Inspektorati zvarrit sërish procesin për prishjen e pallatit në qendër
TIRANË - Inspektorati Urbanistik Kombëtar zvarrit sërish procesin për pallatin në qendër të Tiranës. Pas dështimit të seancës së parë, ku përfaqësuesit e këtij institucioni nuk u paraqitën në Gjykatë, seancën e djeshme ata kërkuan kohë që të njiheshin me provat e paraqitura nga Ilir Mata, pronari i pallatit të shumëpërfolur. Sipas tyre, ata nuk kishin pasur mundësinë të njiheshin me provat e palës paditëse dhe për këtë fakt i paraqitën Gjykatës kërkesën për shtyrjen e seancës për një datë tjetër. E ndodhur përpara këtij fakti, gjyqtarja Caco vendosi të ndërpresë seancën duke caktuar datën 23 dhjetor për të dëgjuar argumentet që do të paraqesë Inspektorati i Ndërtimit. Ajo që ra në sy ishte fakti si avokati i Ilir Matës është ish-prokurori i Prokurorisë së Përgjithshme, Arben Rakipi. Biznesmeni Ilir Mata ka paditur Inspektoratin e Ndërtimit duke kërkuar nga Gjykata e Tiranës pezullimin e vendimit për prishjen e pallatit që ndodhet në qendër të Tiranës. Beteja midis tyre nisi më datë 7 dhjetor, kur forca të shumta policie shkatërruan fasadën e tri kateve të këtij pallati dhe kërcënuan me prishjen e plotë të tij. Sipas tyre, ky pallat është ndërtuar mbi rrugë dhe është i paligjshëm. Por veprimi i tyre u kundërshtua ashpër nga ana e Bashkisë dhe opozitës, të cilët e quajtën këtë një sulm politik të kryeministrit Berisha. Tashmë pritet që më datë 23 dhjetor, Gjykata e Tiranës të dëgjojë dhe pretendimet e Inspektoratit të Ndërtimit, i cili do të paraqesë provat e tij për prishjen e këtij pallati dhe më pas do t’i takojë gjyqtares Arjana Caco të vendosë nëse do të pezullohet apo jo urdhri për prishjen e këtij pallati.
19 Dhjetor 2009