E Diel, 1 Nëntor 2026

Drejtësia, Topi: Nuk mund të ecet më me korrupsion në sistem



Presidenti Topi në Burrel, thirrje qytetarëve të shkojnë në votime

Kreu i Shtetit, Bamir Topi, i bëri dje thirrje sistemit të drejtësisë që të bindet për t’u kthyer në pozicionin kushtetues të shtetit të së drejtës. Gjatë një vizite në qytetin e Burrelit, Topi u bashkua me shqetësimin e qytetarëve se drejtësia ka probleme. Ai tha se nuk mund të ecet me sistem të korruptuar. “Unë ruaj kontakte të shpeshta, të drejtpërdrejta nëpërmjet letrave dhe informacioneve dhe me popullin e zonës tuaj, dhe natyrisht që është një shqetësim i madh çështja e drejtësisë. Ky duhet të jetë një lajtmotiv, që korrupsioni duhet të denoncohet, sepse shpeshherë këputen fijet e informimit qytetar”, - tha Topi.

Presidenti I Republikës, Bamir Topi, bashkohet me zërat e qytetarëve se sistemi i drejtësisë ka probleme serioze në pavarësinë e tij. Kreu i shtetit vizitoi dje qytetin e Burrelit, nga ku deklaroi se vendosja e sistemit të drejtësisë në shinat e Kushtetutës do të jetë një nga sfidat e Presidencës. Në deklaratën e tij, Topi tha se nuk mund të ecët më me sistem të korruptuar drejtësie. “Nuk mund të ecet më me korrupsion në sistemin e drejtësisë. Ky duhet të jetë një lajtmotiv, që korrupsioni duhet të denoncohet, sepse shpeshherë këputen fijet e informimit qytetar! Drejtësia nuk vendoset vetëm në Tiranë, në bulevardin qendror të qytetit, aty ku janë njerëzit të veshur shik dhe që frekuentojnë klubet e kryeqytetit. Kjo është arsyeja që ne sot diskutojmë për një temë kaq të rëndësishme edhe në Burrel”, tha Topi.

Ai u shpreh se mirëkuptonte qytetarët e shumtë në letrat që kanë dërguar në Presidencë, ku tregojnë historitë e tyre personale se si sistemi i drejtësisë ka shtrembëruar të drejtën. “Sot, sfida më e madhe për vendin tonë është pa dyshim ajo që ka të bëjë me institucionet dhe një ndër institucionet më të rëndësishme është institucioni i drejtësisë. Unë ruaj kontakte të shpeshta, të drejtpërdrejta nëpërmjet letrave dhe informacioneve dhe me popullin e zonës tuaj, dhe natyrisht që është një shqetësim i madh çështja e drejtësisë”, - tha Topi. Duke u ndalur më gjatë në këtë shqetësim, Topi u shpreh se mbetet një sfidë e gjatë institucionale dhe politike për të kthyer këtë sistem në pozicionin e tij kushtetues, larg influencave politike dhe ekonomike. “Sfida më e madhe, ajo që unë po mundohem të përballoj së bashku me aktorët e tjerë institucionalë dhe politikë, është vendosja e sistemit të drejtësisë në pozicionin kushtetues që i takon dhe i pavarur totalisht nga të gjitha influencat, qofshin këto politike apo ekonomike dhe ky institucion kaq i rëndësishëm duhet të jetë në funksion të qytetarëve të thjeshtë në mënyrë që ai të bindet se ne do të ndërtojmë në mënyrë definitive shtetin e së drejtës, shtetin që të jetë në funksion të qytetarëve, pavarësisht ku ata jetojnë, nëse jetojnë në Tiranë, në kryeqytet, nëse jetojnë në Burrel, nëse jetojnë nëpër fshatrat e Matit, pra kudo që ata jetojnë, të kenë bindjen që janë të mbrojtur nga shteti ligjor”, - deklaroi Kreu i Shtetit.

Duke folur përpara qytetarëve të Burrelit, Presidenti i bëri thirrje që qytetit të zhvillohet më tej: “Unë u bëj një thirrje të gjithë biznesmenëve, intelektualëve, të cilët kanë shfrytëzuar pozitivisht lëvizjen e lirë për të shkuar në Tiranë apo diku tjetër, të mos të harrojnë Burrelin, të mos të harrojnë Matin, t’u japin mundësi resurseve ekonomike që në bashkëpunim me institucionet të bëjnë të mundur që, edhe në Burrel, edhe në zonën e Matit, të ketë progres të shpejtë”, - tha Topi. Vizita e Presidentit Topi ka vijuar me një ndalesë në spitalin “Xhavit Mara”, ku është takuar me fëmijë të shtruar në pavijonin e Pediatrisë dhe është interesuar për gjendjen e tyre shëndetësore, duke u uruar shërim të shpejtë. Ai kreu vizita të tjera në qytetin e Burrelit.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›