E Diel, 1 Nëntor 2026

Skema e kontrabandës, si u shitën për benzinë 47 mijë ton “virxhin”

Hetimi i Prokurorisë/ Nafta “virxhin” blihej me fatura të rreme eksporti dhe dërgohej në depozitat e kompanisë “Fisheku” në Fier, ku përzihej me benzinë. Shitja e saj në tregun e pakicës kapte 70-80 milionë euro fitim

Tiranë Plot 47 mijë ton naftë virxhin, me fitim 70-80 milionë euro në një vit është futur në skemën e kontrabandës që u denoncua nga ish-ministri i Ekonomisë,

Dritan Prifti. Hetimi i mëtejshëm konfirmoi deklaratat e ish-ministrit për aferën e naftës virxhin, që sipas Prokurorisë kapte fitime të majme në dëm të qytetarëve.

Sipas kësaj skeme, të rindërtuar tashmë nga grupi i hetimit, rezulton se pika e nisjes gjatë viteve 2007-2009 ka qenë rafineria e vetme e naftës në vend, “ARMO”, e cila përpunon naftën bruto që nxirrte nga nëntoka kompania “Albpetrol”. Nga përpunimi përfitohej nafta e gatshme për treg edhe nënproduktet e saj si virxhin, solar apo bitum. Ajo që njihet rëndom si naftë “virxhin” është një lëng i tejdukshëm, që shërben si lëndë bazë për prodhimin e benzinës. Por duke qenë se në Shqipëri nuk ekzistojnë rafineri për prodhimin e benzinës, atëherë legjislacioni shqiptar ka përcaktuar vetëm një destinacion për këtë produkt me nivel të lartë ndotjeje: eksportin në vende ku ekzistojnë mundësitë e prodhimit të benzinës.

Blerja me fatura eksporti

Rafineria e vetme në vend duket se ishte pika nga niste furnizimi i të akuzuarve për kontrabandën e naftës, që sipas Prokurorisë janë biznesmenët e hidrokarbureve, Hajri Elezaj dhe Ilias Fisheku. Sipas dëshmisë së Priftit në Prokurori, dhe të dhënave të mbledhura gjatë hetimit, rezulton se nafta virxhin blihej te kompania “Armo” me qëllim eksportin nga biznesmeni Elezaj, veprimtari kjo që ka zgjatur për më shumë se dy vjet. Faturat e eksportit kishin si destinacion vende si Italia, Kosova e Anglia. Por Prokuroria dyshon se vetëm një pjesë e vogël e naftës virxhin gjatë këtyre viteve është eksportuar realisht, pasi pjesa tjetër është rihedhur në treg e përzier me benzinën dhe naftën që tregtohet në pikat e pakicës. Mbajtja e naftës virxhin në Shqipëri është kryer nëpërmjet faturave doganore të falsifikuara, të cilat dyshohet se janë bërë nga dy doganierët e arrestuar ditën e djeshme.

Përzierja me naftën

Sipas skemës së zbardhur tashmë nga Prokuroria, rezulton se nafta virxhin bënte një rrugëtim drejt depozitave të biznesmeni fierak Ilias Fisheku, i cili ka në pronësi një rrjet karburantesh dhe depozitash në rrugën e vjetër nacionale Fier-Lushnjë. Ky produkt shkarkohej në këto depozita, ku edhe i nënshtrohej përzierjes me naftën normale dhe benzinës, veprimtari kjo që kryhej nga punonjësit e kompanisë, të cilët gjithashtu janë arrestuar nga policia. Duke përfituar nga tejdukshmëria e saj, nafta virxhin përzihet lehtë me naftën normale, apo dhe benzinën, duke shtuar kështu sasinë e karburantit që ishte i gatshëm për t’u tregtuar në pikat e pakicës. Ky proces përveç shtimit të sasisë së naftës, automatikisht shtonte edhe të ardhurat, pasi çmimi i blerjes së naftës virxhin është i papërfillshëm në krahasim me çmimin e shitjes pas përzierjes me karburantet normale. Sipas hetimit të Prokurorisë, rezulton se pas përzierjes, karburanti i përftuar tregtohej në pikat e pakicës, ndërsa janë evidentuar raste se ajo u është shitur edhe kompanive të tjera që operojnë në fushën e karburanteve në Shqipëri. Skema në fjalë duket se nuk ka lënë shumë vend për konkurrencë, pasi rritja e fitimit nga përzierja me naftën virxhin u jepte luksin të gjithë biznesmenëve të përfshirë në skemë që të ofronin një çmim shumë të ulët të naftës në treg, në krahasim me grosistët e tjerë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›