“Të rrëzojmë raportin ‘Dick Marty’, ku të gjallët citohen si të vdekur”
Mblidhet delegacioni shqiptar në KiE. Politika unifikon qëndrimin kundër raportit të Dick Martyt
Klasa politike shqiptare unifikon qëndrimin mbi raportin e deputetit zviceran, Dick Marty. Delegacioni shqiptar në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Europës, diskutoi për afro 45 minuta për mënyrën se si ky raport që akuzon UÇK –në për trafik organesh në Shqipëri, do të kundërshtohet gjatë diskutimit të tij në Strasburg, më 24 janar. Ndonëse palët nuk bënë të ditur asnjë detaj të takimit, e sigurt është mbrojtja në bllok që demokratë e socialistë do të bëjnë në Asamblenë e KiE-s.
Objektivi kryesor dhe i vetmi i delegacionit shqiptar në Strasburg është rrëzimi i raportit të deputetit zviceran Dick Martit i cili hedh akuza të rënda për trafik organesh në Shqipëri kryer nga UÇK e Kosovës.
Ky raport akuzon direkt kryeministrin e Kosovës, Hashim Thaçin që si ish-komandant i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ka trafikuar organet e ushtarëve serbë. Objektivi i parë dhe i vetmi i delegacionit shqiptar në punimet e Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës, që do të zhvillohet nga data 24 deri më 28 janar është pikërisht rrëzimi i këtij raporti të pabazë dhe pa fakte. Për të hedhur poshtë këtë raport kanë nisur dhe diskutimet për mbajtjen e një qëndrimi unik mes anëtarëve të shumicës qeverisëse dhe opozitës në delegacion.
Në ndryshim thelbësor nga një vit më parë, delegacioni shqiptar në KiE mbërrin këtë herë në Tiranë për të bërë lobim vetëm për një çështje dhe ajo është me rëndësi kombëtare, duke lënë mbrapa përplasjet për ngërçin politik të pazgjidhur.
Raporti i Dick Martyt do paraqitet në Asamble më datë 25. Delegacioni shqiptar do të kryesohet nga kryeministri Sali Berisha, ndërsa ai serb nga presidenti Boris Tadiç. Tadiç do t’i drejtohet Asamblesë më datë 26 në mesditë, ndërsa fjalimi i kreut të qeverisë shqiptare, kryeministrit Berisha, do të mbahet në orën 15 të datës 27 janar, pas të cilit do të ketë dhe seancë pyetje-përgjigjesh.
Krerët e politikës shqiptare në qeveri dhe opozitë e cilësuan të pabazuar në asnjë provë dhe argument raportin e Dick Martyt, i cili gjithashtu është i njohur për qëndrimin e tij konstant kundër pavarësisë së Kosovës. Si rrjedhojë, delegacioni shqiptar kërkon rrëzimin e raportit të Martyt, si një raport që bie ndesh dhe me parimet e Këshillit të Evropës. Duke e cilësuar Luftën Çlirimtare të popullit të Kosovës si një nga faqet më të ndritura të lirisë së kombit shqiptar, por edhe të Ballkanit, kryeministri Berisha pak ditë më parë në një takim me ish-kryeministrin kosovar Agim Çeku e cilësoi raportin e Dick Martyt si shpifje dhe trillime të gatuara në Beograd nga Millosheviçi dhe ultra-nacionalistë të tjerë serbë.
Ndërkohë në datën 27 janar pritet që kryeministri Berisha të ketë një seancë pyetje prej 60 minutash ku do të ketë përballë anëtarin e kësaj Asambleje Dick Marty për raportin e të cilit është shprehur tashmë, duke e cilësuar si shpifje të pabazuar në fakte.
Që pas publikimit të raportit të deputetit zviceran, Tirana zyrtare në unison të plotë edhe me qëndrimin e Prishtinës zyrtare i kanë cilësuar pretendimet e ngritura në raport shpifje e trillime, duke u kërkuar institucioneve ndërkombëtare që të hetojnë në lidhje me çdo çështje që ka të bëjë me krimet e luftës në ish-Jugosllavi. Kryeministri Berisha, presidenti Topi, kryeparlamentarja Topalli, kryesocialisti Rama dhe deputetë të parlamentit kanë kërkuar gjithashtu që edhe Dick Marty të paraqesë prova për akuzat e ngritura.
Duke e cilësuar Luftën Çlirimtare të popullit të Kosovës si një nga faqet më të ndritura të lirisë së kombit shqiptar, por edhe të Ballkanit, kryeministri Berisha pak ditë më parë në një takim me ish-kryeministrin kosovar Agim Çeku e cilësoi raportin e Dick Martyt si shpifje dhe trillime të gatuara në Beograd nga Millosheviçi dhe ultra-nacionalistë të tjerë serbë.
Kuvendi, seancë përgatitore për seancën e 24 janarit
Kuvendi i Shqipërisë zhvilloi ditën e djeshme një mbledhje përgatitore para seancës së 24 janarit në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Europës, për të unifikuar qëndrimin që do të mbahet kundër raportit të Dick Martyt.
Në këtë mbledhje, objekt i diskutimeve ishte qëndrimi që do të mbajë delegacioni shqiptar në Asamblenë e Këshillit të Europës. Politika shqiptare i ka dënuar njëzëri akuzat e bëra prej Dick Martit në adresë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe kryeministrit Hashim Thaçi.
Partia për Drejtësi dhe Unitet ka nisur të shpërndajë në të gjitha qytetet e Shqipërisë një peticion që po nënshkruhet në mënyrë masive nga qytetarët kundër akuzave të raportit të Dick Martit.
Raportuesi i KiE, pa përgjigje për dëshmitarët e gjallë
Raportuesi i Këshillit të Evropës, Jean-Charles Gardetto, i cili në raportin e tij kishte shkruar se dëshmitarët vriten në Kosovë, ka refuzuar të flasë se dëshmitarët të cilët ishin shpallur të vrarë në raportin e tij janë gjallë.
Gazeta serbe “Politika”, ka shkruar ditën e djeshme se redaksia ka tentuar të marr përgjigje për këtë çështje nga zyra e Gardettos në Monako, mirëpo nuk ka marrë asnjë përgjigjeje. Sipas tyre arsyetimi i zyrës së Gardettos ka qenë se është ende herët të flitet për këtë çështje në këtë fazë të proceseve. Raportuesi i Këshillit të Evropës, Jean-Charles Gardetto më 26 janar do të raportojë në Këshillin për çështjet juridike dhe të drejtat e njeriut të Asamblesë Parlamentare të KE për mbrojtjen e dëshmitarëve në Ballkan.
Mes të tjerash Gardetto në raportin e tij ka theksuar emrat e dëshmitarëve nën mbrojtjen e Tribunalit të Hagës - Sadik dhe Vesel Muriqin - për të cilët pohon se janë vrarë gjatë procesit të Ramush Haradinajt. I menjëhershëm ka qenë reagimi i Sadik dhe Vesel Muriqit. Ata gjatë një rrëfimi në “Koha Vision”, kanë thënë se janë gjallë dhe nuk kanë qenë dëshmitarë të Hagës.