E Diel, 1 Nëntor 2026

Nafta virxhin, 4 biznesmenë dhe tre zyrtarë në pranga

SHKRUAN: Leonard Bakillari 12-03-2011 12:49

Tiranë Të paktën 11 persona, biznesmenë e zyrtarë, janë arrestuar nga policia si të përfshirë në skandalin e naftës virxhin, të denoncuar pak muaj më parë nga ish-ministri i Ekonomisë, Dritan Prifti. Gjatë një operacioni policor të shtrirë në qytetet Vlorë, Fier, Tiranë e Durrës, dhe që ka vijuar deri në orët e vona të mbrëmjes së djeshme, uniformat blu kanë prangosur katër biznesmenë të njohur në fushën e karburanteve, si dhe tre zyrtarë të Tatimeve e Doganave. Bashkë me ta, policia ka arrestuar edhe punonjës të tjerë të kompanive të naftës, që dyshohet se prej rreth tre vite kanë rihedhur në treg naftën virxhin. Arrestimi i të dyshuarve është bërë pasi Gjykata e Tiranës kishte pranuar kërkesën e Prokurorisë për caktimin e masës së sigurisë «arrest me burg» për veprat penale të «mashtrim me pasoja të rënda», «shpërdorim detyre» dhe «falsifikim dokumentesh». Gjatë hetimeve të njësisë «Task Forcë» në Prokurorinë e Tiranës, është bërë e mundur të zbardhet skema e kontrabandës së naftës virxhin, e cila u denoncua si një nga skandalet më të mëdha të abuzimit nga ish-ministri Prifti. Zyrtarisht, Prokuroria e Përgjithshme tha se të dyshuar për këtë veprimtari, që ka nisur në vitin 2007 dhe ka vijuar deri në fillim të vitit 2009, janë biznesmenët e njohur në fushën e hidrokarbureve, Hajri Elezaj dhe Ilias Fisheku. Bashkë me ta, gjykata ka urdhëruar arrestimin e Martin Fishekut, djali i biznesmenit Iljas Fisheku, emrin e të cilit mbajnë edhe rrjeti i karburanteve në pronësi të tij, si dhe vëllanë e këtij të fundit, Bajram Fisheku. «Nga hetimet e zhvilluara deri tani është bërë e mundur të provohet se gjatë periudhës 2007 – 2009, sasi të konsiderueshme te nënproduktit te naftës bruto, të përpunuar dhe të njohur si ‘Virgin’, është tregtuar në territorin e Shqipërisë në kundërshtim me ligjin, duke e paraqitur atë si benzinë të pastër për konsum. Ky aktivitet është realizuar nga ana e subjektit privat ‘Euroil’ sh.a, me ortak dhe administrator shtetasin Hajri Elezaj si dhe në bashkëpunim me subjektin tjetër privat ‘Fisheku’ sh.a, me ortak dhe administrator shtetasin Ilias Fisheku»- tha zyrtarisht Prokuroria e Përgjithshme. E gjithë kjo veprimtari që dyshohet se ka gjeneruar miliona euro të ardhura, sipas akuzës, është organizuar nga dy biznesmenët e njohur në fushën e karburanteve, të cilët janë mbështetur nga zyrtarë të Tatimeve e Doganave, që dyshohet se kanë manipuluar dokumentet. Duke qenë se nafta virxhin nuk mund të përdoret për asgjë tjetër veçse si lëndë e parë për prodhimin e benzinës, biznesmenët kanë mundur të paraqesin sasitë e naftës si të eksportuara, por realisht ajo është rifutur në treg e përzier me benzinë. Për të siguruar faturat doganore që zyrtarisht tregonin se nafta virxhin ishte eksportuar jashtë vendit, biznesmenët dyshohet se janë ndihmuar nga doganieri Edmond Ferraj, i cili gjithashtu ka përfunduar në pranga për shpërdorim detyre. «Sasia e nënproduktit të naftës së quajtur ‘Virgin’ është blerë nga shoqëria e përpunimit të naftës ‘Armo’ sh.a dhe në mënyrë fiktive është pasqyruar me dokumentacion si e eksportuar jashtë shtetit. Por në fakt, ajo është shitur në tregun e brendshëm në kundërshtim me ligjin dhe duke mashtruar konsumatorin shqiptar»- tha Prokuroria, e cila zyrtarisht konfirmoi se në pranga ka rënë edhe një inspektor i Tatim Taksave në Fier, i cili ka ushtruar disa herë kontrolle në kompanitë e dyshuara si të përfshira në skandalin e naftës virxhin. «Në këtë aktivitet janë përfshirë edhe punonjës të caktuar të administratës tatimore dhe doganore, të cilët me veprimet e tyre kanë ndihmuar në fshehjen dhe mosdeklarimin e aktivitetit në fjalë» - deklaroi organi i akuzës.

TË ARRESTUAR

Hajri Elezaj; pronar i ‘Euroil’ sh.a

Ilias Fisheku, pronar i ‘Fisheku’ sh.a

Martin Fisheku , djali i Ilias Fishekut

Bajram Fisheku, vëllai i Ilias Fishekut

Dashamir Kasaj, punonjës i Tatimeve

Edmond Ferraj, doganier në Vlorë

Flamur Merkaj;

Vladimir Koteci;

Gani Prence;

Reshat Aleksi;

Kadri Hajredini, shofer

Çfarë është nafta “virxhin”

Rafineria e përpunimit të hidrokarbureve në Ballsh merr lëndën e parë, naftën bruto nga nëntoka shqiptare, dhe më pas bën ndarjen e përbërësve, që janë solar, bitum apo naftë virxhin. Ajo që rafineria ka interes të shfrytëzojë është nafta me parametra të caktuar squfuri, që në pikat e shitjes identifikohet si “diesel 10-50-100 ppm”. Benzina nuk prodhohet në asnjë vend në Shqipëri, ndaj ajo blihet vetëm në tregun e jashtëm. Nafta virxhin nuk mund të tregtohet në tregun vendas, pasi nuk ka asnjë vlerë përdorimi, përderisa këtu nuk ka kapacitete për prodhimin e benzinës, që në kushtet tona teknike është e pamundur. Për pasojë, qeveria shqiptare, nëpërmjet vendimeve të mirëpërcaktuara e lejon këtë lloj nënprodukti vetëm për eksport. Çmimi i ulët i saj dhe shitja pastaj si naftë, me anë të përzierjes, sjell shkeljen e këtyre ligjeve dhe rritjen e shpejtë të të ardhurave. Por përveç shmangies së taksave, përzierja e naftës virxhin me naftën e vërtetë krijon një produkt që shitet si naftë normale në treg, por që në të vërtetë është një përzierje jashtë çdo lloj standardi mjedisor. Zakonisht, nafta virxhin, që del nga përpunimi i naftës bruto, shkon te 25 për qind e produktit. Pra, për çdo litër naftë bruto, 250 mililitër janë naftë virxhin. Kapacitetet dhe teknologjia që përdor aktualisht rafineria e ARMO-s mundet të nxjerrë 11 për qind naftë virxhin, për çdo litër naftë bruto, nëse i referohesh të dhënave të studimit që Banka Botërore ka bërë për këtë rafineri përpara privatizimit. Kjo do të thotë se për çdo tonelatë naftë bruto, 100 litra janë naftë virxhin.

Ilias Fisheku, prej 17 vitesh

në tregun e karburanteve

Ilias Fisheku është një ndër biznesmenët e parë në fushën e karburanteve në vend. Ai është vëllai i vogël i Shaban Fishekut, i vrarë në vitin 1996 në Fier, për çështje hasmërie. Së bashku me vëllanë tjetër Bajram Fishekun, ai është prej vitesh një ndër biznesmenët më aktivë në përfitimin e tenderave dhe garave publike për blerjen e naftës bruto në kompaninë shtetërore “Albpetrol”. Në vitin 2000 deri në vitin 2003, Ilias Fisheku rezulton të ketë përfituar thuajse pjesën dërrmuese të tenderave më të mëdhenj të blerjes së naftës bruto në “Albpetrol”. Ai së bashku me të vëllanë e tij Bajramin kanë në pronësi kompaninë “Fisheku Oil”, ndërsa me të birin Martinin ka në bashkëpronësi kompaninë “MARTINI OIL”, e cila mendohet se është dhe kompania e lidhur me kontrabandën e dyshuar të naftës “Virgin’, të denoncuar nga Dritan Prifti.

Hajri Elezaj, biznesmeni

i ujit dhe i karburanteve

Hajri Elezaj është një biznesmen me origjinë nga Kukësi, i cili ka nisur të operojë në biznesin e naftës në vitin 2005, me kompaninë “Euroil”, të cilën e themeloi në bashkëpronësi me Arian Tartarin. Ky i fundit është tërhequr nga kompania në vitin 2007, vit në të cilin u përqendrua në kompaninë “Stream Oil”, e cila ka marrë një ndër koncesionet më të mëdha hidrokarbure në zonën e Patos-Marinzës. Hajri Elezaj, nëpërmjet kompanisë “Euroil”, rezulton se ka blerë me dokumente të falsifikuara dhe me fatura fiktive eksporti naftën “virgin”, të cilën e shpërbënte rafineria e ARMO-s, pas përpunimit të sasisë fillestare bruto. Elezi ka në pronësi të vet edhe disa kompani të tjera biznesi, ku një ndër më të njohurat është dhe një markë uji e njohur.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›