E Diel, 1 Nëntor 2026

Karamelo i bën thirrje minoritetit të Korçës të bojkotojë censusin

14/10/2011  Kreu i OMONIA-s numëroi shkeljet, por pa fakte. Deklarata në kundërshtim me atë të Naum Dishos

Korçë- Në të njëjtën kohë kur procesi i regjistrimit të popullsisë dhe banesave në qarkun e Korçës po shkon normalisht, madje në mënyrën më mbresëlënëse, e deklaruar kjo gjë edhe nga drejtoresha e INSTAT-it, Ines Nurja, përfaqësues të OMONIA-s në Korçë dhe të këtij qarku, nuk po arrijnë dot të dalin me një zë të vetëm, pasi e vërteta e madhe se në Korçë nuk ka minoritet grek, por vetëm një numër të vogël njerëzish, po përfshihen nga paniku, sepse tashmë po duket qartë se gjithë përpjekjet e tyre për vite të tëra me radhë dhe veçanërisht gjatë kohës së konsullit grek në Korçë, Theodhoros Ikonomu, nuk kishin qenë gjë tjetër veçse një furtunë në një gotë me ujë.

Deklarata kontradiktore

Ndërsa nga njëra anë, kreu i OMONIA-s për qarkun e Korçës, Naum Disho, deklaron se minoritarët nuk duhet ta bojkotojnë censusin, sepse sipas tij, “helenizmi po punon këtu e shumë kohë përpara për këtë moment”, pra për regjistrimin e minoritetit grek, nga ana tjetër, kreu i OMONIA-s për rrethin e Korçës, Ligoraq Karamelo, pa u harruar ende fjalët e Dishos, u bën thirrje minoritarëve të bojkotojnë procesin. Madje nuk është e sigurt, nëse Disho do të dalë ose jo të nesërmen për të kërkuar sërish mosbojkotimin. E gjitha kjo që po ndodh me krerët e OMONIA-s në Korçë i ngjason një farse. Krejt ndryshe nga Disho, Ligoraq Karamelo e zgjeroi edhe më tepër hartën e minoritarëve në qarkun e Korçës. Karamelo kërkon minoritet grek edhe në malet e Mokrës, edhe në Pogradec, edhe në Kolonjë, aty ku ushtria greke nuk la fshat pa djegur dhe fëmijë pa therur. Madje jo vetëm kaq, Karamelo përmend çdo lagje ortodokse të qytetit të Korçës, sepse me sa duket, sipas tij, çdo ortodoks në të njëjtën kohë është dhe grek, ashtu si në kohën e Bizantit. Gjithsesi, në deklaratën e tij, Karamelo tha: “Regjistrimi i popullsisë dhe banesave në qarkun e Korçës ka hyrë në rrugën e dështimit dhe komprometimit si pasojë e një morie shkeljesh, abuzimesh dhe ndërhyrjeve të politikës”.

Shkeljet e pretenduara

“Në kryeradhën e shkeljeve, tha Karamelo, qëndron mosrespektimi i parimit të vetëdeklarimit, i cili është e drejtë dhe parim themelor i respektimit të të drejtave dhe lirive të njeriut gjatë procesit të censusit. Për rrjedhojë janë evidentuar me qindra raste, në të cilat regjistruesit nuk kanë shënuar përgjigjen që kanë dhënë të anketuarit dhe aq më keq, në shumë raste, duke tejkaluar të drejtat që u jep ligji, kanë hyrë në debat me ta, kanë debatuar, kanë bërë presion për ata që kanë refuzuar që të regjistrohen”. “Një problem tjetër që është mjaft pikant, është dhe ai i konstatuar në lagjet nr. 5 dhe 11 të qytetit, ku në dhjetëra familje, regjistruesit vetëm kanë marrë emrat e personave dhe janë larguar me pretendimin se do t’i mbushin vetë ato, me pretendimin se ata mund të bëjnë gabime dhe do t’i korrigjojnë ato”, përfundoi Karamelo. Për të gjitha këto arsye, Karamelo kërkoi bojkotim të censusit. Megjithatë, ajo çka ra në sy gjatë deklaratës së Karamelos kishte të bënte me fakt, se bëri prezente shumë shkelje, por nuk mundi të sjellë dot asnjë provë për të qenë së paku i vërtetë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›