Islami: Komisioni ad hoc, informues, jo hetimor
Detyra e komisioni të posaçëm parlamentar për monitorimin e zgjedhjeve do të jetë thjesht informimi dhe jo hetimi i mangësive në pajisjen e shtresave me karta identiteti. Sekretari për Çështjet Zgjedhore në Partinë Socialiste, Kastriot Islami, tha dje se kjo është e vetmja mënyrë që PS-ja të ketë akses në informacionin që nuk ia mundëson qenia në opozitë. “Në komision nuk do të merret asnjë vendim, pra nuk do të ketë bllokime të komisionit, as vendimmarrje të komisionit, as çështje që duhen diskutuar, as raporte për të hartuar. Do të jetë thjesht marrje e informacionit. Do të hartojmë një skemë për marrjen e informacionit. Do ta trajtojmë këtë informacion me shumë kujdes; kur do të duhet do t’ia japim publikut, kur të na duhet për analiza do ta përdorim për analizat tona”, - tha Islami. Ngritja e komisionit monitorues ishte prej kohësh një kërkesë e Partisë Socialiste, po ashtu dhe kryesimi i tij. Nënkryetari Islami deklaron se vendosja e demokratëve në krye të kësaj strukture i lë asaj përgjegjësinë e dështimit të procesit. “Në qoftë se ata nuk do te jenë në gjendje të pajisin të gjithë shqiptarët, ata pa pasaportë minimalisht, me karta identiteti, përgjegjësia është e tyre për infrastrukturën zgjedhore dhe për mosrealizimin e të gjitha kushteve që garantojnë zgjedhje të lira dhe të ndershme. Kjo ka qenë një nga arsyet që ne nuk kemi pranuar bashkëkryetar, për arsye psikologjike apo të lojërave politike që mund të bëjnë disa forca politike që mund të thoshin se këta u bënë bashkëpronarë, bashkautorë apo bashkëfajtorë në prodhimin e kartave”, - tha Islami. Komisioni i posaçëm për monitorimin e zgjedhjeve do të ketë 9 anëtarë ku 6 do të jenë të PS-së dhe PD-së, ndërsa 3 të tjerët të PR-së, PDR-së dhe PSD-së. Parlamenti e votoi atë pas kontestimeve disamujore të socialistëve, duke i lënë kryesimin Ilir Rusmalit.