E Shtunë, 31 Tetor 2026

Meta-Berisha, qeveria e krizës ekonomike

Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, deklaroi dje se qeveria Berisha-Meta do të thellojë krizën e demokracisë dhe atë ekonomike në vend. Një ditë pas ndarjes së posteve ministrore mes Partisë Demokratike dhe Lëvizjes Socialiste për Integrim, kryesocialisti shtroi nevojën e një bashkimi kundër çiftit të ri të politikës së vjetër siç i quajti ai. Duke u fokusuar tek ish-aleati i tij, Rama tha se Meta mashtroi publikisht dhe shiti votat e LSI për t‘u ulur në prehrin e Berishës. Por ajo çfarë konsideron si më të rëndësishme është se kjo qeveri do të thellojë krizën në të cilën ndodhet vendi, ndaj PS do të bëhet denoncuese e të gjitha zullumeve të një grushti njerëzish që duan të grabisin Shqipërinë. "Unë sot dua të përsëris jo vetëm që nga ky pazar dhe mbi themelet e kësaj maskarade zgjedhore nuk mund të lindë asgjë tjetër, përveçse një qeverie e cila do të thellojë krizën e demokracisë, krizën e shtetit të së drejtës, krizën ekonomike. Por dua njëkohësisht të përsëris, se ky është momenti për t‘u bashkuar që të gjithë dhe për ta ribërë apelin në adresë të të gjithë atyre që sinqerisht e ndershmërisht besuan tek Ilir Meta, në emër të asaj çka ai premtoi, që të bëhej pjesë e familjes së madhe politike të Partisë Socialiste dhe aleatëve të saj", deklaroi Edi Rama. Ndaj për kreun socialist është koha për t‘u bërë të gjithë bashkë kundër kësaj "krushqie të turpshme, sepse dasma e kryeplakut të politikës së vjetër me nusen e re të xhuvelizmit do t‘ju kushtojë shumë Shqipërisë dhe shqiptarëve".

Rama tha se kjo qeveri është krijuar për një arsye të vetme,

Për të rritur në mënyrë eksponenciale fitimet dhe përfitimet e këtij grushti njerëzisht të bashkuar për të vijuar plaçkitjen e nisur të Shqipërisë". Rama përvijoi qëndrimin e tij për zgjedhjet e 28 qershorit, duke kujtuar se PS nuk i pranon këto zgjedhje, se Parlamenti dhe qeveria e dalë prej saj janë ilegjitime. Sipas tij, krimi elektoral e bën Kuvendin një institucion me legjitimet thellësisht të cunguar dhe qeverinë një nënprodukt të deformimit zgjedhor, kurse mashtrimi publik i Ilir Metës, që u kurorëzua me marrëveshjen e tij të hapur me Sali Berishën thellon krizën e rëndë të besimit të njerëzve te politika dhe e bën politikën të duket më shumë se kurrë një gënjeshtër tallëse me ata që zgjedhin. Pak ditë më parë, Rama paralajmëroi se PS nuk do të lejojë që Kryeministri t‘i shpëtojë zbardhjes së të vërtetës për zgjedhjet, ndërsa dje, kur marrëveshja Berisha-Meta është formësuar, Rama lëshoi një tjetër paralajmërim. "Pa dyshim që për Sali Berishën dhe Ilir Metën, Partia Socialiste mbetet dhe do të jetë përditë e më shumë një objekt agresioni verbal dhe sulmesh të koordinuara, me një fuqi mediatike që është vënë tashmë në dispozicion të këtij çifti të ri të politikës së vjetër. Sepse ata duan që PS të bëhet pjesë e batakut të tyre dhe jo të jetë alternativë e këtij bataku", deklaroi kreu i PS-së.

Rama tha se ata flasin për lirinë e PS dhe në PS, ndërkohë që i pari Sali Berisha nuk u la shqiptarëve lirinë që të zgjedhin të patrysnuar dhe të pa abuzuar nga fuqia e pushtetit dhe shtetit bashkë, ndërsa i dyti Ilir Meta ua mori votën shqiptarëve në emër të lirisë së marrë peng nga Sali Berisha dhe me ato vota në fakt kontribuoi që pengmarrja të vazhdojë, që projekti kërcënues i Sali Berishës për t‘i dhënë fund çdo lirie konkurrence dhe për t‘i dhënë fund çdo drejtësie të barabartë për të gjithë, të shkojë deri në fund. "Në sytë e të gjithë shqiptarëve e shqiptareve, u kurorëzua një maskaradë zgjedhore, e cila ka në themelin e saj krimin elektoral dhe ka për fytyrë të saj pazarin e hershëm dhe të paralajmëruar prej nesh të Sali Berishës me Ilir Metën", përfundoi Rama.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›