E Diel, 1 Nëntor 2026

Gjykata Kushtetuese Sollakut: Ke të drejtë, por...

Telenovelës "Sollaku", pas shumë serish, duket se i ka ardhur fundi. Gjykata Kushtetuese ka vendosur ta mbyllë njëherë e mirë këtë debat, duke "kënaqur" të dyja palët, edhe Kuvendin edhe ish-kryeprokurorin e Republikës. Pas shqyrtimit të dy kërkesave të depozituara në Gjykatën Kushtetuese nga ish-kryeprokurori Theodhori Sollaku, i cili në njërën prej kërkesave ankohej për dekretin e Presidentit që e shkarkonte nga detyra e kreut të organit të akuzës dhe në tjetrën ankohej për institucionin e Kuvendit, pasi e vlerësonte si antikushtetuese nismën e një grupi deputetësh për të ngritur komision hetimor për shkarkimin e tij, Gjykata Kushtetuese ka dhënë dje vendimet e saj. Në lidhje me kërkesën e parë, Gjykata Kushtetuese ka vendosur të rrëzojë pretendimin e ish-kryeprokurorit Theodhori Sollaku, për shfuqizimin e dekretit të Presidentit për shkarkimin e tij. Sipas Gjykatës Kushtetuese, "kërkesa e ish-kryeprokurorit për këtë vendim është e pabazuar në ligj". Anëtarët e Kushtetueses kanë dhënë edhe arsyetimet e tyre, se pse kjo kërkesë është e pabazuar në ligj. Sipas institucionit që interpreton ligjin themeltar të shtetit, kërkesa e paraqitur nga Theodhori Sollaku, me arsyetimin se aktet e mësipërme, të kundërshtuara nga kërkuesi nuk përmbajnë shkelje të të drejtave kushtetuese për një proces të rregullt ligjor,///// në kuptim të shkronjës "f " të nenit 131 të Kushtetutës së Shqipërisë. Ndërsa në lidhje me kërkesën e Sollakut, paraqitur prej tij në kohën që kryente detyrën e Prokurorit të Përgjithshëm, me objekt zgjidhjen e mosmarrëveshjes së kompetencës ndërmjet Prokurorisë së Përgjithshme dhe Kuvendit të Republikës së Shqipërisë, Gjykata Kushtetuese ka vendosur që "të zgjidhë mosmarrëveshjen e kompetencës së lindur midis organeve shtetërore, subjekt në këtë mosmarrëveshje dhe të deklarojë, se Kuvendi i Shqipërisë nuk ka kompetencë të kontrollojë dhe të vlerësojë vendimet e prokurorëve në çështjet konkrete për mosfillimin e procedimit penal, për pezullimin e hetimeve, për pushimin e çështjeve penale, për marrjen e masave të sigurimit, si dhe të vendimeve e veprimeve të tjera të prokurorëve që lidhen me ushtrimin e ndjekjes penale dhe përfaqësimin e akuzës në gjyq". Shkarkimi i ish-kryeprokurorit Theodhor Sollaku ka shkaktuar mjaft debate në politikën shqiptarë. Kjo pas dështimit të kryeministrit Berisha për shkarkimin e parë të Theodhori Sollakut nga posti i Prokurorit të Përgjithshëm, pasi ish-Presidenti i Republikës, Alfred Moisiu nuk e dekretoi shkarkimin e tij. Firmë, e cila i dha mjaft forca Sollakut, i cili mbajti postin e Kryeprokurorit edhe për një vit më pas. Refuzimi i Moisiut acaroi mjaft marrëdhëniet institucionale mes Presidencës, ekzekutivit e Kuvendit në atë kohë, acarim i cili e detyroi Kryeministrin të marrë një vendim të prerë për të mos e mbështetur më Moisiun si kandidaturë presidenciale. Pas largimit të tij nga posti i kreut të shtetit, dhe zgjedhjes së Presidentit të ri, Bamir Topi, mazhoranca u mobilizua edhe një herë për të nisur procedurat për shkarkimin e Kryeprokurorit Sollaku, i cili deri në ditën e fundit të largimit të tij, nuk pranoi për asnjë çast të jepte dorëheqje pavarësisht se kjo i ishte kërkuar disa herë.

Nisma

Brenda një viti, dy komisione hetimore për shkarkimin e Sollakut

Brenda një viti, Kuvendi ka ngritur dy komisione hetimore për shkarkimin e ish-kryeprokurorit Theodhori Sollaku. Beteja për largimin e tij i ka shpenzuar mjaft energji mazhorancës, përpjekja e parë e së cilës dështoi. Komisioni i parë hetimor zgjati gati tre muaj, ashtu siç e përcaktonte edhe rregullorja e Kuvendit dhe në të dëshmoi edhe vetë kryeprokurori Sollaku, i shoqëruar nga një sërë prokurorësh dhe më pas bashkëshortja e tij, e cila për tre muaj ka qenë pjesë e sulmeve të mazhorancës. Pas punës së komisionit, kryetari i saj, Astrit Patozi, dorëzoi në Kuvend një dosje voluminoze, në të cilën Sollaku akuzohej për shkelje dhe abuzime. Me shumicë votash, Kuvendi vendosi shkarkimin e Sollakut, por Presidenti i asaj kohe i Republikës, Alfred Moisiu, nuk e dekretoi shkarkimin, duke e lënë sërish në detyrë Sollakun. PD-ja, megjithatë, nuk u tërhoq nga përpjeka e saj dhe pak ditë pas zgjedhjes së Presidentit të ri, Bamir Topi, ajo inicioi një tjetër komision hetimor për kryeprokurorin Sollaku, i cili zgjati vetëm dy javë. Pas dy javëve, kryetari i këtij komisioni, deputeti, Ferdinand Xhaferri, paraqiti në Kuvend dosjen për shkarkimin e ish-prokurorit të përgjithshëm, e cila më pas i kaloi Presidentit. Kreu i shtetit, në limitet e fundit që lejonte Kushtetuta, pas kthimit nga një vizitë në Bruksel firmosi shkarkimin e Theodhori Sollakut, e më pas emëroi në postin e kreut të organit të akuzës, Ina Ramën.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›