet Dema, përkatësisht 30 dhe 33 vjeç, banues në lagjen “Salo Halili” dhe xhaxhai i tyre, Shpëtim Dema, banues në lagjen “Liria“, janë ndaluar në flagrancë rreth orës 03:20 të së dielës, në lagjen “Salo Halili” tek unaza e qytetit, teksa në bashkëpunim me njëri-tjetrin po vidhnin kabllon elektrik të asaj zone, duke dëmtuar kështu dhe ndriçimin e unazës së qytetit. Mësohet se policia ka pasur dyshime për aktivitetin e këtyre personave dhe prej një muaji, shërbimet e policisë kriminale kanë hetuar aktivitetin e tre të ndaluarve. Sipas policisë, dyshohet se këta tre persona, në kohë e vende të ndryshme, kanë kryer vjedhje të disa kabllove elektrikë duke dëmtuar sistemin elektrik në disa zona të qytetit të Shkodrës, kryesisht në lagjet ”Ahmet Haxhia“ dhe “Salo Halili” dhe duke lënë në errësirë segmente rrugore të tij.

Tre të afërmit Dema akuzohen për vjedhje të kryer në bashkëpunim dhe dëmtim të pronës publike me dashje. Dëmtimet e pronës publike, duke vjedhur për të shitur për skrap, kanë qenë të shpeshta në qytetin e Shkodrës. Mesnatën e së premtes është vjedhur kablli elektrik i ndriçimit në Unazën e Shkodrës në 9 kampata, ndërsa nuk kanë munguar dhe vjedhjet e shpeshta të kapakëve të pusetave, pjesëve metalike të linjës hekurudhore, etj. Një muaj më parë u dëmtua rrjeti i ndriçimit rrugor të dy rrugëve, në rajonet 1 dhe 5, në qytetin e Shkodrës, duke prerë dhe vjedhur kabullin nëntokësor të ndriçuesve rrugorë, në një gjatësi totale prej 600 metrash linearë. Për pasojë mbetën në errësirë rruga “Karvanej”, si dhe rruga e “Tepes”, ku pasi kanë dëmtuar kapakët e pusetave, kanë prerë dhe u vodhën kabllot e këtyre rrugëve.

Vjedhja e kapakëve prej gize të pusetave, është shqetësues në akset kryesore të rrugëve, e kryesisht në unazën perëndimore të qytetit të Shkodrës. Sipas burimeve zyrtare të Bashkisë Shkodër, e cila ka apeluar disa herë lidhur me këto fenomene, në unazë rezultojnë të jenë vjedhur 10 kapakë pusetash, të cilat edhe pse janë zëvendësuar 2 herë, ato janë vjedhur sërish.

DJANA KOLAJ

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›