E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dëshmia: “Flaka në Gërdec, nga karroca e saposalduar”

Dëshmia e Sadik Sulës: “I lënduari më rrëfeu në spital shkaqet e shpërthimit”. Pika e saldimit, 30 metra larg barutit. Nuk respektoheshin kushtet teknike
Thimi Samarxhiu

TIRANË - “Shkaku i shpërthimit në punishten e Gërdecit mund të ketë ardhur nga një karrocë e saposalduar”. Këto kanë qenë fjalët e dëshmitarit Sadik Sula gjatë seancës së djeshme në ngarkim të të pandehurve të dosjes “Gërdeci”. Sipas këtij dëshmitari, në momentin e shpërthimit ai ka dëgjuar një zë që tha: “Baruti u ndez”. Më pas është munduar të largohet sa më shpejt nga sheshi i fabrikës. “Sapo dëgjova zërin, u ktheva për të parë se çfarë po ndodhte dhe pashë një flakë rreth 2 metra të lartë, që mendoj se ishin thasë me barut mbi një nga karrocat e shumta që përdoreshin për transport”, - tha dëshmitari. Ai shtoi se gjatë qëndrimit të tij në spital kishte mësuar nga një tjetër i plagosur se baruti ishte ndezur pasi një punëtor kishte salduar një karrocë dhe nuk kishte pritur sa të ftohej, por kishte filluar menjëherë transportin e barutit.
Argumentet
Vetëm 30 metra larg punishtes ndodhej një pikë saldimi për karrocat e shumta që përdoreshin për transportimin e materialeve. Në të njëjtën linjë me deklarimet e Sadik Sulës kanë qenë dhe dy dëshmitarët e tjerë, Caje dhe Flogert Çiku, nënë e bir, të cilët kanë punuar në këtë fabrikë. Ata pohuan përpara trupit gjykues se saldimet e karrocave të dëmtuara kryheshin te shtëpia e Qemal Deliut, e cila ishte shumë afër fabrikës. “Karrocat pësonin dëmtime të shpeshta për shkak të peshave të rënda që zhvendosnin. Ato dërgoheshin për t’u salduar te shtëpia e Qemalit, e cila nuk ishte më shumë se 30 metra larg nga fabrika. Pasi i merrnim që aty, i linim pak kohë të ftoheshin dhe pastaj fillonim punën”, - deklaroi Caje Çiku. Por edhe i biri i saj, i cili gjatë kohës së shpërthimit ishte vetëm 16 vjeç, tregoi po të njëjtën procedurë që kryhej me karrocat e dëmtuara. Ai theksoi se karrocat ata i përdornin për të transportuar arkat me fishekë nga vendi ku ato grumbulloheshin drejt ambienteve të brendshme të fabrikës ku kryhej dhe demontimi. Sipas tri dëshmive të dhëna, hidhet poshtë versioni i të pandehurve, të cilët kanë pretenduar herë pas here se shkak i shpërthimit nuk ka qenë gabimi njerëzor, apo zjarrvënia e qëllimshme.

Siguria
Një tjetër fakt që ka dalë në dritë gjatë dëshmive të djeshme është se në ambientet e fabrikës nuk ka pasur mjete për shuarjen e zjarrit, por përdoreshin kovat e ujit. “Në fabrikë nuk ka pasur zjarrfikëse, por kishim kovat e ujit për çdo të papritur. Në një rast, mbaj mend se pranë makinerive të çmontimit të fishekëve ra një zjarr i vogël dhe për ta shuar atë u përdorën kovat e ujit”, - tha Flogert Çiku. Ai tregoi gjithashtu se gjatë hapjes së arkave me fishekë dhe transportimit të tyre për në pikën e grumbullimit kishte ndodhur që një fishek kishte rënë nga arka në tokë dhe kishte shpërthyer, por pa shkaktuar dëme.
Një tjetër e dhënë lidhur me kushtet e mungesës së sigurisë teknike në fabrikën e demontimit të armëve në Gërdec vjen nga Sadik Sula, i cili u shpreh përpara Gjykatës së nuk kishte parë asnjë rregullore të sigurimit teknik gjatë punës së tij në këtë fabrikë. “Rreth dy orë pasi kisha filluar punën vjen përgjegjësi, Vangjeli, dhe më jep një letër për të firmosur, ku në faqen e parë shkruhej: ‘Bashkangjitur gjendet rregullorja e sigurimit teknik’, por në të nuk kishte asgjë. Mendova se rregulloren do ta sillnin më pas dhe firmosa, por asnjëherë nuk e pashë atë rregullore”, - u shpreh Sula.
Ndërkohë që të gjithë dëshmitarët kanë konfirmuar faktin se në fabrikë vinin herë pas here makina të ushtrisë, të shoqëruara nga Policia Ushtarake, të cilat sillnin armatimet në fabrikë dhe largoheshin, për t’i lënë vendin trajlerave, të cilët vinin dhe merrnin pjesët e çmontuara të fishekëve. Lidhur me kushtet e punës, Sadik Sula, i cili merrej me heqjen e djegoreve të predhave, u shpreh se sipas mendimit të tij, ato nuk ishin shumë të mira, pasi punëtorët punon shumë afër me njëri-tjetrin, gjë që u rrezikonte jetën.
Gjatë seancës së djeshme u bë i mundur dëgjimi i vetëm 3 dëshmitarëve, nga 6 të thirrurit. Shkak për dështimin e marrjes së dëshmive u bënë avokatët, një pjesë e të cilëve nuk u paraqitën më në sallë pas pushimit prej 30 minutash të caktuar nga gjyqtari Ridvan Hado.

Sigurimi teknik, Minxolli pranon shkeljen e rregullave

Dritan Minxolli, ish-drejtori i fabrikës së demontimit në Gërdec, ka pranuar ditën e djeshme se ka shkelur rregulloren e brendshme. “Jam i vetëdijshëm që kam shkelur rregulloren, pasi kam punësuar gra, kur në fakt puna ishte shumë e rëndë. Këtë gjë e kam bërë vetëm e vetëm sepse ato më janë lutur që t’i punësoja për shkak të kushteve të rënda financiare të familjeve të tyre”, - tha ai. Këtë deklaratë Minxolli e bëri menjëherë pas dëshmisë së Caje Çikut, e cila u shpreh përpara Gjykatës se i ishte lutur drejtorit që ta merrte në punë, pasi nuk kishte me se t’i ushqente fëmijët.

Pistat e zjarrit që sollën shpërthimin

Deri tani janë disa pista nga ku mund të ketë ardhur shkëndija e zjarrit që solli dhe shpërthimin në Gërdec, ku humbën jetën 26 veta dhe u plagosën qindra të tjerë. Sipas organit të akuzës, pistat më të mundshme janë ato të gabimeve njerëzore dhe sigurisë së ulët teknike në fabrikë. Prokuroria dyshon se zjarri mund të ketë ardhur nga një karrocë e saposalduar, ose nga ndonjë cigare e hedhur pa kujdes. Por, duket se deri tani, pista më e sigurt është ajo e karrocës, pasi disa dëshmitarë e kanë konfirmuar këtë fakt. Nga ana tjetër, të pandehurit e këtij procesi pretendojnë se shkaku i shpërthimit ka qenë i qëllimshëm. Sipas tyre, në fabrikë është vendosur një minë me sahat nga disa persona, që për rrjedhojë ka sjellë dhe shpërthimin. Por deri tani nuk ka asnjë provë bindëse për të vërtetuar alibinë e tyre.

19 Dhjetor 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›