“PS dështoi në strategjitë e saj për transparencën e votës”
Shtohen kritikat ndaj Edi Ramës se ka krijuar një oligarki politike në PS ku shtypen dhe ndrydhen alternativat. Reagon edhe Arben Malaj
Deputeti dhe anëtari i Kryesisë së Partisë Socialiste Arben Malaj mohon eliminimin e krizës politike me djegien e fletëve të votimit.
Deputeti socialist, i njohur fillimisht edhe si një prej kundërshtarëve të linjës politike të Edi Ramës, thotë po ashtu se nga ngërçi politik i shkaktuar nga opozita, nuk ka përfituar as mazhoranca. Kjo e fundit sipas tij humbi kredibilitetin te publiku, në një ballafaqim politik ku opozita duhej të kishte rritur kurbën e aksionit politik në kërkim të transparencës.
“Nuk mendoj se mazhoranca ka fituar ndonjë avantazh, ka humbur kredibilitetin e institucioneve të dala nga këto zgjedhje dhe ka arritur gjithnjë e më tepër perceptimin publik që zgjedhjet e 2009 minimalisht, nuk kanë arritur standardet që duhet të arrinin dhe maksimalisht janë manipuluar. Lidhur me opozitën është e vërtetë që kurba politike duhet të vinte në rritje, duhej të siguronte transparencën e votës”, tha deputeti socialist, Malaj.
Por kjo i përket asaj që Arben Malaj e etiketon “e shkuar”.
Sipas tij opozita tani duhet të hartojë një strategji jo spontane për garantimin e zgjedhjeve të ardhshme dhe daljen para shqiptarëve me një program të qartë që duhet të përmbushë nevojat e shqiptarëve.
“Pra kam parasysh këtu që aksionet tona politike nuk duhet të nxitohen dhe të jenë spontane, duhet të kemi gati ofertën tonë publike qoftë për përmirësimet ligjore, qoftë për ndryshimet e nevojshme që të garantojnë më mirë zgjedhjet vendore dhe njëkohësisht duhet të kemi gati ofertën publike të modelit të ri të qeverisjes në modelin vendor dhe qendror”, theksoi Malaj.
Por deputeti socialist i artikuluar shpesh kundër linjës së lidershipit të selisë rozë, ruan rezerva edhe për kërkesën e opozitës për zgjedhje të parakohshme. Sipas tij, kjo nuk duhet të bëhet në kurriz të krizës aktuale, pasi kjo do të riprodhonte kriza të tjera.
“Nëse duhet të ketë zgjedhje të parakohshme duhet të vijnë si përgjegjshmëri e të dyja forcave politike dhe jo thjesht si situatë krize që njëra forcë politike krijon ndaj forcës tjetër politike, pasi nuk kemi maksimizuar atë që duhet të arrijmë nëse synojmë thjesht një palë zgjedhje të parakohshme në situata sa më kritike dhe si të thuash, kemi nxitur ripërsëritjen e krizave të herë pas hershme në ambientin politik dhe ekonomik në vendin tonë, çka është investimi më i keq që ne si politikanë mund të bëjmë për vendin tonë”, tha ai. Qëndrimi i deputetit socialist Arben Malaj, është as më shumë e as më pak se ajo që kanë shprehur edhe deputetët e tjerë të Lëvizjes për Mendim Ndryshe, një strukturë kjo që mendohej të reformonte kursin politik të Partisë Socialiste dhe opozitës në tërësi.
Në këtë sens, socialistët dhe anëtarët e forumeve drejtuese të selisë rozë, në bazë të deklaratave apo qëndrimeve të tyre, të shprehura këto publikisht, vazhdojnë të mos pajtohen me linjën e editimit politik që kontrollohet domosdo nga Edi Rama dhe 99-shat e ardhur nga Bashkia e Tiranës. Në kushtet e mungesës së një alternative konkrete dhe të besueshme politike, Partia Socialiste po konfirmohet në opinionin politik si një instrument të vënë në shërbim të interesave personale, të atyre interesave që mbrohen nga oligarkë të tipit “Rama”.