Topi dekreton anëtarin e KLD në Kushtetuese
Presidenti i Republikës ka propozuar dje Admir Thanzën, kandidat për anëtarin më të ri të Gjykatës Kushtetuese. Dekretimi i Thanzës vjen pas largimit nga kjo gjykatë të Gjergj Saulit, i cili në fund të dhjetorit mbushi 70 vjeç. Do të jetë kuvendi i Shqipërisë i cili do të votojë në një nga seancat e para të sesionit të ri parlamentar për të dhënë pëlqimin ose jo për këtë kandidaturë me shumicë të thjeshtë votash. Admir Thanza vjen si kandidat për në Gjykatën Kushtetuese për një mandat të pjesshëm prej një viti e gjysmë, aq sa i kishte mbetur Gjergj Saulit, i cili u largua pasi mbushi moshën e lejuar për të qenë anëtar i kësaj gjykate. Thanza, aktualisht është anëtar i Këshillit të Lartë të Drejtësisë, dhe e përfundon ligjërisht mandatin pranë këtij këshilli, pikërisht në datën 20 janar bashkë me dy anëtarë të tjerë. Thanza ka mbaruar Fakultetin e Drejtësisë në Universitetin e Tiranës në vitin 1992, ndërsa ka mbajtur disa detyra si gjyqtar i Gjykatës së Shkodrës e më pas të Tiranës, ndërsa aktualisht është anëtar i Këshillit të Lartë të Drejtësisë i zgjedhur nga Konferenca e Gjyqësorit. Është hera e parë që Presidenti i Republikës vepron menjëherë pas ndërprerjes apo mbarimit të mandatit të një anëtari të Gjykatës Kushtetuese për të bërë zëvendësimin e tij. Dy vjet më parë, Kristofor Peçi qëndroi në detyrë rreth një vit edhe pasi kishte mbaruar mandatin e tij, për shkak të vonesës në emërimin e anëtarit të ri të kësaj gjykate.