E Shtunë, 31 Tetor 2026

ILDKP: Prokurori i Durrësit fshehu pasurinë

Kallëzimi, “Arjan Ndoja ka fituar në mënyrë të dyshimtë si avokat 743 mijë euro dhe nuk justifikon 86 mijë”

TIRANË- Inspektorati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive ka denoncuar kryetarin e prokurorisë së Durrësit të cilin e akuzon për fshehje të pasurisë. Arjan Ndoja ka deklaruar se brenda një periudhe të shkurtër ka fituar nga puna e tij si avokat 743 mijë euro. Por në deklarimin e pasurisë nuk ka mundur që tregojë burimin e të ardhurave duke mbetur “mangët” 86 mijë euro. Por Inspektorati ka pohuar se ka dyshime edhe për pjesën tjetër të parave pasi mënyra se si janë bërë ato është shumë e çuditshme. Tashmë do i takojë Prokurorisë së Përgjithshme të zbulojë të vërtetën për vartësin e saj.

Burimet zyrtare të Inspektoratit pohuan se Arjan Ndoja ka qenë edhe më parë prokuror në rrethin e Durrësit por është shkarkuar për shkelje. Në deklarimin e pasurisë që ai ka bërë në vitin 2004 ka pohuar se disponon një makinë me vlerë 200 mijë lekë; 20 mijë euro dhe pagat e tij e të bashkëshortes. “Por në deklaratën e pasurisë, datë 05.03.2008 ka deklaruar se për periudhën Qershor 2004 – Janar 2008, kohë gjatë së cilës ka ushtruar profesionin e avokatit si anëtar i Dhomës së Avokatisë Tiranë, ka përfituar pasuri në shumën 743.000 euro (shtatëqind e dyzete e tre mije euro). Ai ka deklaruar se për periudhën kohore Qershor 2004 - Janar 2008 ka fituar të ardhura nga ushtrimi i aktivitetit të avokatisë në shumën prej 743.000 euro, ndërkohë që siç rezulton nga përgjigjet e organeve kompetente shtetërore, ai është regjistruar pranë QKR si person fizik më datë 19.09.2007 dhe pranë organeve tatimore më datë 02.10.2007 dhe se nuk ka paguar asnjë detyrim tatimor për aktivitetin që ushtronte”,- thanë dje burimet zyrtare të Inspektoratit. Sipas tyre, tëdhënat e sipërpërmendura të krijojnë dyshime të arsyeshme sepasuritë e fituara nga subjekti Arian Ndoja gjatë periudhës që ka ushtruar aktivitetin e avokatisë, ndër të tjera, janë rrjedhoje dhe e fshehjes së detyrimeve fiskale, konstatim për të cilin ILDKP ka njoftuar Drejtorinë e Përgjithshme të Tatimeve, me qëllim marrjen e masave fiskale ndëshkuese ndaj këtij subjekti.

Vetë Arjan Ndoja, i pyetur në ILDKP për burimet e krijimit të pasurisë, arsyet e mos regjistrimit në organet tatimore dhe mospagimit të detyrimeve fiskale, ka deklaruar se ligja nuk e detyron të regjistrohej në organet tatimore dhe se nuk ka pasur detyrim për tu njohur me legjislacionin në fuqi. “Lidhur me burimin e krijimit të pasurisë ky subjekt ka paraqitur në ILDKP 18 copë fatura me anë të cilave ka dokumentuar marrjen e të hollave nga disa klientë, fatura të cilat në total kapin shumën 657.000 euro për rrjedhoje mbeten të pambuluara me fatura justifikuese një sasi prej 86.000 euro”,- thanë burimet zyrtare të Inspektoratit. Tashmë për të verifikuar këto thënie duhen kryer një sërë veprimesh hetimore, të cilat i janë lënë në dorë prokurorisë. Burimet zyrtare të Inspektoratit pohuan se duhet bërë pyetja e personave nga të cilët subjekti deklaron se ka marrë sasitë e të hollave të deklaruara, këqyrja e dokumenteve në gjykata apo prokurori ku ai deklaron se ka përfaqësuar klientët, kryerja e ekspertimeve vlerësuese, kryerja e ekspertimeve grafike për të përcaktuar nëse faturat janë plotësuar nga klientët, këqyrja e sasisë së të hollave që subjekti deklaron se mban “cash” në banesë etj..

Dyshimi

“Arian Ndoja në deklaratën e tij të pasurisë datë 05.03.2008 ka pasqyruar të dhëna të cilat të krijojnë dyshime të arsyeshme se nuk janë të vërteta, ky subjekt krahas dyshimeve që ekzistojnë për vërtetësinë shumave deri në 321.000 euro që deklaron se i ka marrë nga një klient nuk ka arritur të dokumentojë e të provojë se në ç’rrethana ka arritur të përfitojë shumën prej 86.000 euro gjatë periudhësQershor 2004 - Janar 2008”

Kallëzimi

“Bazuar në nenin 281 të Kodit të Procedurës Penale, paraqesim para jush këtë kallëzim penal duke kërkuar fillimin e procedimit penal për veprën penale “Refuzimi për deklarim, mosdeklarimi, fshehja ose deklarimi i rremë i pasurive të personave të zgjedhur dhe nëpunësve publike” të parashikuar nga neni 257/a/2 i Kodit Penal ndaj shtetasit Arian Ndoja me detyrë Drejtues i Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës”

Pasuria e prokurorit Arjan Ndoja

Apartament banimi, me sip. 117.5 m², , Rr.”IrfanTomini” Tiranë, me vlerë 65.000 Euro, i pa hipotekuar, i likuiduar

Apartament banimi me sip. 327.71 m², me vlerë 163.855 Euro të ndodhur në Shëngjin Lezhë.

Apartament banimi me sip.90.2 m², Shëngjin Lezhë, me vlerë 2.000.000 lekë, i hipotekuar, i likuiduar.

Lokal (njësi shërbimi), me sip.114.6 m², në Shëngjin Lezhë, me vlerë 114.600 Euro, i pa hipotekuar.

Lokal (njësi shërbimi), me sip.159.52 m², në Shëngjin Lezhë, me vlerë 159.520 Euro.

Automjet tip Mercedes Benz me targë TR 4700 F, me vlerë 200.000 leke + taksë doganore dhe dokumentacion (deklaruar në deklaratën e vitit 2003), i likuiduar.

Automjet tip BMË me targë xxxxxxxxxx, me vlerë 34.000 Euro, nga e cila likuiduar 17.000 Euro dhe pjesa tjetër prej 17.000 Euro me huadhënie

Gjendje cash shuma prej 130.000 Euro.

Dhënë hua shtetasit xxxxxxxx shumë prej 75.000 Euro, me deklaratën noteriale Nr.xxx Rep. dhe Nr.xx Kol, tek noterja xxxxxxxxxxx.

Detyrim në formë leasingu në Raiffeisen Bank, në vlerë totale 20.000 Euro për blerje automjeti tip BMË, me targë xxxxxxxxxx,viti 2007, mbetur pa shlyer edhe 17.000 Euro.

Të ardhurat e subjektit si pedagog në Universitetin “Kristal” 3.000 lekë/ora + provimet.

Të ardhurat nga puna e bashkëshortes së subjektit, shtetases Elderina Ndoja, juriste dhe shefe personeli në Hotel “Dajti” me pagë mujore 42.000 lekë ose 504.000 lekë në vit,

Të ardhurat nga puna e të atit Zef Ndoja, mësues në shkollën e mesme Nikël, Krujë me pagë neto 27.400 lekë në muaj ose 328.800 leke në vit.

Të ardhurat nga puna e së ëmës Drane Ndoja, mësuese në shkollën 8-vjeçare Nikël, Krujë me pagë mujore 24.500 lekë në muaj ose 294.000 lekë në vit.

Institucionet ku është verifikuar pasuria

Qendra Kombëtare e Regjistrimit me shkresën Nr.2841/1 Prot, datë 09.06.2008, konfirmon se subjekti Arian Zef Ndoja më datë 19.09.2007 është regjistruar si person fizik pranë QKR-së, për ushtrimin e aktivitetit privat të avokatisë

Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve me shkresës Nr.7139/1 Prot, datë 10.06.2008 konfirmon se subjekti Arian Ndoja figuron i regjistruar me numër NIPT xxxxxxxxxxxx me aktivitet “Avokati” që nga data 02.10.2007. Për informacione më të hollësishme në lidhje me subjektet e biznesit të vogël, dosjet administrohen nga Bashkia Tiranë

Bashkia Tiranë me shkresën Nr.6856/1 Prot. datë 30.10.2008 konfirmon se ky subjekt nuk figuron i regjistruar në regjistrat e Bashkisë për ushtrimin e ndonjë aktiviteti e për rrjedhoje nuk ka paguar asnjë lloji detyrimi fiskal

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›