E Diel, 1 Nëntor 2026

Drejtësia në Shqipëri mbetet e brishtë

25/01/2012  Sequi: E presin shqiptarët. Ina Rama: Vështirë, por arrihet. Halimi: Nevojë për ekuilibër

Në tryezë u trajtua liria e gjyqësorit dhe barazia para ligjit

TIRANË- Në takimin e krerëve të drejtësisë, ambasadori i BE-së në Shqipëri, Ettore Sequi ritheksoi domosdoshmërinë e një hetimi gjithëpërfshirës dhe të pavarur nga politika për ngjarjet e 21 janarit të një viti më parë. “Në përgjithësi nuk bëjmë komente për hetimet. Kemi ndjekur me vëmendje konferencën e kryeprokurores, ambasadorit të SHBA, zëdhënëses së kryeministrit dhe deklaratën e opozitës për ngjarjen e 21 janarit. Po ndjekim nga afër zhvillimin e ngjarjeve. Përpara disa ditësh së bashku me OSBE dhe SHBA, BE-ja ka nxjerrë një deklarate të përbashkët, ku theksohej nevoja për zbardhjen e ngjarjeve të 21 janarit. Është e rëndësishme që ky proces të jetë i pavarur, gjithëpërfshirës dhe pa ndërhyrje politike. Shqiptarët presin që të vendoset drejtësi”- tha Sequi. ”Ne kemi nevojë imediate për të vendosur ekulibrin e duhur midis pavarësisë dhe përgjegjshmërisë apo llogaridhënies. Këto dy komponente janë të pandarë nga njëra -tjetra dhe grantojnë sistemin e ndarjes dhe balancimit të pushteteve, që sanksionohet në Kushtetutën shqiptare”,- tha ministri Halimi, duke shtuar se ka një nevojë imediate që rrugës drejt konsolidimit të sistemit duhet ti bashkohen në radhë të parë edhe vetë aktorët e drejtësisë. Kreu i ministrisë së Drejtësisë shprehu gjithashtu nevojën për miratimin në Parlament të projektligjeve të rëndësishme për reformimin e sistemit të drejtesisë. Gjatë fjalës së saj në tryezë, kryeprokurorja Ina Rama shprehu mirënjohje për mbështetjen dhe asistencën që Komisioni Europian po i jep sistemit të drejtësisë në vendin tonë. Duke theksuar vështirësitë me të cilat përballet sistemi i drejtësisë, prokurorja e përgjithshme deklaroi se në themel të vendosjes së drejtësisë mbetet vullneti. “Është e vështirë të bëhet drejtësi por së bashku jemi të vendosur se drejtësia përcaktohet nga vullneti”,- deklaroi kryeprokurorja. Nënkryetari i KLD Kreshnik Spahiu theksoi në këtë tryezë se gjyqësori më shumë se kurrë duhet të dëshmojë se garanton barazi mes qytetarit dhe politikanit. “Proceset gjyqësore të garantojnë barazi, që qytetari dhe politikani të jenë të barabartë, duke parë dhe kërkuar që shteti dhe individi të jenë të barabartë pasi të gjithë i kanë sytë te drejtësia që duhet të tregojë integritet në problematikat më të rëndësishme kur përballet me njerëz në politikë”- tha Spahiu

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›