E Shtunë, 31 Tetor 2026

Drejtësi në emër të shtetit

Prej katër vitesh, 15 familje sorollaten dyerve të shtetit për të gjetur një zgjidhje mbi lejet e ndërtimit të dhëna për pallate që janë ngritur e u kanë zënë frymën. “Të veprohet pas ligjit!” janë përgjigjet e të gjitha hallkave të shtetit shqiptar, e megjithatë pallatet, ndërtimi i të cilave duhet të ishte pezulluar me kohë, hodhën themelet, betonat, u ngritën e tashmë presin vetëm banorët e parë që të hyjnë brenda

SHKODËR - Prej katër vitesh banorë të pallatit 1264 në lagjen “Perash” të qytetit të Shkodrës sillen nëpër dyert e institucioneve për të kërkuar anulimin e punimeve pranë pallatit të tyre, që jo vetëm u kanë zënë dritën dhe gjithë rrugët e emergjencave, por rrezikojnë edhe shembjene tij. Janë 15 familje të këtij pallati që ndodhet në rrugën “Daut Boriçi”, të cilët me anë të përfaqësuesit të tyre, Sheramedin Nikshiqi, kanë trokitur kudo, kanë dërguar letra e peticione, i janë drejtuar dhe prokurorisë e Kryeministrit, por ende nuk kanë gjetur zgjidhje. Sheramedin Nikshiqi tregon të gjithë dokumentacionin që disponon, ankesat që janë drejtuar që në vitin 2003 e në vazhdim për dy ndërtimet e nisura fare pranë pallatit të tyre, përgjigjet që ka marrë dhe problemin që ende nuk ka gjetur zgjidhje.

Kryeministria

Pasi i është drejtuar të gjitha institucioneve në Shkodër, që nga viti 2006 i është drejtuar disa herë edhe kryeministrit Sali Berisha, ku në përgjigjet e kthyera nga zyra e marrëdhënive me publikun, drejtuar Ministrisë së Punëve Publike dhe Telekomunikacionit, Ministrisë së Brendshme dhe drejtorit të Policisë Ndërtimore, më 28.04.2007 theksohet se “porosia e Kryeministrit është që, nga ana Juaj, jo vetëm të pezullohet objekti, por të ndërhyhet ashpër, në bazë të ligjit, ndaj abuzuesve”. Më 3 maj 2007 Bashkia e Shkodrës dhe Inspektorati i saj Ndërtimor ngarkohen që të ndjekin këtë çështje. Në një tjetër përgjigje të kthyer nga zyra e marrëdhënieve me publikun pranë Kryeministrisë, kërkohet në emër të Kryeministrit shkaku i mosveprimit të inspektoratit ndërtimor dhe të verifikohet përfshirja e tij në këtë çështje.

KRRT-ja

Banorët dhe përfaqësuesi i tyre kërkojnë anulimin e lejeve të ndërtimit të dhëna nga KRRT-ja e Bashkisë Shkodër, nr.7 datë 10.6.2006 dhe 29.10.2006 është vendosur kthimi për rishqyrtim i lejeve të dhëna. Por, sipas banorëve, me gjithë vendimet e marra, përfshirë dhe pezullimin e punimeve nga policia ndërtimore më 23.03.2007, ata kanë vazhduar, edhe pse letrat e ankesat e tyre nuk kanë reshtur. Policia ndërtimore në inspektimin që i bën objekteve konstaton shkelje dhe i kërkon KRRT-së së Shkodrës të rishikojë lejet e dhëna. Në informacionin zyrtar të dërguar theksohet se gjatë inspektimit ka rezultuar se më 21.02.2007 është vendosur pezullimi i punimeve në njërin prej objekteve dhe duhet bërë rishqyrtimi i lejes së dhënë, pasi në dosjen përkatëse ekzistojnë disa shkelje ligji të kryera nga ana e KRRT-së së Shkodrës. Sipas inspektoratit ndërtimor Shkodër shkeljet janë: koeficienti i shfrytëzimit të territorit është 89% , dhe kjo bie në kundërshtim me ligjin për urbanistikën, pika 127,duke qenë mbi të lejuarin, në planimetrinë e sheshit të ndërtimit nuk është pasqyruar vija e ndërtimit,nuk është përcaktuar kufiri i pronësisë dhe nuk disponohet marrëveshja me fqinjët, ndërtimi është bërë mbi truallin e pallatit . Por dhe pse janë bërë disa mbledhje të tjera të KRRT së Bashkisë së Shkodrës, rishqyrtimi lejeve të dhëna e të pezulluara nuk është bërë.

Prokuroria

Duke parë se shteti, edhe pse kthen përgjigje shkresore nuk vepron dhe objektet vazhdojnë të ndërtohen, Sheramedin Nikshiqi si përfaqësues i 15 familjeve ka depozituar kallëzim në Prokurorinë e Shkodrës, e cila nga ana e saj, më 15.12.2007 nis hetimin, sekuestron dosjen përkatëse dhe shprehet se nuk ka pengesa ligjore në hetimin e kësaj çështjeje. Aktualisht, prokuroria akoma nuk është shprehur dhe çështja pret të shkojë në gjykatë. Ndërkohë, Sheramedin Nikshiqi, në emër të banorëve që përfaqëson, shprehet se i është drejtuar zyrës së regjistrimit të pasurive dhe agjencisë së legalizimeve në Shkodër, për mosregjistrim të pronës dhe legalizim të saj.

Olldashi: KRRT të rishikojë lejen e ndërtimit

Në letrën që i është dërguar minitrit Sokol Olldashi theksohet se kundërshtimi i banorëve lidhet me faktin e evidentuar prej tyre që në janar 2004, se objekti që ka nisur të ndërtohet është vetëm 1 m larg pallatit të tyre, u pengon dritën, ndihmën e shpejtë, zjarrfikësit, ujërat e zeza, pasi është zënë plotësisht puseta përkatëse nga ndërtimi prej betoni etj. Gjithashtu, sipas Nikshiqit, përveç parregullsive të konstatuara nga ekspertët e shtetit, ka dhe shkelje të procedurave urbanistike dhe mangësi në dokumentacion. Banorët kërkojnë që të verifikohet ankesa e tyre dhe të mos jepet leja e shfrytëzimit për dy objektet, të mos legalizohen, të prishet ndërtimi jashtë lejes së dhënë, të lirohet trualli i pallatit, të mos jepet leja e shfrytëzimit, pasi ajo deri tani nuk është dhënë, ndalim i punimeve të objektit tjetër derisa të plotësohen kushtet e lejes së ndërtimit, që dritaret dhe ballkoni përballë pallatit 1264 të jenë me tulla xhami. Në përgjigjen e ministrit Olldashi, bazuar në konkluzionet e ekspertëve të dërguar nga institucioni i tij, theksohet se nga verifikimet e bëra rezulton se studimi urbanistik pjesor nuk ka paraqitur vijën e ndërtimit dhe kufijtë e pronësisë, në planvendosje nuk janë pasqyruar kushtet urbane të objektit, nuk disponohet akti i piketimit të objektit dhe akt – kontrolleve të fazave të punimeve, objekti nuk ka respektuar distancat e lejuara ligjërisht përreth, kati përdhes i objektit është ndërtuar ngjitur me pallatin 1264, duke mos respektuar kufirin e pronësisë, punimet në objekt janë në fazën përfundimtare, ndërsa në katin përdhes kanë përfunduar. Sipas përgjigjes së ministrit Olldashi, për shkeljet e konstatuara është ngarkuar policia e ndërtimit në Shkodër të marrë masat sipas ligjit, dhe të dërgohen për ndjekje penale personat përgjegjës.

Përfundimi

“Po ndërsa kjo përgjigje mban datën 13.6.2007, deri tani asnjë veprim nuk është kryer dhe punimet kanë vazhduar”, shprehet Nikshiqi. Të pasigurt për atë që mund të ndodhë e me shpresën se shteti ligjor do të ndërhyjë dikur për të garantuar jetën e njerëzve dhe respektimin e ligjeve të tij, Sherefedin Nikshiqi në emër të banorëve që përfaqëson i ka drejtuar përsëri letër kryeministrit Berisha më 10.11.2008. Përveç problemit të tyre tashmë të njohur, ku objektet e tjera 6-katëshe ndërtohen 340 cm larg dritareve të pallatit ku në to jetojnë e tjetri rreth 1m larg, tregohet i gjithë komunikimi me institucionet përfshi dhe atë të Kryeministrit për këtë shqetësim dhe konfirmimi nga ana e ekspertëve të caktuar nga shteti i problemeve të ngritura nga banorët, ata shprehin dhe dyshimet e tyre lidhur me mosgjetjen akoma të një zgjidhjeje të drejtë, dyshime që lidhen me interesa që mbrohen nga njerëz të stafit kryeministror.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›