KQZ-ja e munguar dhe dorashka e hedhur për duel
Si në një zënkë të rrëmbyer e qejfmbetur shumë midis fisnikësh të dikurshëm, Edi Rama u ndesh me Egin Cekën. Nuk kuptohet qartë pse një pyetje-përgjigje në një leksion të çfarëdoshëm, apo takim-konferencë në një akademi diplomatike, duhet të merrte atë lloj dreq-rruge, po ja që gjëra të pakëndshme ndodhin në këtë botë inatmadhe ku jetojmë.
Tension, mbilodhje, irritim a veri çfarëdo lloj emri të duash, sjellja e zotit Rama të lë një shije të hidhur.
Por a duhet Egin Ceka te ishte në atë sallë i paregjistruar paraprakisht? Sigurisht që mund të ishte përderisa është diplomat, përfaqësues i Ministrisë së Punëve të Jashtme të vendit të tij pranë OSBE-së në Vjenë.
Është krejt logjike që pas një lajmërimi të kryer, të dojë të dëgjojë, me kërshëri madje, mendimin dhe fjalën e kreut të opozitës së vendit të tij dhe kandidatit për kryeministër të ardhshëm. Aq më shumë meqë jemi dhe në këtë moment pragzgjedhor. Padyshim që do të donte ti afrohej e ti bëhej prezent kreut të opozitës e ta pyeste në lidhje me një çështje shumë të rëndësishme siç është gjetja e mundësisë për të votuar për studentët e emigrantët shqiptarë.
Shumëkush në vend të tij do të kishte bërë po të njëjtën. Padyshim që këtu lexohet një dëshirë e tij dashamirëse, në rast të kundërt mund ta bojkotonte leksionin, e aq më shumë takimin me zotin Rama.
Një diplomat profesionist do të duhej të vepronte kështu pa pasur frikën e keqkuptimit. Në të kundërt është bojkotimi që tregon mospranim, refuzim dhe armiqësi.
Po që mbase një intonacion zëri, një nxitim në pyetje a një gjest i pamenduar nga emocioni, mund ta ketë irrituar zotin Rama që këtë pyetje mund ta ketë marrë për provokim, sigurisht i ndodhur në kushte të një mbilodhjeje të vazhduar.
E justifikon kjo? Pjesërisht ndoshta, aq sa për të ulur gjakrat e nxehura dhe për ta rimenduar sjelljen e tij.
Jo për ti kërkuar falje zotit Neritan Ceka publikisht, por mbase personalisht Eginit vetë, pse jo.
Janë fisnikë e qytetarë të dy sa patjetër mund ta gjejnë gjuhën e qytetarisë dhe ta tërheqin mbrapsht dorashkën e hedhur për duel.
Një lexim i keq, një interpretim i gabuar i një pyetjeje në gjaknxehtësi e sipër, mund të keqdrejtojë këdo.
POR a ka vend për komision parlamentar këtu?!!! Veç për të na hedhur neve hi syve e për të gabuar opinionin publik. Në një kohë që ky vend ka aq shumë probleme reale, dhe kur situata politike parazgjedhore kërkon forcërisht riformatimin serioz të KQZ-së, në dobi të ardhmërisë së fateve të vendit, logjika e ftohtë të thotë që fare mirë një komision i tillë duhet ngritur që të këqyrë e të vendosë çdo të bëhet me te, sepse një KQZ e gabuar do ta çojë vendin pashmangshmërisht në një situatë të destabilizuar, për të cilën, ruajna Zot, nuk kemi nevojë.
Dueli i dy fisnikëve tanë-sojlinj, krahasimisht, duket si një skenë filmash nga një kohë e largët, shkuar mode, që rithirret në skenë qëllimisht për të na ngatërruar.
Sojlinjtë, meqë pa dyshim janë të dy vërtet të tillë nga origjina dhe historiku familjar, do dinë sigurisht ti shtrijnë dorën e fisnikërisë njeri- tjetrit për të mos u bërë kazus beli në këtë situatë të nderë parazgjedhore.
Mbetjeqejfet, inatet e hakmarrjet i takojnë politikës së vjetër, aq të anatemuar nga kreu i opozitës, dhe pikërisht për vizionin, pozicionin, moshën, momentin dhe ndodhinë, i takon atij të parit ta marrë mbrapsht dorashkën e duelit e ti shtrijë dorën e miqësisë Eginit, ashtu siç i takon dy sojlinjve të vërtetë.
Ka 1001 arsye pse duhet ta bëjnë këtë në këtë moment.
Përsëpari e përmbi mbi të gjitha për të na dhënë një shembull ne të tjerëve, që kemi nevojë të besojmë që edhe në Shqipëri ka sojlinj të vërtetë.
