Aksident në aksin Krastë-Bulqizë, plagoset drejtuesi i mjetit, vdes pasagjeri
Një aksident i rëndë, si pasojë e kushteve të vështira të qarkullimit në aksin Krastë-Bulqizë, i ka marrë jetën një personi, ndërsa një tjetër është i plagosur. Gjatë udhëtimit në këtë aks të mbuluar nga bora, një makinë tip fuoristradë doli nga rruga dhe përfundoi në greminë. Për pasojë ka humbur jetën pasagjeri Arjet Shira dhe është plagosur rëndë drejtuesi i mjetit. Ngjarja e rëndë ka ndodhur dje pasdite, ndërsa shënohet edhe aksidenti i parë për shkak të reshjeve të borës. Nuk dihet nëse makina tip fuoristradë udhëtonte në normat e lejuara të shpejtësisë, por dalja nga rruga ka qenë fatale për pasagjerin Shira.
Fushë-Krujë, plagoset rëndë një 16-vjeçar
Një 16-vjeçar nga Tapiza e Fushë-Krujës ka mbetur i plagosur rëndë si pasojë e një aksidenti. Ngjarja ka ndodhur dje në rrugën nacionale Fushë-Krujë - Tiranë, teksa adoleshenti është përplasur nga kamioni me targë TR 44 09 M. Mësohet se aksidenti ka ndodhur kur 16-vjeçari me iniciale E. M. po kalonte nga njëra anë e rrugës në tjetrën.
Menjëherë pas përplasjes, drejtuesi ka ndaluar kamionin dhe ka dërguar të lënduarin në Spitalin Ushtarak, ku ndodhet në gjendje të rëndë shëndetësore. Në bazë të hetimeve paraprake, shkak i aksidentit ka qenë shpejtësia e mjetit dhe lagështira, ndërkohë që drejtuesi i tij ndodhet në polici.
Reshjet, rëndohet situata edhe në qarkun e Shkodrës, rrugët kalohen me zinxhirë
Situata nga reshjet e borës është rënduar edhe në qarkun e Shkodrës. Burime policore nga ky qytet bëjnë të ditur se në rrethin e Shkodrës, rruga Qaf Thore-Theth është e bllokuar nga dëbora, rruga Shosh-Dukagjin kalohet me zinxhirë, ndërsa në akset e tjera rrugore lëvizet normalisht. Në rrethin e Malësisë së Madhe, rruga Gropa Selces-Vermosh kalohet me zinxhirë vetëm për mjetet e mëdha, ndërsa në akset e tjera rrugore qarkullohet pa probleme. Në rrethin e Pukës, Qafë-Mali - Fierzë, Qafë-Mali - Shllak kalohen me vështirësi duke përdorur zinxhirë vetëm mjetet e vogla. Në aksin rrugor Fushë-Arrës - Iballë kalohet me zinxhirë. Akset e tjera rrugore janë të kalueshme, pa probleme. Aktualisht në këto zona vazhdojnë reshjet e dëborës. Nga shërbimet e Policisë Rrugore në bashkëpunim me shërbimet e Policisë së Rendit janë marrë të gjitha masat për parandalimin e aksidenteve të mundshme.
19 Dhjetor 2009