E Diel, 1 Nëntor 2026

Modeli i Berishës, zgjedhje pa opozitë dhe KQZ

arben-manaj-150x150Nga Arben Manaj

Po bëhet mëse e qartë se Berisha nuk do zgjedhje, jo më të ndershme që jo e jo, por nuk do zgjedhje të përgjithshme fare në kuptimin e mirëfilltë dhe klasik të fjalës. Atij nuk i leverdis bërja e tyre në kushtet e reja politike, pas ikjes së kamardares së tij nga koalicioni, i cili e solli dhe e mbajti në pushtet, LSI-së. Ndryshimi i aritmetikës së KQZ-së, që tashmë kërkohet edhe nga ndërkombëtarët të riformatohet, i prishi aritmetikën dhe qetësinë e kalkulimeve të tij për zgjedhjet e radhës.

Në një fare mënyre, ikja e LSI-së i shërben si një shkak oportun Berishës për tu faktorizuar, pasi historikisht sidomos kur e ka pisk, ai ekstremizon situatën politike përmes lëvizjesh malinje, për të tërhequr në politikën shqiptarë të huajt, ose ata që ai e di se nëse bën ndonjë lëshim, edhe mund tu marrë ndonjë epitet lumë-kalues si burrë shteti.

Nisur nga retorika dhe intrasigjenca e deritashme për riformatim të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, duket se Berisha do e çojë zgjidhjen e kësaj çështje vendimtare deri në kufijtë e provokimit dhe eventualisht të lodhjes ndërkombëtare me Shqipërinë e Berishës, ose në rastin më reflektues, deri në orën 23 të ditës fundore për kompromis, për të arritur një sërë objektivash.

Ashtu si edhe të famshmet tre ligje, tashmë do jenë tre germat KQZ, që do shndërrohen në kalin e betejës së tij politike në emër të parimësisë ligjore. Kjo do ti ofrojë atij luksin e mosbërjes së fushatës elektorale me të cilën, ai kësaj here e ka vështirë se me çfarë karta të luajë bindshëm për fitore, ndryshe nga zgjedhjet e kaluara, kur kishte një Rrugë të Kombit, edhe pse me pikëpyetje dhe të kontestuar, pa përmendur faktorët e brendshëm qeverisës dhe konjukturën ndërkombëtare.

Kjo mungesë fryme dhe lodhje mandati, plus një ekip apo koalicion i lodhur dhe i holluar me figura politike të holluara nga koha apo legjionarë pa ekip politik në dekadën e fundit, duket se nuk ofron për Berishën një alternativë bindëse, për ta çuar sa më afër shifrave, ku ai mund të ëndërrojë të nisë pa pyetur për heqje xhaketash, lojën e manipulimit të numërimeve elektorale, siç veproi në zgjedhjet lokale.

Ndaj një KQ, pa opozitën në karriget e saj, faktikisht i leverdis dhe shkon për shtat planeve të tij politike afatshkurtra, pasi për ato afatgjata ai nuk e vë shumë ujin në zjarr. Për arsye moshe, ai ka pak brerje ndërgjegjeje se çdo të ndodh me forcën politike që do lërë pas, si trashëgimi politike personale, e cila pritet të jetë në një kaos të plotë, me shumë të panjohura dhe një kohëqendrim të shtrirë në vite si opozitë e brejtur nga brenda dhe e fraksionuar.

Këtu qëndron edhe rrezikshmëria e tij politike dhe demokratike në një moment kyç për proceset integruese të Shqipërisë. Berisha në këtë stad të jetës së tij tejet të stërzgjatur politike, nuk është se nuk do e zërë gjumi, nëse komuniteti ndërkombëtar do shqetësohej për një palë zgjedhje shqiptare, të një vendi historikisht problematik, me një demokraci të ngjashme për nga çrregullsia me trafikun e brendshëm rrugor të vendit, që sdi të bëjë as shtet dhe as të ndërtojë demokraci, edhe kur dikush, me naivitet ose pseudo-naivitet dhe oportunizëm diplomatik, ia përkëdhel sedrën duke ia quajtur atë funksionale!

KQZ-ja, ashtu siç është, për Berishën është e mjaftueshme për të shkuar në zgjedhje, edhe sikur opozita e ribashkuar, të mos e pranoj një status- quo të tillë. Madje ai, kam frike se për kundër sugjerimeve ndërkombëtare, do tentojë të shkojë në to me këtë KQZ, madje edhe pa opozitën.

Kjo maskaradë thjesht do i jepte atij kohë dhe do e bënte atë një lojtar më të vështirë, në qafëheqjen që e kupton se ia dëshirojnë edhe ndërkombëtarët. Për kalkulimet e tij, kjo bezdi dhe dhimbjekoke që gjithmonë i vjen Perëndimit sa herë është Berisha në lojë, aq më shumë kur ai është në rolin e timonierit, nuk është shqetësim dhe papërgjegjshmëri e tij, sesa punë e inter-negociatorëve, që do duhet të merren me të në këtë fillim vere, mundësisht dhe idealisht deri në vjeshtë.

Berisha e di se një shtyrje e problematikës shqiptare deri në gushtin e vakancave masive të liderëve perëndimor, do të ishte oportune për të, pasi mund të ngatërronte shumë ujëra deri atëherë dhe do fitonte më shumë terren politik, për të mos lëshuar pushtet politik.

Atij, fatkeqësisht për të gjithë, por dhe për partinë e tij sekt në fund të fundit, nuk i intereson një raport pozitiv për zgjedhjet e ardhshme në Shqipëri, aq më tepër me të thuajse humbës. Për pasojë as edhe integrimi i mëtejshëm dhe statusi i ardhshëm i Shqipërisë në BE.

Nëse një udhëheqës serb do duhet të deklaronte se si komb, serbët do duhet të bënin vetëvrasje, nëse shqiptarët ua kalojnë ekonomikisht, të njëjtën gjë do të duhet të thoshte edhe drejtuesi aktual i ekzekutivit shqiptar, si përgjegjësi kryesor për zgjedhje të lira dhe demokratike, kur serbët nisur nga e kaluara e tyre post-Millosheviç dhe relatat e tyre me Perëndimin, do tia kalonin siç ia kanë kaluar Shqipërisë, në proceset integruese.

E kur serbët për hir të interesave integruese të kombit të tyre, tejet antiperëndimor pas Titos, që janë parimisht identike me ato të shqiptareve dhe të çdo vendi të paintegruar ballkanik , arrijnë të bëjnë koncesione dhe marrëveshje, siç ishte rasti me Kosovën, dhe dinë të prezantohen dhe tu mbyllin gojën edhe atyre që e dinë që nuk i kanë edhe shumë qejf, është e pafalshme që Shqipëria politike e drejtuar nga Berisha, nuk arrin standardin politik serb të të dëshmuarit se janë partnerë me ndërkombëtarët, jo për çështje të demokracisë, por për ato me interes të mirëfilltë kombëtar, pikërisht për hir të një interesi dhe objektivi më të madh kombëtar, siç është integrimi në BE, dhe mbijetesa ekonomike si komb ne krizë financiare.

Koha e mbetur deri në ditën e hedhjes së votave, nëse do të hidhen nga të gjithë shqiptarët, nuk është premtuese. Deri më 23 qershor do të kemi një shmangie totale nga një fushatë tipike elektorale dhe më shumë një ngërç allashqiptar konsumues, si një provokim për bojkot nga pushteti ndaj opozitës.

Opozita ka deklaruar se do të shkojë në zgjedhje dhe nuk i shkon nëpër cep të mendjes një bojkot i tyre për shkak të kësaj rrethane të krijuar dhe intrasigjence të imponuar.

Por mungesa e një formule kompromisi, në një institucion kaq të rëndësishëm si KQZ-ja, dhe në kushtet kur Berisha ka edhe karta të tjera nën mëngë, si Kolegji Zgjedhor i kontrolluar po prej tij, nuk do duhet të merret lehtë prej bllokut opozitar, dhe as herezi mendimi për bojkot si e keqja më e vogël, pavarësisht euforisë së mega-koalicionit dhe tërë

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›