E Diel, 1 Nëntor 2026

Vajza 19 vjeç, grup për të vjedhur lopët e fshatit

14/04/2010 Policia gjen armë në banesën e saj, i arrestojnë të atin dhe një tjetër. Shpallet në kërkim policor

DURRES- Një vajzë e moshës 19 vjeçe është shpallur në kërkim, pasi ajo është akuzuar se ka bashkëpunuar me dy shtetas të tjerë si pjesëmarrës në vjedhjen e bagëtive. Marsida SH. 19 vjeçe nga fshati Gramëz i Durrësit dhe 34-vjeçari Astrit L. nga Larushkë janë shpallur në kërkim, pasi ndaj tyre policia ka lëshuar dyshimet e pjesëmarrjes në vjedhjen e bagëtive në vathën e lopëve të shtetasit S. Z. në Bubq.

Vjedhjet

Policia nuk ka dhënë sqarime se ç’lidhje ka vajza 19-vjeçare me shtetasin nga Larushka, por ka theksuar se ata dyshohet se kanë vjedhur dy lopë. Pas kallëzimit në polici, efektivat blu kanë gjetur në shtëpinë e vajzës një ramë gjahu që mbahej pa leje. Arma ka sakrifikuar të zotin e shtëpisë, pasi në pranga është vënë shtetasi Rexhep SH. 70 vjeç nga Gramëz dhe shtetasi Shpëtim K. 23 vjeç nga Shkafane. Ky i fundit është akuzuar si bashkëpunëtor me dy personat e tjerë të shpallur në kërkim. Bagëtitë janë nxjerrë nga kasollja pas orës 23:00 në kohën që familjarët kanë rënë për të fjetur. Në këtë kohë hajdutët në mesin e tyre edhe një femër e moshës së re kanë hyrë në oborrin e shtetasit S. Z. në Bubq dhe kanë nxjerrë dy lopë për t’i transportuar më pas në drejtim ende të papërcaktuar. Edhe pse janë ndaluar dy persona, asnjëri nuk ka dhënë informacion për strehimin e Marsida Shehut dhe të Astrit Lazes të akuzuarit kryesor për vjedhjen e bagëtive. Rasti ka lënë të habitur dhe vetë efektivët e policisë, të cilët janë shtangur para faktit që një vajzë e re të ishte pjesë e një grupi për vjedhjen e bagëtive. Gjithsesi policia e ka shpallur atë në kërkim policor si dhe bashkëpunëtorin e saj 34 vjeç.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›