Drejtësia mbron pinjollët e xhahilëve të Bllokut
Mazhoranca/ Deputeti Gent Strazimiri. Partia Demokratike dënon vendimin eunuk të Gjykatës së Tiranës në lirimin e Besnik Dabullës, djalit të socialistes Arta Dade, edhe pse ai mbarte vepër penale, atë të tentativës për vrasje
Në një deklaratë për mediat, Gent Strazimiri deputeti i Partisë Demokratike i ka bërë sërish apel drejtësisë që të rishikoi vendimin për djalin e deputetes së Partisë Socialiste Arta Dade. Partia Demokratike reagoi përmes kësaj deklarate duke i bërë thirrje Gjykatës së Tiranës në lidhje me vendimin e saj për të lënë në arrest shtëpie djalin e deputetes së Partisë Socialiste Arta Dades.
Gent Strazmiri deputeti i PD-së deklaroi se “ligji duhet të funksionojë njësoj për të gjithë, edhe për djalin e Artës, edhe për djalin e Hamitit, edhe për djalin e secilit prej xhahilëve që ende sot rëndojnë mbi të sotmen e të ardhmen tonë, si për djemtë e secilit prej prindërve shqiptarë që kane fatin e keq të përballen me ligjin në të njëjtat rrethana”. Gjithashtu me tej, Strazimiri nënvizoi se sjella e organeve të drejtësisë u kujtoi shqiptareve kohën e diktaturës.
“Sot, 20 e ca vjet me pas, krismat në mes të Tiranës, në afërsi të ish-Bllokut i dëgjuam të gjithë! I dëgjoi edhe Policia e Shtetit e cila kreu detyrën sipas ligjit! Ai shtoi e drejtësia nuk mund të sillet sot si në kohën e filmave me kartonë. E keqja është se në krye të 24 orëve, ‘Drejtësia’ na ktheu të gjithëve të njëjtën përgjigje të vjetër: ‘Krisma nuk ka patur, por edhe nëse ka pasur ato kanë qenë diku larg…’, çka të kujton të njëjtën arrogance, prepotencë në emër të fëlliqësisë, perversitetit, krimit, të sundimit të xhahilëve të Bllokut”, tha deputeti i Partisë Demokratike Strazimiri.
Partia Demokratike e ka konsideruar të padrejtë vendimin e Gjykatës së Tiranës e cila vendosi të lërë në arrest shtëpie Besnik Dabullën djalin e deputetes socialiste Arta Dade arrestuar me akuzën e plagosjes së rëndë ndaj Edrin Lufit, nipit të Adil Çarçanit. Strazmiri deklaroi se “sot pas 20 e ca vjetësh, drejtësia shqiptare nuk mund të sillet si në kohën e Tao-Taove pasi kjo ndodhte këtu e 20 vjet më parë në agun e viteve ‘90”. Deputeti i PD-së Strazimiri theksoi se “kjo ishte mënyra e kohës për të shprehur refuzimin ndaj arrogancës, fëlliqësisë, perversitetit, krimit që sundimi i xhahilëve të “’Bllokut’ manifestonte çdo ditë me injorancë e vendosmëri gjithnjë e me të madhe, sa më shumë bëhej evidente se ky popull po varfërohej, përçudnohej, skllavërohej në emër të padrejtësisë dhe idhujve të rremë”.