Kryeministri pranon vendimin e Kushtetueses
Kryeministri i vendit, Sali Berisha, në mbledhjen e djeshme të grupit parlamentar të PD-së, ka vlerësuar përmbajtjen e projektligjit "Për procedurat tatimore në Republikën e Shqipërisë", duke garantuar se ky ligj sjell një transformim të thellë në qëndrimin ndaj biznesit. Sipas kreut të qeverisë, për hartimin e ligjit në fjalë është punuar për një periudhë 16-mujore. "Është bërë fund e krye me ekspertizën e USAID-it, ka marrë shqyrtimin e plotë të Bankës Botërore, FMN dhe nëpërmjet një institucioni gjerman e Komisionit Evropian", tha Kryeministri, duke nënkuptuar miratimin e ndërkombëtarëve. Berisha ka komentuar edhe vendimin e Gjykatës Kushtetuese, lidhur me shfuqizimin e nenit për parapagimin e gjobës. "Është në përputhje të plotë me vendimin e Gjykatës Kushtetuese, të cilit ne i qëndrojmë; atë që ka përcaktuar Gjykata Kushtetuese, atë do të mishërojë edhe ligji", shtoi numri një i qeverisë. Shoqatat e biznesit e kanë kundërshtuar me forcë projektin për tatimorët, por Kryeministri garanton se ndryshimet do të sjellin një transformim të thellë në qëndrimin ndaj biznesit.