E Diel, 1 Nëntor 2026

Drejtësia sociale, një nga sfidat më të mëdha të Shqipërisë!

Sot, më 20 shkurt, në Ditën Botërore për Drejtësi Sociale, Shqipëria përballet me një realitet të hidhur. Më 1992-shin Shqipëria firmosi Deklaratën e Kombeve të Bashkuara për të Drejtat e Njeriut, por padrejtësia dhe shkelja e këtyre të drejtave, sidomos e asaj pjese të popullatës që nuk kanë mbështetje, siç janë p.sh. fëmijët, vazhdon të jetë një nga sfidat më të mëdha të vendit tonë. Mbas 20 viteve demokraci, varfëria fizike dhe ajo sociale vazhdon të jenë gjerësisht të përhapura në vend. Neni i parë i Deklaratës për të Drejtat e Njeriut thotë: “Të gjithë njerëzit kanë lindur të lirë me dinjitet dhe të drejta; të gjithë njerëzit kanë të drejtë të jetojnë dhe të jenë të lirë”. Megjithatë, rrugët e qyteteve kryesore në Shqipëri janë të mbushura me fëmijë që shfrytëzohen dhe punojnë në kushte ekstremist të vështira. Një studim cilësor i organizatës “World Vision Albania” intervistoi më 2008-n rreth 293 fëmijë, të cilët punojnë në rrugë. Sipas studimit, më shumë se gjysma e fëmijëve të intervistuar kishin filluar punën përpara moshës 10-vjeçare, duke punuar nga 7 deri në 18 orë në ditë. Përveç faktit që puna në rrugë i privon fëmijët nga arsimimi, të punuarit u vjedh atyre fëmijërinë, dinjitetin dhe lirinë. “Fëmijët e tjerë më thërrasin zgjebarak dhe më shajnë, sepse unë nuk shkoj në shkollë. Por unë nuk kam rroba dhe mundësi për të shkuar në shkollë”, tha një fëmije 12 vjeç kur u intervistua nga stafi i “World Vision Albania”. Megjithatë, fëmijët që punojnë në rrugë nuk janë një fenomen i veçuar. Ka me mijëra fëmijë të tjerë që punojnë në sektorin privat, ndërtim, si dhe në industrinë e peshkimit. Një studim i 2009-s i “Human Development Promotion Center” (HDPC), citon një statistikë të marrë nga Inspektorati Kombëtar i Punës, sipas të cilit puna e fëmijëve është mjaft e përhapur në Shqipëri. Inspektorati deklaron se janë rreth 133 000 fëmijë që punojnë në sektorin privat. “Unë punoj në ndërtim me babin tim. Kam filluar ta ndihmoj që kur isha në klase të gjashtë,” thotë një 13-vjeçar nga një fshat i Lezhës. Në Veri të Shqipërisë, disa mijë fëmijë jetojnë të ngujuar për shkak të gjakmarrjes, një tjetër plagë e shoqërisë shqiptare. Raporti i 2009-s i HDPC deklaron rreth 1200 fëmijë të ngujuar. Neni i katërt i Deklaratës për të Drejtat e Njeriut thotë: Asnjë qenie njerëzore nuk mundet të mbahet në skllavëri; skllavëria dhe të gjitha format e saj janë të ndaluara. Trafikimi i qenieve njerëzore, mënyra më e përhapur e skllavërisë në kohët moderne, vazhdon të jetë një sfidë për Shqipërinë. Sipas UNICEF-it dhe OSBE-së, Shqipëria është një vend burimi dhe destinacioni për trafikimin e vajzave. Vajzat e trafikuara nga Shqipëria janë kryesisht më të reja sesa ato të trafikuara nga vende të tjera, ku rreth 80% e tyre janë nën moshën 18 vjeç dhe vijnë kryesisht nga zonat rurale. Por trafikimi në Shqipëri shkon përtej prostitucionit, qindra fëmijë shfrytëzohen brenda dhe jashtë vendit për punë. Neni i pestë i Deklaratës për të Drejtat e Njeriut thotë: Asnjë njeri nuk duhet të jetë subjekt i torturës apo trajtimeve dhe ndëshkimeve jo njerëzore, ndërkohë që abuzimi dhe dhuna ndaj fëmijëve në shkollë vazhdon të jetë e përhapur. Sipas UNICEF-it, 1 në çdo 2 fëmijë në Shqipëri abuzohet fizikisht në shtëpi, ndërsa 1 në çdo 3 fëmijë në shkollë abuzohet fizikisht. UNICEF-i gjithashtu raporton se 13.3% e fëmijëve që shkojnë në shkollë janë pre e abuzimit seksual. Në 18 vitet e fundit Shqipëria ka pasur ndryshime shumë pozitive, por shumë ngelet akoma për të bërë, sidomos në fushën e drejtësisë sociale. “Janë me mijëra fëmijë që vazhdojnë të jetojnë në varfëri ekstreme në Shqipëri, fëmijë të cilët vuajnë nga padrejtësia sociale, fëmijë të cilëve u mungon mbrojtja dhe shpresa”, thotë Enkelejda Lopari, drejtoresha e operacioneve pranë “World Vision Albania”, si dhe presidente e koalicionit Bashkë Kundër Trafikimit të Fëmijëve (BKTF) - një koalicion prej 22 organizatash jo qeveritare lokale dhe ndërkombëtare. Gjatë dhjetë viteve punë në Shqipëri, “World Vision” është fokusuar në adresimin e nevojave dhe të drejtave të fëmijëve më vulnerabël dhe në adresimin e shkaqeve të varfërisë. “World Vision Albania” punon si në nivel lokal dhe nacional, duke përfshirë të gjithë aktorët për të luftuar padrejtësinë dhe për të advokuar për të drejtat dhe mirëqenien e fëmijëve. Si pjesë e BKTF-se “World Vision” është duke lobuar dhe punuar së bashku me qeverinë për të qenë më të qëllimshëm në adresimin e të drejtave të fëmijëve, si dhe për të zbatuar sa më mirë politikat apo strategjitë kombëtare për mbrojtjen e fëmijëve në Shqipëri. “Shqipëria ka akoma shumë punë për të bërë në fushën e drejtësisë sociale. është e nevojshme që të punohet për të pasur politikat dhe praktikat më të mira në fushë për adresimin e çështjeve të fëmijëve në situatë rrugë, fëmijëve viktima të gjakmarrjes, fëmijëve me aftësi të veçanta, si dhe fëmijëve që jetojnë në varfëri ekstreme. është e nevojshme që ne të gjithë si individë dhe shoqëri civile të zgjohemi dhe të marrim përsipër përgjegjësitë tona. është detyra jonë si të rritur t’i mbështesim dhe t’i këshillojmë fëmijët, sidomos kur bëhet fjalë për drejtësi sociale”, përfundoj znj. Lopari.

*Human Development Promotion Center (HDPC), Albania Situation Report 2009

#

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›