Bime: Jam dëshmitar, jo fajtor
Përllogaritja e dëmeve e kryer nga grupet e ngritura bëjnë të ditur se shifra arrin në 80 milionë lekë të rinj
GJIROKASTËR - Kryetari i bashkisë, Flamur Bime, thirret për të dëshmuar në Prokurori. Në rreth 80 milionë lekë të rinj përllogaritet dëmi i shkaktuar nga shembja e pallatit 5-katësh në lagjen “11 janari”. Ka vijuar edhe gjatë gjithë ditës së djeshme prishja e seksionit të mbetur të pallatit.
Kryebashkiaku
Një ditë pas deklaratës së bërë nga kryetari i bashkisë, Flamur Bime, se është i hapur ndaj çdo hetimi që organet e drejtësisë do të marrin ndaj tij, Prokuroria e rrethit gjyqësor Gjirokastër e ka thirrur atë në cilësinë e dëshmitarit. Ka mjaftuar thirrja e organit të akuzës dhe në orën 09:55 Bime është paraqitur përpara oficerëve të Policisë Gjyqësore. Burimet bëjnë të ditur se thirrja e tij në cilësinë e dëshmitarit ka të bëjë me dy pozicionet e tij, si kryetar i bashkisë dhe kryetar i Këshillit të Rregullimit të Territorit të qytetit të Gjirokastrës. Seanca e pyetjeve në ngarkim të kryebashkiakut zgjati rreth 2 orë e gjysmë, ndërsa në përfundim të saj Bime ritheksoi se do të jetë në dispozicion të organit të akuzës sa herë të jetë e nevojshme. “Jam thirrur në Prokurori në cilësinë e dëshmitarit. Do të jem i pranishëm në këtë cilësi sa herë që të më kërkohet”. Ishte kjo deklarata që kryetari i bashkisë bëri pas daljes nga Prokuroria.
Projekti
Vazhdojnë të shtohen zërat që deklarojnë se rrëzimi i ndërtesës 5-katëshe në lagjen “11 janari” erdhi si rezultat i ndryshimit të projektit fillestar të pallatit që sapo kishte nisur të ndërtohej. Fillimisht ky pohim erdhi nga prefekti i qarkut, Spiro Ksera, ndërsa një tjetër specialist urbanistike e pohon këtë. Aleksandër Pesh, anëtar i Këshillit Teknik të Këshillit të Rregullimit të Territorit në Bashkinë e Gjirokastrës, njëkohësisht specialist në zyrën e urbanistikës në Këshillin e Qarkut, deklaroi për “Shekulli”-n se gjatë punimeve nuk është zbatuar projekti i miratuar. “Pas kalimit në Këshillin Teknik dhe KRRT, projekti i ndërtimit të pallatit ka kaluar në oponencën teknike në Tiranë, ku merren në shqyrtim projektet ndërtuese që kapin shifrën e mbi 100 milionë lekëve. Edhe në këtë organizëm, i cili përbëhet nga specialistë shumë të njohur të ndërtimeve, ky projekt ka kaluar dhe është miratuar. Problemi qëndron në faktin se në terren nuk është zbatuar projekti që ka marrë miratimin. Janë bërë devijime në mënyrën e vendosjes së pilotave dhe në gërmime. Këto janë shkaqet që sollën edhe rrëzimin e pallatit tjetër”,- është shprehur Pesha.
Ekspertët: 80 milionë lekë, dëmet nga shembja
Përllogaritja e dëmeve ka një faturë prej 80 milionë lekësh të rinj. Ky është përfundimi në të cilin kanë arritur dy grupet e punës së ngritur për këtë qëllim, nga Këshilli i Qarkut dhe Prefektura Gjirokastër. Për tri ditë me radhë, grupet kanë punuar në bashkëpunim edhe me banorët e dëmtuar dhe tashmë dosjet janë gati. “Shumë shpejt dosjet për 14 familjet e dëmtuara do t’i dërgohen Ministrisë së Brendshme, në mënyrë që dëmshpërblimi të kryhet në një kohë tepër të shkurtër. Të dëmtuarit do të kenë mbështetjen maksimale të shtetit”,- u shpreh prefekti i qarkut, njëkohësisht kryetar i shtabit të emergjencës, Spiro Ksera.
Partia Socialiste
Për herë të parë publikisht reagoi dje edhe dega lokale e Partisë Socialiste në Gjirokastër. Kreu i kësaj force politike, Florian Hysi, dënoi reagimet e parakohshme politike. Sipas tij, fjalën e fundit e ka drejtësia. “Ende pa u përcjellë viktimat dhe kur të gjithë qytetarët e Gjirokastrës ishin bashkuar me kortezhin e përmotshëm, në mënyrën më të paturpshme, Partia Demokratike me protestën e saj nxitoi që edhe në këtë kob të përdorte administratën shtetërore, si dhe nxënësit e shkollave. PS bashkohet me mesazhin e dalë nga çdo qytetar i Gjirokastrës, që shpirtrat e atyre që humbën jetën dhe familjarët e tyre nuk kërkojnë protesta partish dhe kurora elektorale, por ndëshkimin e përgjegjësve të kësaj tragjedie nga organet e drejtësisë. Nuk mund të blihen votat e partive me jetë njerëzish”, deklaroi Hysi.
VENDIMI/ Seancat e masave të sigurisë për të pandehurit zgjatën për rreth 6 orë duke i lënë në qeli të pestë
Gjykata lë në burg të arrestuarit për shembjen e pallatit
GJIROKASTËR - Burg pa afat për pesë prej të ndaluarve, të dyshuar si shkaktarë të rrëzimit të pallatit, që u mori jetën tre banorëve. Ky ishte vendimi i Gjykatës së Shkallës së Parë të rrethit Gjirokastër marrë ditën e djeshme. Në një seancë gjyqësore maratonë që zgjati për rreth 6 orë, të pandehurit qenë të ndarë nga njëri-tjetri në momentin e dhënies së masës së sigurisë. Rreth orës 12:45 të mesditës, i pari në sallën e gjyqit hyri inxhineri zbatues i firmës “Arti ndërtim shpk”, Gjergji Meçi, mbi të cilin rëndon akuza e “shkeljes së rregullave në punë”, më pas inxhineri i ndërtimit, Luan Bufi. Afërdita Papamihali, sekretare e KRRT-së pranë bashkisë dhe Alfred Mamani, shef i urbanistikës akuzoheshin për “shpërdorim të detyrës”. I fundit i gjykuar për “shkelje të rregullave në punë” ishte presidenti i firmës ndërtuese, Sotiraq Janora. Pas shqyrtimit të fakteve dhe provave të vëna në dispozicion nga Prokuroria, trupi gjykues i kryesuar nga Pëllumb Vehbiu vendosi të lërë në burg pesë të ndaluarit. Ndërkaq, gjatë ditës së sotme (e enjte), pritet që po nga kjo gjykatë të jepet masa e sigurisë për 4 të ndaluar të tjerë dhe përkatësisht për Njazi Çobani, artitekt ishoqërisë së ndërtimit “Arti sh.p.k.”, Thanas Llahana, inxhinier gjeolog, Jani Ndrico, ekskavatorist në të njëjtën firmë dhe Admir Shehaj, përgjegjës në Inspektoratin e Ndërtimit në bashki. Vazhdon të jetë në kërkim personi i dhjetë dhe pikërisht bashkëpronari i firmës, Aristotel Haxhiu.
---------------------------------------------------------------Berat, palestra e shkollës, rrezik për 500 nxënës
BERAT- Rreth 500 nxënës rrezikohen çdo ditë për shkak të palestrës së shkollës “22 Tetori” në qytetin e Beratit. Një fakt i tillë bëhet i ditur nga drejtori i shkollës, Irakli Stromi, i cili pohon për gazetën se shembja e palestrës, e cila prej një viti ka dalë jashtë funksionit, përbën rrezik për nxënësit në oborrin e shkollës. Stromi thotë se megjithëse problemi është bërë i pranishëm që në momentet e para, gjithmonë mungesa e fondeve ka qenë një justifikim i pranueshëm për të mos bërë asgjë. Ka kaluar një vit dhe shkolla nuk e përdor më këtë palestër për orën e edukimit fizik. Në një pjesë kryesore të murit është bërë një çarje e madhe, nga ana e brendshme e së cilës mund të shohësh ambientin e jashtëm të shkollës. Problem kryesor përbëjnë fëmijët që luajnë në oborr gjatë pushimit, pranë kësaj ndërtese. Edhe pse mësuesit i lajmërojnë nxënësit të qëndrojnë sa më larg, pakujdesia i bën që të jenë pranë mureve të saj. E ndërsa drejtori thotë se prej një viti po kërkon që të bëhet diçka, burime nga bashkia shprehen se për këtë problem është kërkuar një grup specialistësh gjeologë, të cilët do të shikojnë gjendjen në vend në të ardhmen...D.Jaho