E Shtunë, 31 Tetor 2026

Braçe: Duhet larguar Blendi Klosi

25/01/2012  Deputetët e PS replikojnë me njëri-tjetrit pas ndarjes së zonave

Sekretari organizativ shprehet se në parti nuk ka debate për zonat

Çorganizim, paralizë e 1/3 së PS-së, me përgjegjës pikërisht lidershipin socialist - ky ishte konstatimi i ardhur dje nga deputeti socialist Erion Braçe lidhur me mënyrën e organizimit dhe funksionimit të partisë më të madhe opozitare. Kështu, ndarja e zonave të mbulimit për secilin nga anëtarët e kryesisë së PS-së është kthyer në mollë sherri për përfaqësuesit socialistë. Veç kundërshtimeve për mënyrën e kësaj ndarjeje debati, ekzistenca e të cilit u mohua nga lidershipi socialist, ka nxjerrë në pah një tjetër përplasje mes radhëve të kësaj partie. Në një replikë në distancë deputeti Erion Braçe ka shfryrë mllefin e tij ndaj deklaratës së bërë nga sekretari organizativ Blendi Klosi, i cili jo vetëm që përjashtoi prezencën e debateve në parti, por delegimet në zonat përgjegjëse i cilësoi si “një pikë force, që do ti japë Partisë Socialiste një përafrim më të madh me njerëzit e thjeshtë”.

Anëtari i kryesisë socialiste Erion Braçe i kundërvihet hapur procesit të organizimit të partisë socialiste. Në statusin e tij në rrjetin social “Facebook”, duke iu referuar deklaratave të ardhura nga drejtues të PS-së, të cilët përjashtonin prezencën e debateve në radhët e kësaj partie lidhur me ndarjen e zonave të mbulimit për anëtarët e kryesisë, Braçe shkruan: “A e dini se sot në PS nuk janë kryer zgjedhjet e drejtuesve të PS-së në 117 njësi vendore, ku është e organizuar partia? Pra, në më shumë se 1/3 e tyre. Duke nisur nga kryeqyteti i Shqipërisë, Tirana! Zgjedhjet në PS janë mbajtur javë të tëra para kongresit të PS-së. Në këto njësi nuk u mbajtën në periudhën normale e nuk janë mbajtur as 2 muaj pas kongresit, duke paralizuar veprimtarinë e PS-së atje.”

Veç evidentimit të këtij problemi deputeti socialist shkon më tej duke shigjetuar në mënyrë të drejtpërdrejtë përgjegjësit e një handikapi të tillë në PS. “E dini kush është përgjegjës për këtë? Sekretari organizativ dhe drejtuesit politikë të PS-së në kryesi, asamble e degët lokale të PS-së të ngarkuar për këto zona. Problem në këtë parti nuk është zëvendësueshmëria e pamotivuar, por mungesa e përgjegjësisë ndaj detyrës dhe analiza e përgjegjësisë së gjithsecilit”, - thuhet në statusin e Braçes në “Facebook”. Madje, deputeti socialist nuk ngurroi të kërkojë dhe zëvendësimin e socialist Klosi në postin e sekretarit organizativ të PS-së. “Nëse flasim për zëvendësueshmëri, i pari i zëvendësueshëm duhet të jetë sekretari organizativ. Pastaj me radhë të gjithë ata drejtues politikë, të çdo niveli, që kanë krijuar gropa të tilla në veprimtarinë partiake, por dhe elektorale. Gjithnjë në kuptim të përgjegjësisë ndaj detyrës dhe punës”, - shprehej Braçe.

Deklarata e Klosit

"Është bërë mbase në ndryshim nga herët e tjera një ndarje me specifike, më e detajuar, ndarje e cila do të kërkojë që anëtarët e Asamblesë Kombëtare, anëtarë e kryesisë, të zgjedhurit e të gjitha niveleve të PS-së deri në fund të muajit mars të kenë një kontakt të plotë, 100 për qind në të gjithë territorin e Shqipërisë, duke u kërkuar që jo vetëm të kontaktojnë strukturat tona për të përgatitur një vit të fortë elektoral.”

Qëndrimi i Ramës

“Është nevoja e pushtetit për të cenuar frymën e brendshme të PS-së dhe imazhin e saj, duke krijuar edhe nga asgjëja diçka që të prishë shijen e publikut për PS-në, si një shtëpi ku ska ditë që të mos ketë sherr, çka në fakt është krejt e pavërtetë”, - shkruan Rama në editorialin e tij. Në këtë mënyrë, kryetari i PS-së përjashtoi çdo mundësi për mosrënie dakord mes anëtarëve të forumit socialist lidhur me ndarjen e zonave.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›