E Shtunë, 31 Tetor 2026

Miratohet buxheti për vitin 2012, përplasje në mbledhje

26/01/2012  Këshilli Bashkiak, e majta “braktis” deputetin e djathtë

ELBASAN- Mbledhja e radhës së Këshillit Bashkiak në Elbasan i është kushtuar kryesisht analizës së punës dhe buxhetit të bashkisë për 2012. Në përfundim të diskutimeve për buxhetin, ka marrë fjalën edhe deputeti i PD-së Aurel Bylykbashi. Në këtë kohë kryetari i Bashkisë, nënkryetarët dhe të gjithë këshilltarët e majtë kanë braktisur sallën. Deputetit Bylykbashi i është dashur të flasë vetëm para këshilltarëve të djathtë. Ai hodhi sërish akuza për bashkinë për mbledhje selektive të taksave, korrupsion të tatimorëve, mungesë investimi për fushën e plehrave. Me kthimin e Sejdinit dhe të këshilltarëve të majtë, përfaqësues të së djathtës e kanë cilësuar largimin si fyerje të një të zgjedhuri. Sejdini ka deklaruar se sa herë që deputeti Bylykbashi do të jetë në sallën e Këshillit ai nuk do të jetë. Sejdini tha se përgjigja më e mirë ndaj Bylykbashit janë 8 mijë vota më tepër nga qytetarët e Elbasanit. Në përfundim është miratuar me shumicë votash buxheti 2012 i Bashkisë Elbasan. Pas një sërë diskutimesh dhe debatesh nga këshilltarët bashkia Elbasan do të ketë buxhetin e saj me një vlerë totale rreth 970 milionë lekë për të operuar ndryshe nga viti i kaluar kur vazhdoi punën me 1/12 e buxhetit paraardhës. Programi i infrastrukturës rrugore do të kërkojë 142 milion lekë, i shërbimeve publike rreth 212 milionë lekë, programi i arsimit parauniversitar 111 milion lekë ndërsa ai i kujdesit social 42 milionë lekë. Me shpenzime më të pakta renditen kultura, rinia e sportet.

L. LL

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›