Meta sfidon Ramën: Unë, lideri i vërtetë i opozitës
Kreu i LSI-së, Ilir Meta, deklaron se është i mundur një bashkëpunim paszgjedhor me PS-në zyrtare, edhe pse filozofia e Edi Ramës është përçarja e së majtës
“Unë jam lideri i opozitës në opozitë, në kuptimin e vërtetë”. Kjo është deklarata e kreut të LSI-së dhënë radio BBC-së që tingëllon një sfidë e vërtetë për ish-aleatin e tij, Edi Rama, i cili drejton Partinë Socialiste, si partinë më të madhe brenda së majtës. Por në kushtet kur LSI-ja ka marrë rolin e opozitës kundër PS-së, kreu i kësaj partie, Ilir Meta, gjen mundësinë t’i veshë vetes atributet e liderit të së majtës. “Tek ne njerëzit vijnë për arsye morale, sepse unë nuk jam as kryetar bashkie, nuk jam kryeministër, nuk ofroj tendera, nuk ofroj leje ndërtimi, por ofroj besim dhe moral për një ndryshim të politikës në Shqipëri dhe për të mbrojtur vlerat e majta dhe progresiste”, - vazhdoi Meta.
Në lidhje me bashkëpunimin e partisë që drejton, Meta tha se pas zgjedhjeve është i mundshëm një bashkëpunim me PS-në zyrtare pavarësisht se, sipas tij, filozofia e Ramës është ndarja e së majtës.
“Por njëkohësisht ne besojmë se edhe me socialistët që ende janë në PS-në zyrtare, do të bëjmë një marrëveshje pas zgjedhjeve, pasi kuptohet që kreu aktual i PS-së zyrtare nuk ka pasur dhe nuk ka asnjë vullnet për bashkëpunimin opozitar dhe ka qenë përgjegjësi kryesor i degradimit të Kodit Zgjedhor dhe i situatës që u krijua me grevën e urisë”, - tha Meta.
I pyetur se çfarë efekti mund të ketë fenomeni i rrjedhjes së anëtarësisë mes dy partive të majta, Meta tha se nuk ka asnjë lloj efekti. “Pasi unë besoj se të gjithë ata që vijnë tek LSI-ja, vijnë për arsye morale dhe për arsye bindjesh politike. Ndërsa raste tepër sporadike të porositura nga ana e kryetarit të Bashkisë së Tiranës, përmes ofertave korruptuese për individë të dëshpëruar, që thjesht synojnë të rregullojnë ekonominë e tyre për momentin, jo vetëm nuk përbën ndonjë fenomen, por janë raste krejtësisht të shëmtuara”, - shtoi ai.
Gjatë vizitës në Londër Meta pati takime me ministren për Evropën, Kerollajn Flint apo me Kryetarët e Komisionit të Jashtëm dhe të Komisionit për Evropën në Parlamentin Britanik z. Gejps dhe Majkëll Konarti, gjithashtu dhe në takimet me personalitete të tjera si me z. Toni Lloid, Kryetar i grupit parlamentar të Partisë Laburiste, sekretarin e përgjithshëm të laburistëve dhe shumë personalitete të tjera, përfshirë këtu dhe këshilltarin për politikën e jashtme të Kryeministrit Braun, z. Stjuart Uds.