E Shtunë, 31 Tetor 2026

Meta: Të ndëshkohet bashkëpunimi i paprinciptë mes liderëve të PS-PD

 

Kreu i LSI-së, Ilir Meta, u shpreh dje se programi ekonomik dhe social i kësaj force do t'i japë zgjedhje problemeve që ka vendi.  Gjatë një takimi me anëtarë dhe simpatizantë në Luz të Kavajës, duke u ndalur në zhvillimet e fundit të politikës, Meta nënvizoi se është koha që të ndëshkohet ky teatër i shëmtuar politik i bashkëpunimeve të paprincipta mes lidershipit të PS dhe PD, jo vetëm me votë, por njëkohësisht edhe përmes afirmimit të një programi shumë të qartë dhe shumë konkret ekonomik dhe social. "Ne jemi të bindur që këtë gjë do ta realizojmë më së miri në të gjitha drejtimet, sepse zgjidhja e kësaj krize të thellë politike, institucionale, kushtetuese do të vijë nga LSI dhe nga ajo alternativë, e cila tashmë është afirmuar në krah të LSI dhe e cila është në sinkron të plotë me shumicën e qytetarëve shqiptarë. Prandaj, tha Meta, objektivi ynë për të fituar në zgjedhjet e vitit 2009, nuk është një dëshirë. Është një detyrë. Një detyrë përpara vendit që kërkon një zgjidhje", tha Meta. edhe anëtari i kryesisë së LSI-së, Ndre Legisi, duke folur në këtë takim tha se LSI-ja u krijua forcë politike si një domosdoshmëri e kohës, për të ndalur këtë revansh të dy partive të vjetra, si dhe për ta bërë vërtetë "Shqipërinë si gjithë Evropa". LSI-ja, tha Legisi, që në krijimin e saj ka qenë kundër monopoleve politike dhe ekonomike, dhe duke pasur këtë lajtmotiv ajo u sulmua në mënyrë të vazhdueshme nga Kryeministri i asaj kohe, si dhe vazhdon të sulmohet edhe sot nga lidershipi i dy partive të vjetra, sepse ky lidership është në mbrojtje të këtij monopolizimi.                a.l

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›