E Shtunë, 31 Tetor 2026

Drejtoresha e USAID: Progres në gjykatën e Sarandës, arritje për drejtësinë

Pas investimeve të fundit të realizuara në anën ndërtimore dhe në logjistikën e Gjykatës së Shkallës së Parë të Sarandës, inspektimi i kushteve të krijuara dhe i impaktit që ato kanë dhënë në cilësinë e punës së këtij institucioni, ka qenë qëllimi i vizitës që ka bërë paraditen e martë Roberta Mahoney, drejtore e misionit të USAID në Shqipëri. Në vizitën e saj zonja Mahoney shoqërohej nga Frederik Jeger, kontrator i USAUD dhe Zef Brozi, përfaqësues i USAID në vendin tonë. Në interesin e tyre kanë qenë sallat e gjykimit, zyrat e gjyqtarëve, si dhe baza logjistike e kësaj gjykate e përmirësimet e sjella në punë nga përdorimi i tyre. Mes drejtores Mahoney dhe kryetarit të gjykatës së Sarandës, Alltun Çela, është zhvilluar një bashkëbisedim, gjatë të cilit drejtorja e misionit të USAID ka shfaqur interes të dijë për reagimin e qytetarëve ndaj përmirësimeve infrastrukturore në këtë institucion të gjyqësorit, cili është impakti i tyre në cilësinë dhe shpejtësinë e shërbimit në komunitet dhe në dhënien e drejtësisë. Interesimi i drejtores Mahoney ka përfshirë edhe elemente të tilla të punës në gjykatë, si bashkëpunimin me median e shoqata joqeveritare dhe se çfarë ndodh në rastet kur një avokat nuk paraqitet në gjyq, apo cili është numri i gjyqtarëve me master në këtë gjykatë e cili është ndryshimi mes tyre dhe  gjyqtarëve të tjerë. Kam parë progres në gjykatën e Sarandës dhe mendoj se është arritje shumë e mirë dhe shumë e rëndësishme në mënyrën se si jepet dhe transmetohet drejtësia, është shprehur Roberta Mahoney, e cila ka vlerësuar edhe praktikën e re të hapjes së informacionit të gjykatës për publikun, pasi është e mundur që brenda ditës çdo qytetar i interesuar të informohet me shkrim për çështje të gjykuara, qofshin ato edhe penale dhe që nuk kanë lidhje me ata vetë. Ka vetëm katër muaj që ka përfunduar investimi nga USAID për ristrukturimin e anës ndërtimore dhe të aparaturave të gjykatës së dhe prokurorisë së Sarandës, me vlerë 10 milionë euro.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›