E Diel, 1 Nëntor 2026

Drejtësia, përplasje Topalli-Berisha

Reforma në sistemin e drejtësisë ka krijuar një përplasje të re mes Kuvendit dhe qeverisë. Drejtuesit e Parlamentit janë shprehur se janë të gatshëm të nisin punën për realizimin e kësaj reforme, por ata theksojnë se deri më tani qeveria ende nuk ka paraqitur në Kuvend një draft konkret mbi të cilin të nisin diskutimet përkatëse. Kryetari i Komisionit parlamentar të Ligjeve, Fatos Beja, komision i cili ka edhe peshën më të madhe të diskutimit dhe të realizmit të reformës në drejtësi, është shprehur se ata janë të gatshëm të ulen në tryezë dhe të diskutojnë për të përfunduar reformën dhe të ujdisin konsensusin e nevojshëm mes mazhorancës dhe opozitës. "Ne si komision, tha Beja, jemi gati. Puna nis që nesër, nëse në tryezë do të kemi projektligjet. Pas miratimit të ligjit për organizimin e sistemit gjyqësor, ne kemi pjesërisht gati vetëm draftin për administratën e gjyqësorit, për të cilën, thekson ai më tej, personalisht kam komunikuar me ministrin e Drejtësisë dhe ata po punojnë me Këshillin e Evropës, që po ecin për plotësimin e saj. Me ta përfunduar ne jemi gati të nisim diskutimin e saj dhe për këtë kemi rënë dakord të dy palët". Dy ditë më parë, dy kryetarët e grupeve parlamentare, përkatësisht Patozi për PD-në dhe Leskaj për PS-së, bënë deklaratat e tyre mediatike, se janë gati të nisin diskutimet për përfundimin e reformës në sistemin e drejtësisë. Deklaratat e dy kryetarëve të grupeve të mazhorancës dhe opozitës janë komentuar dje edhe nga deputeti i LSI-së, Spartak Braho. Sipas tij, këto prononcime nuk janë aspak profesionale. "Kanë një akord midis tyre, pasi prapë vazhdon një ‘love story‘ mes PD-së e PS-së. Aktualisht nuk ka një draft konkret për të nisur punën dhe ky draft duhet të jetë pjesë e një ekspertize të gjerë me tërë aktorët dhe faktorët e organeve të sistemit të drejtësisë. Reforma ende nuk ka filluar dhe përsëri kemi dyshime për një reformë shkel e shko, ashtu siç u bë edhe ligji për sistemin gjyqësor", është shprehur Braho. Puna për realizmin e reformës në sistemin e drejtësisë ka nisur që në muajin nëntor të vitit të kaluar, por Kuvendi arriti të miratojë vetëm ligjin për organizimin e pushtetit gjyqësor. Ligj i cili vërtet pati miratimin e dy partive të mëdha, por u kontestua nga shoqata e gjyqtarëve, të cilët janë shprehur vazhdimisht të pakënaqur, duke deklaruar se ky ligj është miratuar pa i pyetur dhe pa marrë parasysh ndonjë sugjerim të tyre. Kuvendi e miratoi me procedura të përshpejtuara projektligjin për organizimin e pushtetit gjyqësor, pasi realizmi i kësaj reforme ishte një nga kushtet e kryesore për pranimin në NATO dhe BE, ku dhe pas asaj u mor edhe ftesa në Samitin e Bukureshtit në fillim të prillit. Por pavarësisht mosrealizimit të plotë të kësaj reforme, falë zbutjes së klimës politike dhe konsensusit pozitë-opozitë, Shqipëria mori ftesën për në NATO, me premtimin se do të niste menjëherë punën për realizmin e reformave, të cilat kishin mbetur në mes.

Deputeti i LSI-së dhe ai i PD-së shprehen se institucioni i Prokurorisë duhet të jetë i pavarur

Braho e Sula: Prokuroria të mos varet nga qeveria

Realizimi i reformës në sistemin e drejtësisë ka shtuar frikën në radhët e partive politike se mos mazhoranca këmbëngul për kalimin e institucionit të akuzës në varësi të ekzekutivit. Deputeti i LSI-së, Spartak Braho, gjatë një prononcimi për mediat ka deklaruar dje se "institucioni i akuzës duhet të vazhdojë kështu siç është, sepse po të jetë pjesë e ekzekutivit, atëherë zoti Berisha, zotin Sefgjini e bën sekretar të Përgjithshëm të Këshillit të Ministrave". Në të njëjtë linjë mendimi me deputetin Braho për çështjen e varësisë së institucionit të akuzës ka qenë edhe deputeti i PD-së, Dashnor Sula. Duke sjellë ndërmend disa modele të ndryshme, siç është në SHBA që prokurori zgjidhet nga Presidenti, deputeti Sula është shprehur se edhe këtu te ne kjo traditë duhet të vazhdojë, pra zgjedhja dhe varësia e institucionit të akuzës të jetë kështu siç është aktualisht. Ai mendon se tashmë reformimi politik i është bërë këtij institucioni nga Kuvendi, duke i vënë kufizimin e mandatit prej pesë vjetësh, dhe tani le të nisë puna për reformimin institucional dhe profesional të këtij organi kushtetuese. Sipas Sulës, nëse ndryshon varësia e institucionit të akuzës tek ekzekutivi atëherë duhet të bëhen edhe disa ndryshime të tjera, pasi Kushtetua nuk e lejon një gjë të tillë. Organi i prokurorisë, tha deputeti demokrat, duhet të jetë i pavarura, pasi edhe funksionimi i saj do të jetë më pozitiv. Kjo sipas tij vërtetohet edhe nga hetimet që organi i akuzës ka ndërmarrë aktualisht edhe ndaj zyrtarëve më të lartë të shtetit, siç janë deputetët dhe ministrat. Sipas PD-së dhe PS-së, së shpejti pritet të nisë puna e lënë në mes për reformimin e sistemit të drejtësisë, punë e cila do të vijojë nga nënkomisioni i ngritur brenda Komisionit të Ligjeve. Aktualisht, Kuvendi ka arritur të miratojë vetëm ligjin për reformimin e gjykatave.

Ligji për imunitetin, struktura e KLD-së dhe Policia Gjyqësore

Tri shtyllat kryesore të reformës në Drejtësi

Pas miratimit të ligjit të parë për reformën në drejtësi, tre janë draftet e tjera që kompletojnë këtë cikël. Përcaktimi me ligj i Inspektoratit të KLD-së, ligji për imunitetet e zyrtarëve të shtetit (jo vetëm ministrat e deputetët), si dhe ligji për Policinë Gjyqësore. Miratimi i tërë këtyre ligjeve duhet të bëhet patjetër me 84 vota në Kuvend. Sipas kryetarit të Komisionit parlamentar të ligjeve, njëherësh dhe nënkryetar i Kuvendit, Fatos Beja, bashkëpunimi mes PD-së dhe PS-së është i domosdoshëm për realizimin e reformave të mëdha të kërkuara nga ndërkombëtarët. Tri janë e çështjet e rëndësishme që presin të zgjidhen pas diskutimeve dhe mbështetjes që duhet të japë opozita dhe që kanë të bëjnë me realizmin e reformës në sistemin e drejtësisë. Këto çështje janë Inspektorati i Këshillit të Lartë të Drejtësisë, çështja e Imuniteteve, si dhe çështja e organizimit të Policisë Gjyqësore. "Me opozitën dhe me ekspertët do të plotësojmë të gjitha vakumet e sistemit të drejtësisë", është shprehur Beja. Dy ditë më parë socialistët u tërhoqën vëmendjen demokratëve për lënien pas dore të reformës në drejtësi, ndërkohë që PD, me anë të Patozit, sqaroi se kjo shtyrje ka ardhur vetëm për shkak të axhendës së ngarkuar të Kuvendit. Realizimi i reformës në drejtësi duket se do të zgjasë ca dhe do të mbetet gjithçka në deklaratë mediatike, pa hedhur hapa konkrete, pasi i rëndësishëm për Kuvendin në këtë periudhë është realizmi i reformës zgjedhore dhe jo i asaj në sistemin e drejtësisë. Këto reforma duhet të realizohen brenda këtyre dy muajve, pasi në fund të korrikut mbyllet sesioni parlamentar aktual, për t‘u rihapur në shtator.

Mbledhja

Kryeministri ripërsërit në grupin parlamentar të mazhorancës vullnetin për ta mbyllur këtë çështje

Berisha, deputetëve të PD: Së shpejti do të jeni pa imunitet

Kryeministri Sali Berisha ka informuar deputetët e tij se shumë shpejt do të zhvishen nga petku i imunitetit. Drafti i imuniteteve po hartohet nga Ministria e Drejtësisë dhe më pas do të kalojë në Komisionin parlamentar të Ligjeve. Kufizimi i imunitetit është një çështje ditësh, tashmë që dy partitë më të mëdha të Kuvendit kanë koordinuar qëndrimet mbi këtë nismë të mazhorancës. Ministri i Drejtësisë, Enkelejd Alibeaj, i cili po kujdeset për përpilimin e këtij drafti, pohon se prokuroria është një institucion i pavarur kushtetues dhe nuk ka plan që ai të kalojë në varësi të Ekzekutivit, ashtu siç është pretenduar nga disa deputetë demokratë. Sipas tij, "prokuroria do të jetë brenda suazave të Kushtetutës". Kryeministri Berisha në mbledhjen e grupit parlamentar vlerësoi vullnetin e deputetëve të mazhorancës dhe të opozitës për të proceduar me reformat në fushën e drejtësisë dhe fusha të tjera. Kryeministri i cilësoi reformat në sistemin e drejtësisë si reforma themelore për çdo shtet, që kanë të bëjnë me pavarësinë e këtij sistemi, transparencën dhe miradministrimin e tij. Duke vlerësuar hapin e bërë, me ligjin e organizmit të drejtësisë, Kryeministri u shpreh se ky ligj u jep një përgjigje të përshtatshme problemeve të ndryshme. Kryeministri theksoi se në proces e sipër të reformimit janë institucioni i Prokurorisë, administrimi i gjykatave dhe profesionet e lira, Përmbarimi, si dhe institucione të tjera, të cilat duhet të vendosin në bazën e tyre legjislacionin e standardeve më të mira. "Është e domosdoshme që me një legjislacion të standardeve më të mira të vendoset mbi bazën e këtyre institucioneve, legjislacion që ka dy qëllime themelore: të konsolidojë pavarësinë e tyre, t‘i bëjë ato më transparente ndaj publikut në të gjithë veprimtarinë e tyre dhe më të përgjegjshme", tha Berisha. Ndër të tjera, Kryeministri vlerësoi si një nga arritjet më themelore në 16 viteve, votën e deputetëve të Parlamentit për të përmbysur murin e imunitetit.

Madhi: Ligjin për imunitetin, jo me aksion "blitz", por me debat

Kryetari i grupit parlamentar të PR-së, Arian Madhi, ka deklaruar dje se PR-ja është dakord për heqjen e imunitetit të deputetëve dhe zyrtarëve të lartë. Gjatë një prononcimi për mediat ai është shprehur se ligji për kufizimin e imuniteteve duhet të parashikojë kohën që i duhet prokurorisë për të kryer hetimet e saj. "Zvarritja e hetimit të deputetit do të sillte impakt negativ. Ligji për kufizimin e imunitetit duhet të diskutohet për një kohë të gjatë", është shprehur Madhi. Kjo deklaratë e republikanit Madhi vjen pasi Prokuroria e Përgjithshme gjatë hetimeve të deritanishme për tragjedinë e Gërdecit pretendon se ish-ministri i Mbrojtjes, kryetari i republikaneve, Fatmir Mediu, ka kryer një sërë shkeljesh me detyrën e tij si ministër, ndaj për t‘u hetuar duhet më parë t‘i hiqet imuniteti i deputetit. Prej javësh politika shqiptare është përfshirë në debate të shumta nëse duhet të hiqet apo jo imuniteti i deputetëve dhe i zyrtarëve të lartë. Në parim të gjitha forcat politike janë shprehur pro kësaj nisme, por ende nuk është hedhur asnjë hap konkret për të sjellë këtë nismë në Kuvend. Brenda këtij mandati qeverisës, Prokuroria e Përgjithshme ka kërkuar kufizimin e imunitetit për dy deputetë të saj, të cilët kanë mbajtur dhe mbajnë poste ministrash. Për deputetin Basha Kuvendi ka dhënë votën e tij për heqjen e imunitetit, ndërsa për deputetin Mediu ende po shqyrtohen kërkesat në Kuvend.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›