E Diel, 1 Nëntor 2026

Qeveria: Vijon kthimi i pronave deri në 30 prill 2013

TIRANE- Agjencia e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave (AKKP) do të shqyrtojë dhe do të ketë të drejtën e marrjes së vendimeve për dosjet e ish-pronarëve deri në datën 30 Prill 2013, pasi sot Qeveria miratoi shtyrjen e afatit të mëparshëm të skaduar në 31 dhjetor 2011.

Vendimi i Qeverisë bazohet në propozimin e ministrit të Drejtësisë me p/ligjin "Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr.9235,datë 29.7.2004, "Për kthimin dhe kompensimin e pronës", të ndryshuar", që parashikon shtyrjen e afatit të kthimit, vlerësimin me vlerën e tregut për kompensim të pronave të zëna, krijimin e Drejtorisë së Kordinimit, etj.

 Një ndër ndryshimet kryesore është shtyrja e afatit të kthimit të pronave deri në datën 30 prill 2013.

P/ligji i ri merr në konsideratë kompensimin e pronës së zënë të ish-pronarëve me vlerën e tregut. Për këtë qëllim, neni 13 parashikon që "vlerësimi i pronës që kompensohet, do të kryhet në përputhje me parimet e përgjithshme të vlerësimit të pasurive të paluajtshme, bazuar në vlerën e tregut sipas standardeve ndërkombëtare të vlerësimit të pasurisë së paluajtshme, llojin e pasurisë dhe qëllimin e përdorimit të saj".

Procesit të vlerësimit të pronës i nënshtrohen: toka dhe objektet ndërtimore. Në kategorinë e tokës përfshihen toka bujqësore, toka pyjore, pyje, livadhe dhe kullota, truall i përdorur për qëllime publike, tregtare, industriale, etj.

P/ligji parashikon që vlerësimi i pasurive të paluajtshme sipas metodikës do të kryhet bazuar në elementet si çmimin e tregut; llojin dhe qëllimin e saj. Vlera e pasurisë së paluajtshme do të llogaritet si një shumë e vlerave të një njësie, objekti ndërtimor/struktura inxhinierike dhe tokës mbi të cilën ngrihet kjo e fundit, të cilat do të formojnë një pasuri të veçantë të paluajtshme.
(ma.ar/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›