E Diel, 1 Nëntor 2026

Rrugorët: Gjobë me postë kush ecën shpejt në Tiranë

14/04/2010 Pikat ku janë instaluar matësit me rreze të kuqe. Ekspertët: Mënyrë është e paligjshme.

TIRANE- Policia Rrugore e Tiranës ka ndërmarrë një praktikë të re që parashikon zbehjen e rolit të policit rrugor dhe zëvendësimin e tij me një aparaturë, e cila kap gabimin e shoferit dhe e gjobit atë me vlerën përkatëse financiare. Gjoba i dërgohet në banesë me postë drejtuesit të mjetit ose ky i fundit njoftohet nga strukturat e Policisë Rrugore. Këto masa vijnë paralelisht me një projektligj të Këshillit të Ministrave që parashikon gjobë deri në 2 milionë lekë të vjetra për mjetet mbi 3 tonë që nuk kanë tahograf (pajisja e cila së paku siguron regjistrimin e shpejtësisë dhe rrugën e kaluar të mjetit). Sipas ekspertëve, policia s’ka paralajmëruar qytetarët për vendosjen e këtyre aparaturave, të cilat çdo ditë e më tepër janë duke vendosur gjoba, në kushtet kur në rrugët e Tiranës nuk ekziston sinjalistika rrugore dhe se semaforët janë të mbuluar nga reklamat e dyqaneve dhe degët e pemëve. Për më tepër, ekspertët e pavarur tregojnë se policia duhet të tregojë akset rrugore ku janë vendosur radarët, me qëllim që edhe drejtuesit e mjeteve të sensibilizohen duke respektuar të gjitha kushtet që parashikon Kodi Rrugor. Prej disa kohësh në rrugët e kryeqytetit janë instaluar disa radarë, ku nëpërmjet tyre bëhet fotografimi, matja e shpejtësisë së automjeteve dhe gjobitja e tyre sipas shkallës së gabimit të kryer në rrugë. Pajisja funksionon me rreze të kuqe dhe aktualisht dhjetë prej tyre janë instaluar në akset kryesore të Tiranës, ku dhe trafiku është më i dendur (Bulevardi kryesor, Presidenca, qendër, Rruga e Elbasanit, etj). Mënyra e funksionimit të pajisjeve në fjalë është e ngjashme me kontrollorët e trafikut rrugor në vendet evropiane, si dhe në disa vende të rajonit. Përmes kamerave të instaluara në kryqëzimin apo aksin rrugor, radarët fotografojnë çdo kundërvajtje, si lëvizja në korsinë e gabuar, parkimet, shpejtësinë, etj, dhe bëjnë fotografimin dixhital të ngjarjes, duke e dërguar në njësinë qendrore. Në mënyrë automatike, kjo e fundit vendos shkallën e shkeljes dhe më pas pret gjobën për drejtuesin e automjetit.

ǒparashikohej tek kodi i mëparshëm

Në Kodin Rrugor ka qenë e parashikuar një gjobë nga 100 deri në 400 mijë lekë të vjetra për ata që qarkullonin me një mjet të papajisur me tahograf, ndërsa dyfishohet, kur janë prekur vulat ose është ndryshuar tahografi. Mbajtësi i licencës ose i autorizimit për transport mallrash, që vë në qarkullim një mjet të papajisur me tahograf ose pa fletët e tij të regjistrimit, apo me tahograf pa vula ose që nuk funksionon, ndëshkohet me masë administrative me gjobë nga dhjetë mijë deri në dyzet mijë lekë. Në Kodin e mëparshëm Rrugor kanë qenë të përcaktuara edhe disa afate që me kodin e ri përshtaten me vendimin e Këshillit të Ministrave.

Gjobë deri 2 milionë e 400 mijë lekë kush nuk ka ose “fut duart” tek matësi i shpejtësisë

Këshilli i Ministrave miratoi disa ndryshime e shtesa në ligjin e Kodit Rrugor të Republikës së Shqipërisë, ku parashikohen masa drastike për drejtuesit e mjeteve që nuk pajisen me tahografë (matësa të shpejtësisë). Më konkretisht:

1. Pikat 1, 2 e 3 ndryshohen, si më poshtë vijon:

1. Mjetet duhet të qarkullojnë të pajisura me tahograf, në përputhje me përcaktimet e bëra në aktin nënligjor të Këshillit të Ministrave, për karakteristikat, për rastet e për mënyrat e përdorimit.

2. Cilido, që qarkullon me një mjet të papajisur me tahograf, në rastet kur është parashikuar pajisja me të apo kur është pajisur me një tahograf, që nuk i ka karakteristikat në përputhje me ato të përcaktuara në aktin nënligjor të Këshillit të Ministrave apo kur tahografi nuk funksionon ose kur nuk është futur letra e regjistrimit apo karta e tahografit të drejtuesit, ndëshkohet me masë administrative, me gjobë nga tridhjetë mijë deri në njëqind e njëzet mijë lekë. Masa ndëshkimore me gjobë dyfishohet, kur janë prekur vulat ose është ndryshuar tahografi.

3. Mbajtësi i licencës ose i autorizimit për transport mallrash apo personash, që vë në qarkullim një mjet të papajisur me tahograf ose pa fletët e tij të regjistrimit apo pa letër printeri ose pa kartën e tahografit të drejtuesit apo me tahograf të prekur a që nuk funksionon, ndëshkohet me masë administrative me gjobë nga tridhjetë mijë deri në njëqind e njëzetë mijë lekë”.

2. Pas pikës 6 shtohet pika 6/1, me këtë përmbajtje:

“6/1. Kur ekzistojnë prova se tahografi është prekur a ndryshuar ose në rastin kur ai është jashtë funksionit, organet e kontrollit sipas nenit 12, duke e shoqëruar automjetin a duke e tërhequr, në kushte sigurie, pranë ofiçinës më të afërt të autorizuar për instalime apo riparime, urdhërojnë verifikimin e funksionalitetit të kësaj pajisjeje. Shpenzimet për verifikimin dhe rivendosjen e funksionalitetit të tahografit janë në çdo rast në ngarkim të pronarit të automjetit apo të mbajtësit të licencës ose të autorizimit për transport mallrash a personash së bashku”.

3. Fjalia e dytë e pikës 7 ndryshohet, si vijon më poshtë:

“Kur drejtuesi i mjetit dhe mbajtësi i lejes së transportit nuk janë i njëjti person, periudha e mësipërme, nga data e marrjes së shënimit në procesverbal, mund të zgjatet në përputhje me periudhën, që parashikohet në aktin nënligjor të Këshillit të Ministrave”.

Pas pikës 10 shtohet pika 11, me këtë përmbajtje:

“11. Ofiçinat e tahografit e ushtrojnë veprimtarinë e tyre për instalimin, aktivizimin e kalibrimit, inspektimin dhe riparimin në përputhje me udhëzimin e ministrit përgjegjës për transportin. Shkelja e dispozitave të përcaktuara për këtë veprimtari nga ofiçinat e tahografit dënohet me gjobë nga pesëmbëdhjetë mijë deri në njëqind mijë lekë. Kur vërtetohen tri shkelje sipas kësaj pike, brenda një viti, vlera e gjobës dyfishohet dhe, në rast përsëritjeje, ofiçinës i hiqet e drejta e ushtrimit të veprimtarisë, të paktën, për një vit”.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›