E Shtunë, 31 Tetor 2026

Prokuroria kërkon burg të përjetshëm për Besim Karajin

14/04/2010 Duket se vrasësi i 3 vëllezërve nga fshati Vidohovë nuk përfiton ulje dënimi

Autori u vetëdorëzua dhe pranoi krimin, sipas ligjit i ulet 1/3 e dënimit

KORÇE- Burg të përjetshëm ka kërkuar prokurori i çështjes për 43-vjeçarin Besim Karaji, i cili në datë 30 janar të këtij viti, la të vrarë me armë zjarri tre vëllezër nga fshati Vidohovë i rrethit Devollit dhe konkretisht vëllezërit: Taulant Mulliri të datëlindjes 08.01.1987; Xheljan Mullirin të datëlindjes 21.05.1984; si dhe Edelvan Mullirin të datëlindjes 01.10.1992, për shkak se Karai kishte mësuar lidhjen intime që kishte pasur njëri prej vëllezërve Mulliri me bashkëshorten e tij. Edhe pse në seancën gjyqësore të mëparshme, Gjykata e Shkallës së Parë Korçë mori parasysh kërkesën e të pandehurit për gjykim të shkurtuar, gjë që u duk sikur i akuzuari për vrasje të trefishtë do t’i shpëtonte burgimit të përjetshëm, kjo edhe për faktin, sepse i pandehuri, pas kryerjes së aktit kriminal ishte vetëdorëzuar në Komisariatin e policisë së Fushë-Krujës, sërish nga ana e prokurorit u kërkua dënimin maksimal për të pandehurin. Për prokurorin e çështjes, Karaji kishte kryer veprën penale të “vrasjes në rrethana të tjera cilësuese dhe prodhim dhe mbajtje pa leje të armëve luftarake dhe municionit”, të parashikuar nga neni 79, germa “dh” dhe 278/4 të Kodit Penal. Gjithsesi, do të jetë seanca gjyqësore e radhës ajo që do të përcaktojë, ndoshta përfundimisht, nëse i pandehuri do të marrë dënimin maksimal apo dënimin me 25 vjet burg, pasi Gjykata e Shkallës së Parë Korçë do të japë vendimin e saj pasi të këtë dëgjuar edhe konkluzionet e mbrojtjes të të pandehurit. Seanca gjyqësore e ditës së martë u zhvillua me dyer të mbyllura dhe pa praninë e familjarëve të viktimave, sepse siç dihet nga të afërmit e tre vëllezërve të vrarë, në seancat e mëparshme gjyqësore, ka pasur shfaqje të agresivitetit. Megjithatë, gjykimi me dyer të mbyllura kishte parasysh edhe mbrojtjen e të pandehurit, si dhe mbarëvajtjen e gjykimit.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›