E Diel, 1 Nëntor 2026

Drejtësia shqiptare i hap rrugë ekstradimit të Ilir Kumbaros

TIRANË- Kolegjet e bashkuara kanë lënë në fuqi vendimin e Gjykatës së Apelit, arrest me burg ndaj Ilir Kumbaros, ish-agjenti i SHISH i kërkuar nga drejtësia shqiptare për rrëmbim dhe torturë.

Me këtë vendim i hapet drita jeshile autoriteteve shqiptare për ekstradimin e tij. Kjo pasi në Angli është pushuar cështja ndaj tij pasi nuk kishte ende një vendim nga drejtësia shqiptare.

Kolegjet e Bashkuara në Gjykatën e Lartë pas një seance të stërgjatur e cila ka nisur paraditen e sotme u tëroqën për vendim nëse masa e sigurisë ndaj Ilir Kumbaros ishte e ligjshme apo jo.

Kërkesa u bë nga Prokurori i cështjes, i cili kërkoi masë sigurie për Kumbaron gjatë gjykimit të cështjes.

Avokati mbrojtes e cilësoi kërkesën e Prokurorëve të paligjshme pasi sipas tij këto kërkesa nuk mund të paraqiten gjatë gjykimit dhe nuk mund te gjykohen nga i njëjti trup gjykues që gjykon dhe cështjen e themelit.

Kumbaro është një nga katër personat e akuzuar për çështjen e rrembimit me pasojë zhdukjen e biznesmenit shqiptaro-maqedonas Remzi Hoxha, në vitin 1995 në Tiranë.

Prej 15 vitesh Kumbaro jeton në Britani në një banesë sociale në sajë të ndihmës sociale që shteti i ka akorduar pasi kishte deklaruar se ishte i paaftë për punë.
(e.m/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›